E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ruzhdi Pulaha-Festivali, komunikim ndërshtetëror i skenës

25/05/2005  Programi i Festivalit Ballkanik të Komedisë dhe pjesëmarrësit

Teatri Neo Kozmos, Greqi dt. 25.05.2005

Titulli: Emigrantët

Autori: Mrozhek

Regjisori: Laert Vasili

Teatri Kombëtar Prishtinë Kosovë dt.25.05.2005

Titulli: Oda në Hamburg

Autori: Shkëlzen Alimi

Regjisor: Afrim Kapsolli

Ariel Teatër, Rumani dt. 26.05.2005

Titulli: Një natë e stuhishme

Autori: I.L.Caragiale

Regjisor: Doima Migleczi

Teatri Kombëtar i Beogradit, Serbi dt.27.05.2005

Titulli: Kovaçi

Autori: Milosh Nikoliç

Regjisori: Stefan Stabljiç

Teatri Sava Dobropllodoni, Bullgari dt.28.05.2005

Titulli: Ah, Amerika-Amerika

Autori: Kostas Asimakopulos

Regjisori: Stefan Stajcev

Teatri Kombëtar Tiranë dt.29.05.2005

Titulli: Streha e të harruarve

Autori: Ruzhdi Pulaha

Regjisori: Mihal Luarasi

Teatri Andon Zako Çajupi, Korçë dt.30.05.2005

Titulli: Hipokritët

Autori: K.Papadhopulos

Regjisori: Guri Koço

Roland Karanxha, drejtor i Teatrit “Çajupi”, Korçë

Emigrimi ka lënë teatrin pa spektatorë

Pse spektatori korçar i është larguar teatrit gjatë viteve të fundit?

Sepse është larguar qytetaria korçare, ka emigruar Korça, spektatori i saj. Kjo është arsyeja.

Nuk shikoni asnjë përgjegjësi te njerëzit e skenës?

Edhe kjo është e vërtetë, por përgjegjësia nuk bie mbi njerëzit e skenës, se sa te dramaturgjia dhe fondet. Po të kesh mjete financiare, ke të gjitha mundësitë për të realizuar spektakle të mrekullueshme, në të kundërt nuk mundesh. Kur teatri ka vënë në skenë vepra të realizuara me cilësi, spektatori është dyndur.

Dhjetë trupa teatrore nga rajoni për një javë do të eksplorojnë në komedi, si mundësi e paraqitur në Festivalin Ballkanik të Komedisë; mbi 30 kritikë të huaj dhe shqiptarë kanë zbarkuar për vlerësimin e trupave teatror

I ka takuar teatrit kombëtar “Bitola” të Maqedonisë që të hapë edicionin e gjashtë të Festivalit Ballkanik të Komedisë, të organizuar në Korçë. Një shfaqje e pranuar, një ditë më parë nga kritika si mjaft e suksesshme. Ndërsa skenën ia ka lënë në ditën e djeshme trupës së teatrit shqiptar të Maqedonisë, me gërshetimin e veprave Çajup- Floqi me komedinë “Pas vdekjes, zi e më zi”, me regji të Sefedin Nuredinit.

Për pesë ditë me radhë, skenën do ta pushtojnë dhjetë shfaqje teatrore nga Ballkani, duke iu nënshtruar gjinisë së komedisë.

Trupat teatrore të njohura nga rajoni, duke përzgjedhur pjesët më të mira të vitit, kanë konsoliduar tashmë festivalin e komedisë. Ajo që dyshohej nga organizatorët qysh në krye të nisjes së këtij organizimi, ka qenë spektatori. Por këtë vit, siç duket ka entuziasmuar organizatorët, për faktin se teatrit korçar i është rikthyer spektatori. Besimi për pjesën e publikut është përzgjedhja cilësore e trupave nga vendet ballkanike, të cilat kanë prishur siç duket indiferencën e spektatorëve.

“Trupat pjesëmarrëse janë të një niveli të lartë. Komedia ‘Bakord’ e Bitolas kishte një konceptim regjisorial të shkëlqyeshëm. Në këto rrethana, shkëmbimi i përvojës është mjaft i vlefshëm për të gjithë”, është shprehur dramaturgu, Ruzhdi Pulaha, duke e parë këtë festival dhe si një komunikim ndërshtetëror i skenës.

Ndërsa, aktori i teatrit “Neo Kozmos” të Athinës, Nikolla Llambro, rikthehet në skenën korçare pas 30 vjetësh, duke kujtuar kohën kur ishte aktor i ri dhe mbante mend impresionet e spektatorit të Korçës. Regjisori i teatrit “Andon Z.Çajupi” Korçë, Dhimitër Orgocka, që është njëkohësisht dhe drejtor i këtij festivali, ka bindjen se përmasat gjeografike të festivalit do të zgjerohen, duke pasur parasysh ecurinë e këtyre gjashtë edicioneve.

“E ardhmja e këtij festivali nuk do të mbetet brenda kuadrit të një festivali ballkanik. Pas 6 vitesh, festivali ka gjetur veten dhe ka zgjeruar frymëmarrjen. Në të ardhmen mendoj se nuk do të quhet më Festival Ballkanik i Komedisë, por Festivali Ndërkombëtar i Komedisë”, thotë Orgocka.

Pikërisht në vlerësimin e trupave, organizatorët e Festivalit të Komedisë në Korçë kanë ftuar dhe 30 kritikë të teatrit nga vendi dhe të huaj.

Në përfundim të festivalit do të jepen katër çmime: për shfaqjen më të mirë, për regjisurën më të mirë, për aktorin më të mirë dhe për aktoren më të mirë. Përveç jurisë profesionale janë ftuar edhe 30 kritikë të artit nga vendi dhe të huaj.

Koço Qendro-Aktor

Mendoni se pas gjashtë vjetësh, Festivali Ballkanik i Komedisë ka krijuar fizionominë e vet?

“Sigurisht. Tashmë ky festival ka një përvojë të mirë në organizim, në përzgjedhjen e trupave teatrore. Rruga e këtij festivali ka ardhur gjithnjë në rritje, tashmë në krahasim me festivalet e tjera që zhvillohen në shkallë vendi, Festivali i Komedisë në Korçë mbetet mjaft i veçantë, sepse ka patur realizime dhe spektakle mjaft cilësore, që kanë tërhequr vëmendjen e spektatorit. Me këtë dua të them se ecuria e këtij festivali, tashmë është e sigurtë”.

Ruzhdi Pulaha-dramaturg

Pjesëmarrja e gjerë e trupave ballkanike, mund të quhet një pasuri e vlefshme e konceptimeve regjisoriale?

“Të gjitha shfaqjet vlerësohen nga konceptimet regjisoriale, nga këndvështrimet e tyre. Larmia që sjellin këto trupa është vërtet një pasuri e madhe. Në të vërtetë ky festival është një komunikim ndërshtetëror i skenës. Trupat pjesëmarrëse janë të një niveli të lartë. Komedia ‘Bakord’ e Bitolas kishte një konceptim regjisorial të shkëlqyeshëm. Në këto rrethana, shkëmbimi i përvojës është mjaft i vlefshëm për të gjithë”.

Guljem Radoja-Aktor

Mendoni se janë zgjedhur trupat më të mira të teatrit?

“Për këtë tashmë jam i bindur. Organizuesit e këtij festivali kanë përvojën e duhur. Mbi të gjitha, regjisori Dhimitër Orgocka di të përzgjedhë. Mendoj se ky festival ia ka arritur qëllimit në këtë drejtim. Shfaqja e parë ishte vërtet e suksesshme”.

Nikolla Llambro-Aktor i teatrit “Neo Kozmos” Athinë

ǒmendim keni për spektatorin korçar?

“Unë vij të luaj në Korçë pas 30 vjetësh. Më parë kam luajtur në vitin 1976, atëherë isha aktor i ri. Spektatori korçar më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme. Korça është një qytet me një traditë teatrale kulturore të nivelit të lartë, gjë që pasqyrohet edhe te spektatori korçar”.

Dhimitër Orgocka-Regjisor

Si e mendoni të ardhmen e festivalit?

“E ardhmja e këtij festivali nuk do të mbetet brenda kuadrit të një festivali ballkanik. Pas 6 vitesh, festivali ka gjetur veten dhe ka zgjeruar frymëmarrjen. Në të ardhmen, mendoj se nuk do të quhet më Festival Ballkanik i Komedisë, por Festivali Ndërkombëtar i Komedisë, për këtë arsye se këtë vit kemi patur shumë oferta për të marrë pjesë edhe nga vende të tjera joballkanike. Siguria që ka patur festivali dhe me mbështetjen e pushtetit lokal dhe të Ministrisë së Kulturës, kjo ide do të realizohet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›