Fillon në Durrës gjyqi i parë ndaj një shqiptari të dyshuar për terrorizëm
Nis procesi gjyqësor ndaj Artan Kristos, klerikut mysliman që akuzohet për propagandë për qëllime terroriste dhe keqpërdorim të komunikimit përmes internetit. Me të nisur procesi gjyqësor, avokati mbrojtës i Kristos, i cili njihet dhe me emrin Muhamed Abdullah Al Albani, kërkoi paraprakisht nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kastriot Selita që të shpallë pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas avokatit, ky organ i akuzës nuk e kishte kompetencën tokësore për hetimin e Kristos me banim dhe veprimtari në Durrës. Sipas pretendimit të mbrojtjes dhe të të pandehurit Artan Kristo, aktet procedurale kanë nisur mbi bazën e një kallëzimi penal të bërë nga Shërbimi Informativ Shqiptar, që as nuk është përfshirë në dosjen e çështjes për të mënjanuar pikërisht handikapin e krijuar me hetimet e kryera nga një organ jokompetent për to.
Avokati Ilia Ilia tha se aktet e prodhuara nga Prokuroria e Tiranës kanë si mangësi mosrespektimin e procedurave penale. Avokati foli për cenim të së drejtës kushtetuese ndaj klientit të vet, si dhe shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave gjatë këtij hetimi: “Handikapet e Prokurorisë së Tiranës nuk ka pse t’i paguajë klienti im, që është në burg kur duhej të ishte i lirë. Askush nuk mund të cilësohet fajtor mbi bazën e provave të pavlefshme”, ka thënë mes të tjerash avokati Ilia.
Kërkesa paraprake është lexuar e gjitha në seancën e parë të procesit dhe më pas është depozituar pranë gjykatës. Akuza e përfaqësuar nga prokurori Edmond Koloshi e ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes, por kërkoi shtyrje të seancës me qëllim njohje më në detaje me të dhe përgatitjen e një përgjigjeje të plotë me shkrim.
Përfaqësuesi i akuzës tha se vepra është kryer nga interneti dhe kjo e zgjeron territorin e veprimtarisë për të cilën akuzohet Kristo. Kërkesa u pranua nga trupi gjykues, që la fillimin e qershorit si datë të seancës pasardhëse.
Nisja e procesit të gjykimit është ndjekur në sallën e gjyqit nga shumë shokë e vëllezër në besim të Artan Kristos, si dhe familjarë të tij. Pavarësisht përpjekjeve të bëra nga i pandehuri dhe avokatët mbrojtës të tij për ta ndjekur në liri procesin e hetimeve, Kristo ka mbërritur në procesin e gjykimit në pozicionin e të arrestuarit, duke u konsideruar si një person me rrezikshmëri shoqërore, ndërkohë që kallëzimi penal i SHISH-it ndaj tij është bazuar në dy video të publikuara në “YouTube” me temë “A ka xhihad në botën islame sot?”, fjalë e mbajtur gjatë predikimeve të tij para besimtarëve.
Transferimi i dosjes së Kristos nga Tirana në Durrës u bë disa ditë pas arrestimit të tij për moskompetencë tokësore. Sipas akuzës, Artan Kristo prej një kohe të gjatë bënte propagandë radikale islamike të llojit salafit-tekfirist, me një grup të vogël të rinjsh në Rrashbull dhe Golem, duke dhënë këshilla radikale islamike dhe grupin e dëgjuesve të vet e zgjeronte dhe përmes faqeve të internetit www.forumislamik.com dhe www.udhezimedhedrita.net.