E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S ka pasur dhunë, rezistenca e personave shumë minimale”

Autori i Lajmit: red.
Policia e Shtetit, Drejtoria Tiranë, ka kundërshtuar të gjitha pretendimet e politikanëve dhe eksponentëve të partive që kanë hyrë në grevë se është ushtruar dhunë ndaj protestuesve që kanë mbështetur grevistët deputetë. Me anë të një njoftimi për shtyp thuhet se “në vijim të njoftimeve të mëparshme në lidhje me masat e marra në drejtim të sigurimit të rendit publik në rrugën “Xhorxh Bush”, për shkak të tubimeve të organizuara nga disa forca politike, pa njoftuar më parë në Policinë e Tiranës, duke bllokuar kështu segmentin përballë Kuvendit të Shqipërisë bëjmë me dije se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me fillimin e grumbullimit të tubuesve më 10, 11, dhe 12 nëntor 2008, ka planifikuar dhe ka marrë masat për sigurimin e rendit publik duke bashkëpunuar me Gardën e Republikës. Përgjatë këtyre ditëve, tubuesit kanë qëndruar në vendin e sipërcituar dhe deri më tani nuk ka pasur probleme apo konfrontime mes tubuesve dhe forcave të Policisë. Në mënyrë të vazhdueshme nga ana e drejtuesve të Policisë së Tiranës, janë marrë takime me organizatorët dhe drejtuesit e tubimit, duke i bërë me dije se tubimi në fjalë bie në kundërshtim me aktet ligjore për të cilën ju është kërkuar respektimi i Ligjit "Për Tubimet". Sqarojmë se veprimet e pjesëmarrësve në tubim duke u shtrirë, ulur dhe qëndruar në këmbë, përballë hyrjes kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, cenojnë rëndë sigurinë e institucionit që ruhet dhe sigurohet nga Forcat e Gardës së Republikës, të cilat përgjigjen përveç objektit, por edhe për ruajtjen e sigurimin gjatë lëvizjes së personaliteteve të larta shtetërore. Sa më sipër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka dërguar materialet procedurale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të parashikuar në nenin 262/1 të Kodit Penal. Pavarësisht nga këto veprime ligjore të Policisë, në datën 12.11.2008, protestuesit kanë instaluar një çadër në ambientet publike të sipërpërmendura ku zhvillonin tubimin, duke bllokuar tërësisht dhe në mënyrë permanente lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mjeteve. Ndodhur në këto kushte, pas paralajmërimeve të disahershme dhe komunikimit me drejtuesit e protestës, rreth orës 23.30 policia ka ndërhyrë për të liruar ambientet publike duke çmontuar çadrën e vendosur në rrugë. Nisur nga deklaratat e bëra nga disa politikanë, ku akuzohen drejtues të policisë për përdorim të dhunës, ju bëjmë me dije se gjatë gjithë ndërhyrjes së policisë nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i dhunës, pasi rezistenca e personave të ndodhur në moment në vendngjarje ka qenë minimale. Si në çdo rast tjetër, policia kryen veprime të paanshme ligjore, për garantimin e rendit e të sigurisë publike në vend, në mbrojtje të rendit kushtetues. Së fundmi, garantojmë opinionin publik e forcat politike se Policia e Shtetit do të vazhdojë të përmbushë detyrat e saj e pandikuar nga deklaratat politike, në përmbushje të misionit të saj ligjor”, përfundon deklarata e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 14/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›