E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmohen me “bar miu” tre nxënëse dhe dy mësuese

Autori i Lajmit: red.
Tre nxënëse dhe mësuesja e tyre në shkollën “At Shtjefën Kurti” në Fushë-Kuqe të rrethit Kurbin, janë helmuar pasi kanë hapur një pako, e cila ishte vendosur brenda ambienteve të shkollës. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 9 të mëngjesit, menjëherë pas përfundimit të orës së parë të mësimit. Disa nxënës kanë lajmëruar mësuesen e tyre për një pako të vogël, por kureshtja i ka bërë që ta hapin atë, duke bërë që era që ka lëshuar lënda, që ndodhej në qese, të helmojë 3 nxënëset dhe mësuesen e tyre. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë strukturat e policisë, të cilat kanë bërë edhe ekzaminimin e plotë të qeses, e cila ka rezultuar të jetë një produkt i importuar nga Kina, dhe se krijonte paralizë nerovore. Nxënësit dhe mësuesja, të cilët kanë rënë në kontakt me lëndën e panjohur, janë dërguar në Spitalin Ushtarak për një ekzaminim të plotë, dhe mësohet se ato janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë drejtori i shkollës ka kërkuar një bllokim të këtyre produkteve, pasi ato mund të jenë të rrezikshme, për më tepër tek fëmijët e ciklit të ulët. Sipas drejtorit të shkollës, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe pak ditë më parë, por fatmirësisht, çështja është neutralizuar.
Ngjarja
Tre nxënëse dhe dy mësuese të shkollës së mesme Gorre të komunës Fushë-Kuqe të rrethit të Kurbinit, janë helmuar dje, sapo kanë kontaktuar një qese të hedhur në korridor. Ka mjaftuar hapja e qeses nga një nxënëse që më pas helmi të përhapej në atmosferë dhe më pasë tek personat që ishin në korridor të shfaqeshin edhe probleme serioze, gjë që ka vënë në alarm mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Drejtori i shkollës, Luigj Deda, ka nxjerrë nga mësimi të gjithë nxënësit e kësaj shkolle, duke pasur frikë se ishte hedhur me dashje lëndë helmuese. Sipas Dedës, “simptomat e paraqitura nga nxënëset dhe mësueset ishin se ato dridheshin të tëra, kishin të vjella dhe qëndronin të shtangura. Pasi kjo situatë i mbante për pak kohë, ata qëndronin vetëm dhjetë minuta të lira dhe sërish shfaqeshin të njëjtat shenja. Në këto kushte ne dërguam nxënëset dhe mësueset në spital, ndërsa policia ka ardhur menjëherë në shkollë, duke kryer edhe ekspertizën dhe marrjen e të dhënave, duke nisur edhe hetimet. Sipas drejtorit të shkollës së mesme Gorre, Luigj Deda, “helmimi i fëmijëve ka ardhur për arsye se nxënësit kanë hapur një qese që e kanë gjetur në korridor me mbishkrim italian, ku shkruhej se “qesja nuk duhej të hapej, pasi ishte nervoparalizuese dhe përdorej për minjtë”.
Hetimet
Ndërsa policia e Kurbinit ka dhënë një tjetër version që, sipas saj, nxënësit janë helmuar nga një ushqim me mbishkrim kinez. Sipas saj, “është ushtruar kontroll në të gjithë ambientet dhe pikërisht në katin e parë të kësaj shkolle është gjetur dhe sekuestruar një qeskë plastmasi me mbishkrimin “CARDPOND” e prodhimit kinez dhe disa mbishkrime në gjuhën italiane, që përkthehen: “Mos e prek, mos e hap, se ka efekt turbullues”.
Të helmuarat, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Laçit, janë dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë ku edhe kanë marrë mjekimin më të specializuar dhe që, sipas mjekëve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Të helmuarat
Rudina Vata, 17 vjeçe
Diana Ndoi, 16 vjeçe
Esmeralda Vuthi, 16 vjeçe
Rake Deda, 55 vjeçe, mësuese
Drane Jaku, 50 vjeçe, mësuese

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›