S’besojnë në Evropë

Bashkimi Evropian duket se është në krizë serioze. Kjo, ngase për mundësinë e shpërbërjes së kësaj bashkësie politike të mërkurën ka folur edhe vetë kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
"Për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian, shpërbërja e BE’së po bëhet një skenar real”, ua tërhoqi vërejtjen Schulz anëtarëve të Komisionit Evropian. Sipas portalit EuObserver, kryetarin e Parlamentit Evropian po e shqetëson fakti që udhëheqësit e shteteve “po miratojnë gjithnjë e më shumë vendime për vetveten”, duke treguar kështu se nuk kanë fare respekt ndaj vendimmarrjes së përbashkët në Union.
Se situata vërtet është serioze shihet edhe nga vetë politikanët evropianë, të cilët projektin e përbashkët e shohin si ardhmëri për kontinentin, ndërkohë që edhe vetë kanë filluar të flasin për shpërbërjen e mundshme të BE’së. Kjo gjë me siguri se do t’iu “japë krahë” forcave nacionaliste, të cilat angazhohen për “sa më pak Evropë”, dhe për sa më shumë politikë nacionale.
Hiç më optimist nuk tingëlloi as investitori amerikan, George Soros, i cili krizën në Eurozonë e krahasoi me shkaqet që në fillim të viteve të 90’a sollën deri te shpërbërja e ish-BRSS.
"Evropa është e ngjashme me Bashkimin Sovjetik, sepse kriza e euros ka potencial të shkatërrimit dhe të varrosjes së bashkimit Evropian”, theksoi ai gjatë një debati për politikën arsimore në Budapest.
“Me një krizë të thellë sociale, ekonomike dhe morale, në të cilën ndodhet Evropa, mendoj se mund të shohim një proces të ngjashëm të shpërbërjes”, sqaroi Soros.
Komentet e Soros janë të ngjashme me ato që i dha javën e kaluar në Danimarkë, kur deklaroi se kriza e Eurozonës “ende nuk ka përfunduar”, dhe se aktualisht “po shkohet në drejtim të gabuar”.
"Euro po e rrënon kohezionin politik të Bashkimit Evropian, dhe, nëse vazhdohet kështu, kjo gjë mund edhe ta shkatërrojë Bashkimin Evropian”, transmeton Reuters mendimin e Soros, sipas të cilit, ekonomia “mund edhe të rritet nga borxhi i tepruar, por ajo nuk mund të zvogëlohet nga borxhi i tepruar”.