UNMIK: Zgjedhjet serbe, shkelje e Rezolutës 1244

Në një përgjigje dërguar autoriteteve te Serbisë që kishin kërkuar mbështetjen e UNMIK-ut për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, shefi i këtij misioni Farid Zarif ka theksuar se rrethanat në terren e pamundësojnë një gjë të tillë.
Për më tepër, ai ka nënvizuar se “përpjekja e qeverisë së Serbisë që të organizojë zgjedhje të tilla do të paraqiste shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe së këndejmi zgjedhjet e tilla nuk do të kishin as bazë ligjore e as rrjedhoja ligjore”.
Serbia shpalli zgjedhjet parlamentare e lokale për datën 6 maj, me synimin që ato të mbahen edhe në Kosovë. Paralajmërimi i këtyre zgjedhjeve nxiti reagime të ashpra të Prishtinës zyrtare, por edhe kundërshtimin e diplomatëve perëndimorë.
Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë janë shprehur të pakënaqur me përgjigjen e UNMIK-ut, por kanë tërhequr vërejtjen se pa mbështetjen e tij nuk do të duhej ngulur këmbë në këtë synim. Opozita në Serbi dhe përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës ngulin këmbë që zgjedhjet të mbahen edhe në Kosovë.
Kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë, të cilët i kanë bërë thirrje Serbisë që të sillet në pajtim me statusin e saj të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Diplomatët thanë ndërkaq se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të mund të mbaheshin të organizuara nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, duke u nisur nga fakti se qytetarët e Kosovës e kanë të garantuar shtetësinë e dyfishtë.