S’i besuan në fillim
Talentet kosovarë në Gjermani, por edhe jashtë Gjermanisë, dita ditës janë duke vërshuar emisionet që organizohen nga televizionet gjermane.
Një ndër ta është padyshim edhe i riu nga Kosova, Ardian Bujupi, i cili më zërin e tij ka mahnitur jurinë, edhe pse anëtarët e jurisë nuk i besuan atij në fillim.
I njohur me interpretimin e këngës “Sway” të Michael Bubble, Ardiani ka rrëmbyer shumicën e zemrave të adhuruesve në të gjitha këndet e Gjermanisë, përderisa interpretimi i këngëve të Mesdheut e bën atë të veçantë.
Ai qysh tani nget veturën e tij BMW ngjyrë të argjendtë, përderisa pantallonat e tij të gjerë e bëjnë të duket një mashkull i pashëm e vajzat janë shumë të dhëna pas tij, edhe pse ai ka qenë disa herë i ashpër, sidomos me konkurrentët që janë në emision.
Asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja se do të bëhet yll gjerman, derisa Ardian Bujupi (19-vjeçar) ishte paraqitur për shoun e madh ”Gjermania kërkon super yllin“ (“Deutschland Sucht den Superstar”).
Me dukje të një mashkulli mesdhetar, Ardiani i thotë jurisë me krenari se ka prejardhje nga Kosova. Megjithatë, ai nuk i ka punët mirë me anëtarin, ndoshta kryesor të jurisë, Dieter Bohlen, pasi që herën e parafundit ka marrë pikë negative nga ai.
Arsye për këtë, sipas këtij anëtari, është paksa banale, pasi që ai i ka thënë se ka njohuri të vogla të gramatikës gjermane, gjë që, sipas tij, shihet gjatë këndimit të këngës së tij. Megjithatë, gjermanët mendojnë të kundërtën dhe thonë se zëri i Ardianit është një zë jashtëzakonisht i ëmbël dhe arriti që në fund ta bëjë për vete edhe jurinë e spektaklit.
Në paraqitjen e tij të fundit, Ardiani ishte përplot ndjenja dhe ndonjëherë i mbyll sytë gjatë këndimit, duke u thelluar edhe më shumë në interpretimin e këngës.
Për këtë entuziazëm të tij, juria e shpërbleu me një “po” të menjëhershme dhe bindëse. Fillimisht, Dieter Bohlen mori frymë thellë dhe solli vendimin: “Ishte sensacionale. Ju ishit ndër të paktët që kënduat si duhet. Vërtet na disponuat“, tha ai.
Ardiani është renditur në mesin e 15 më të mirëve në shoun gjerman.
Ai jeton në Haidelberg të Gjermanisë dhe ëndërr e tij është të bëhet yll i muzikës.
"Unë dua t’u tregoj njerëzve se çfarë mund të bëj. Ka shumë që e dinë se unë këndoj, por pak besonin në talentin tim”, ka thënë ai para jurisë.
Ardiani kështu bëhet shqiptari i tretë që shkon në finale të këtij spektakli gjerman, pasi që më herët këtë e kishte arritur Venessa Krasniqi dhe një djalosh i vogël nga Peja, Duri Krasniqi.
Venessa kishte arritur në mesin e pesë më të mirëve, por jo edhe Duri i cili ishte eliminuar më herët.
Kënga “Sway” e Michael Bubble e interpretuar nga Ardiani