Ferizaj bëhet me kryetar të ri
Skuadra e Ferizajt dalëngadalë ka filluar të shohë dritë. Pas daljes së futbollistëve në stërvitje, skuadra ferizajase është bërë edhe me kryetar të ri. Gazmend Bytyçi është zgjedhur kryetar i klubit bardhekaltër, i cili po kalon nëpër një periudhë të vështirë.
Synimi i Bytyçit është që skuadrën e Ferizajt ta nxjerrë nga kriza dhe ta ndërtoj një ekip i cili do të garonte pa problem në Superligë.
“Unë Ferizajn e kam nga zeroja, pasi siç e dini, këtu është gjendje e rëndë. Qëllimi im është që ta bëjmë një klub stabil, me lojtarë nga Ferizaj. Po ashtu edhe nga gjeneratat e reja synojmë të nxjerrim lojtarë”, ka thënë Bytyçi për Express.
Pasi ka marrë postin e kryetarit, Bytyçi ka dy synime. Fillimisht ai dëshiron që ta zgjidhë problemin e trajnerit, pasi Naim Sojeva nuk ka pranuar t’i fillojë stërvitjet pa u organizuar klubi, e më pas ta zgjedhë Kryesinë. Bytyçi ka bërë të ditur se trajneri i ri i Ferizajt do të jetë nga ky qytet. Ferizaj pjesën e parë të kampionatit e ka përfunduar në vendin e fundit, me vetëm 13 pikë të tubuara dhe rrezikon seriozisht me largim nga elita e futbollit kosovar.