S’jemi gati për Europë

“Shpresojmë që në vitin 2012 të dalim në arenën ndërkombëtare”. Këtë objektiv e kanë shumë sportdashës, udhëheqës të klubeve, sportistë, por edhe krerë të federatave – veçanërisht asaj të Futbollit dhe të Basketbollit, që po aspirojnë daljen në arenën ndërkombëtare.
Edhe në vitin që po e lëmë pas, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe ajo e Basketbollit (FBK) bënë një punë të madhe për t’ia hapur dyert vetes për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.
Por, të kuptohemi, kërkesat tona nuk ishin për pranim të plotë në FIFA e UEFA, respektivisht FIBA, por vetëm që të na mundësohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.
Megjithatë, deri më sot, as kjo kërkesë nuk ka gjetur mbështetje nga komitetet ekzekutive të FIFA’s, UEFA’s dhe FIBA’s.
Por, përderisa e kemi objektiv të vetëm depërtimin në arenën ndërkombëtare, a jemi ndalur ndonjëherë të mendojmë se, po që se na jepet dritat e gjelbër, a jemi të gatshëm të garojmë në Evropë?
Unë mendoj se jo. Vetëm lobimi dhe dëshira nuk mjafton që ne të bëhemi pjesë e Evropës.
Së pari ne nuk kemi kushte elementare që t’i përmbushim kriteret e nevojshme për të luajtur ndeshje ndërkombëtare.
Fushat e futbollit në vend fatkeqësisht ende iu ngjajnë arave, derisa palestrat nuk i përmbushin kushtet për zhvillimin e ndeshjeve me karakter ndërkombëtar.
Sikur këto të ishin mangësitë e vetme do të ishte mirë, pasi me një riorganizim të shtetit dhe udhëheqësve të sportit, të paktën do të rregullohej një stadium – palestër që do t’i përmbushte kriteret e kërkuara nga FIFA e UEFA, respektivisht FIBA.
Përveç infrastrukturës, shumë klube, sidomos të futbollit, ende nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre, i cili me rregull duhet të jetë privat.
Kjo ka bërë që në shumë nga to të mos punohet seriozisht, madje as mos të investohet, pasi askush nuk dëshiron të shpenzojë para kot.
Këtë më së miri e vërtetojnë klubet e hendbollit, të cilat shumë herë detyrohen që mos t’i zhvillojnë ndeshjet në kupat europiane, shkaku i mungesës së mjeteve financiare.
Ndërsa, edhe ato klube që po marrin pjesë në këto gara, vetëm po koriten. Përveç që nuk po arrijnë asnjë rezultat pozitiv, klubet e hendbollit po turpërohen duke humbur me rezultate të thella.
Përderisa sporti i Kosovës ka mbetur për gjynah, më mirë është që të mendohet më seriozisht për rregullimin e infrastrukturës dhe ngritjen e cilësisë, sepse me qebapa dhe byrek nuk i dilet përpara Lionel Messit dhe Barcelonës.