E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka ftesë për Lekën

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 21:02

Studiuesi Nicholas Lane, djali i Ahmet Zogut dhe nipi i tij (përkatësisht Leka Zogu i Parë dhe Leka i Dytë), nuk mund të ftohen në martesën mbretërore britanike mes princit William Arthur Philip Louis Windsor (i biri i Lady Dianës) dhe Catherine Elizabeth Middleton, martesë kjo që do të zhvillohet më 29 prill, 2011 në Londër.

Për të konfirmuar, apo përgënjeshtruar këtë lajm, gazeta kontaktoi dje me Zyrën e shtypit pranë familjes Zogu në Tiranë. Zëdhënësja Juliana Batusha na konfirmoi se "as Mbreti dhe as Princi Leka nuk janë të ftuar në një nga dasmat më të rëndësishme në Britani". Ajo nuk ishte në gjendje të na shpjegonte pse...

Lista e të ftuarve në dasmën e William me Kate është në fakt pjesë e një protokolli shtetëror në Mbretërinë e Bashkuar, e kësisoj sita që "vendos" për këdo që ftohet është një filtër shumë rigoroz. Fakti që pas referendumit në Shqipëri për formën e qeverisjes në Shqipëri, djali i Ahmet Zogut, Leka u shfaq para një turme mbështetësish me armë në dorë, tipike kjo e një tentative për grusht shteti dhe u akuzua më pas pikërisht për tentativë grushti shteti (ndonëse çështja u pezullua nga Prokuroria, pa shkuar në gjykatë), paska qenë e mjaftueshme për protokollin e Mbretërisë më të vjetër sot në botë për të lënë jashtë listës së të ftuarve pasardhësit e Mbretit Ahmet Zogu, të shqiptarëve.

Gazeta po risjell në vëmendje të lexuesit një lajm të botuar më 9 shkurt të vitit 1999 nga shërbimi botëror i "BBC", ku thuhet: "Mbreti Leka I i shqiptarëve është arrestuar në shtëpinë tij në Johanesburg". Ky lajm bën fjalë për një ngjarje që dhe në shtypin shqiptar u botua atëherë dhe që implikonte Leka Zogun në trafik armësh. "BBC" njoftonte atëherë se:"Sipas policisë, në banesë i janë gjendur më tepër se 70 armë me 14.000 copë municion. Arsenali ka pas të përfshira pushkë AK47, granatë-hedhës dhe anti-njeri. Nuk dihen detaje të tjera rreth këtij arrestime, por që mbreti ka pas armë në shtëpi kjo është e ilustruar edhe me foto".

Të ftuarit kryesorë janë anëtarët dhe të afërmit e familjes mbretërore Windsor dhe po thuajse të gjitha familjet mbretërore europiane hyjnë në këtë rreth, përveç familjes mbretërore shqiptare. Kjo martesë nuk është martesë shtetërore, pasi Princi William nuk do ta trashëgojë fronin pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II. Mbreti i ardhshëm do të jetë babai i tij, Princi Charles.

Detajet e dasmës

Princi William dhe Kate Middleton do të nisin ceremoninë e dasmës së tyre me një pritje nga Mbretëresha në Buckingham Palace. Sipas informacioneve të zbuluara nga organizatorët, gjithçka do të nisë më 29 prill në orën 11:00 të paradites, ndërsa në Westminster Rowan Williams do të martojë çiftin. Pas ceremonisë, ata do të drejtohen për nga Buckingham Palace, ku do të vazhdojë takimi me të ftuarit.
Princi Charles do të ofrojë një darkë private në mbrëmje dhe ajo do të shoqërohet me kërcim. Në të do të jenë të pranishëm çifti, miqtë e ngushtë dhe familjarët. Kryeministri britanik, David Cameron, ka deklaruar se dita e martesës do të jetë një festë kombëtare dhe pritet që të ketë vizitorë nga e gjithë bota. William dhe Middleton, që të dy 18 vjeç, e lajmëruan lidhjen e tyre në datën 16 nëntor të vitit të shkuar.

Ata u takuan së bashku dhe u njohën teksa studionin në universitetin "St. Andrews" në Skoci, studime që nisën në vitin 2003. Çifti ka deklaruar tanimë se pas martesës do të jetojnë në Uellsin verior dhe se Williams do të shërbejë si pilot i forcave ajrore të Mbretërisë.

Dasma e Princit William me Kate Middleton më 29 prill do të jetë e mbushur me pompozitet, me një ceremoni jo tërësisht tradicionale, e cila do të përfundojë me një mbrëmje vallëzimi në Pallatin Buckingham. Ceremoninë fetare për bashkimin e çiftit do ta drejtojë Peshkopi i Canterbërit, Rouan Uilliams.

Martesa fetare e çiftit 28-vjeçar do të bëhet në Katedralen Westminster. Por, ndryshe nga tradita mbretërore, nusja do të mbërrijë në ceremoni me makinë, në vend të karrocës prej xhami. Kjo është një përpjekje e familjes mbretërore që ceremonia të mos duket aq luksoze në kushtet e krizës ekonomike që po përjeton Britania.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›