Supermarketi Milan
Të jesh sot lojtar i Milanit nuk do të thotë se je i paprekshëm. Pavarësisht emrit të madh të klubit italian, shtatë herë kampion i Europës, realiteti financiar në kontinent ka ndryshuar dhe miliarderët sheikë e rusë është e mundur të bëjnë thuajse gjithçka. Disa prej yjeve kryesorë të skuadrës mundet edhe të largohen, ndoshta jo të gjithë, ndërsa shifrat që synon Milani janë të larta.
Tiago Silva pëlqehet nga Barcelona, por edhe nga Mançester Siti. Milani edhe e mban, edhe e lëshon. Kjo ndodh nëse jepen 40-45 milionë euro. Ibrahimoviç vlerësohet, por për momentin nuk është në treg, ndërsa alarmi i ri e ka emrin Kevin Princ Boateng. Për ganezin në garë janë futur Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid. Si gjithnjë, gjigandët spanjollë janë në avantazh, ndërsa shifra për Boan duhet të jetë vërtet e lartë.
Së fundi, nga Malaga, por edhe nga Gjiri Persik ka tundime për një dyshe kuqezi. Sheiku Al Tani i klubit spanjoll kërkon sidomos Antonio Kasanon, por pëlqen edhe Robinjon, ndërsa ylli puljez ka admirues edhe në Katar.
Mund të thuhet, pra, se për Milanin do të vazhdojnë ditët e vështira, periudha kur nuk mund të bëhen shpenzime të mëdha dhe kjo do të thotë se edhe nuk është e lehtë të mbahen kampionët e rëndësishëm si Ibrahimoviç, Tiago Silva apo Boateng.