E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’presin kushte nga FIFA

Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë marrë rrugën drejt Zvicrës, ku do t’i pretë presidenti i FIFA’s, Sepp Blatter. Ata do të bisedojnë për modalitetet e zhvillimit të ndeshjeve miqësore me përfaqësuesen e Kosovës, derisa nuk presin që shtëpia e futbollit botëror t’u qesë kushte për organizimin e ndeshjeve.

Presidenti i FIFA’s, Sepp Blatter, të mërkurën në selinë e tij në Zurich do të presë mysafirë ‘specialë’. Kreu i futbollit botëror do ta pretë një delegacion të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të përbërë nga kryetari Fadil Vokrri, nënkryetari Predrag Joviç dhe sekretari Eroll Salihu.

Në këtë takim pritet të bisedohet për modalitetet rreth organizmit të ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen e Kosovës, pasi FIFA muaj më parë vendosi ta lejojë FFK-në të organizojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Ky vendim u kundërshtua fuqishëm nga Serbia dhe UEFA. Megjithatë, FIFA qëndroi prapa atij vendimi, por duke paralajmëruar se më 17 korrik Komiteti Ekzekutiv i saj do t’i zgjedhë modalitetet rreth zhvillimit të ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen kosovare.

Prandaj, para se të zgjidhen ato modalitete, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e ftoi për këtë takim konsultativ delegacionin kosovar të kryesuar nga FadilVokrri.

Gazeta Express kohë më parë pati paralajmëruar se këto modalitete më vonë mund të kuptohen si kushte, mbi të cilat FFK-ja nuk do të guxojë të shkelë gjatë organizimit të ndeshjeve miqësore. Për shembull, FIFA mund të vendosë që përfaqësuesja kosovare ndeshjet mos t’i zhvillojë brenda territorit të Kosovës, pa simbole shtetërore, etj.

Megjithatë, në shtëpinë e futbollit kosovar thonë se nuk kanë marrë sinjale nga FIFA se mund të kushtëzohen diçka ngjashëm. Ata nuk besojnë se për këto kushte Vokrri do të paralajmërohet të mërkurën nga Blatter.

“Tashmë ka kaluar një kohë prej kur FIFA mori vendimin ta lejojë Kosovën të zhvillojë miqësore. Andaj, nervozizmi në Serbi dhe në UEFA është zbutur shumë dhe thuajse janë pajtuar me atë vendim, andaj nuk ka arsye tani që FIFA të qesë asi kushte”, thotë një zyrtar i lartë i FFK-së në kushte anonimiteti.

“Këto do të ishin më shumë çështje politike. FIFA nuk merret me politikë, por me futboll. Andaj nuk besoj se do të kushtëzohemi me kësi çështjesh, që më shumë kanë të bëjnë me politikë sesa me sport. Unë konsideroj se kushtet më shumë do t’u përkasin çështjeve organizative, si ato të infrastrukturës, masave të sigurisë e ngjashëm”, theksoi ai.

Vendimi i FIFA-s që ta lejojë Kosovën të zhvillojë miqësore pati ngjallur reagim të ashpër në Serbi, së cilës në mbrojtje i doli edhe UEFA. Por, megjithatë, kreu i FIFA-s, Sepp Blatter, ishte i prerë, duke konfirmuar se vendimi i kësaj organizate për Kosovën është i pakthyeshëm dhe se hapi i ardhshëm i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s më 17 korrik do të jetë modaliteti i zbatimit të vendimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›