E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anderlecht ‘rrëmben’ Shalën

Gjigantit belg Anderlechtit tashmë i është bashkuar një futbollist shqiptar. Ai është talenti me prejardhje nga Kosova, Rion Shala. 15 vjeçari shpreson ta ndjekë rrugën e portierit të Palermos, Samir Ujkanit dhe mesfushorit të Manchester Unitedit, Adnan Januzajt, të cilët dikur ishin pjesë e të rinjve të klubit mbretëror.

Anderlechtit tashmë i është bashkuar një futbollist shqiptar. Ai është talenti nga Kosova, Rion Shala, i cili para pak kohësh me sukses i ka kaluar provat në klubin më të trofeshëm në Belgjikë, ku edhe jeton me familjen e tij.

Kështu, nga sezoni i ri, 15 vjeçari do t’i mbrojë ngjyrat e ekipit të juniorëve të klubit mbretëror belg me shpresë që pas pak vitesh të kalojë në ekipin e parë.

Në fakt, para se t’i bashkohej këtij klubi, Shala ishte pjesë e ekipit tjetër të njohur belg Standard Liege. Por, babai i tij, Jahiri kishte insistuar që Rioni ta braktisë Standard Liegen për shkak se i duhej të udhëtonte gjatë prej vendbanimit të tij.

Kështu, pasi e kishte marr flet-lëshimin nga Standard Liege, Jahiri tregoi se të birin e kishte dërguar në Anderlecht, ku ishte pranuar vetëm pas dy palë provave.

Vetë futbollisti i ri, i cili luan në rolin e mesfushorit ofanziv dhe sulmuesit, ndihet shumë i lumtur që tani është pjesë e klubit më të trofeshëm në Belgjikë, që ndihmëstrajner e ka Besnik Hasnin.

“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për një klub të madh siç është Anderlechti. Jam shumë i lumtur që e kam realizuar ëndrrën”, tha Shala për Express.

Ai shpreson ta ndjekë rrugën e portierit kosovar Samir Ujkani, i cili tani mbron ngjyrat e klubit italian Palermo dhe futbollistit tjetër kosovar Adnan Januzaj, i cili vitin e kaluar ishte transferuar në akademinë e Manchester Unitedit.

“Me Adnan Januzaj njihem, sepse pata luajtur me të sa ishte në Belgjikë. Unë shpresoj që posa t’i mbush edhe pak vjet do të luaj për ekipin e parë të Anderlechtit, e më pas të transferohem në Arsenal, PSG të Francës, Spanjë apo Itali”, përfundoi Shala i cili pushimet po i kalon me familjen e tij në Kosovë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›