Gjinushi: “Jo ndryshimeve në Kushtetutë, që cenojnë institucionet”
Edhe kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, është shprehur kundër ndryshimit të Kushtetutës përsa i përket pjesës që ka të bëjë me institucionin e Presidentit, i cili nuk duhet të bjerë nën diktatin e kryeministrit. “Presidenti Republikës është një prej hallkave kryesore të shtetit. Ai nuk është as honorifik, as simbolik, ai është balancuesi i të gjitha pushteteve, sidomos i pushtetit Gjyqësor. Në rast se flitet për reformë në Drejtësi, cenimi i institucionit të Presidentit është cenimi i pavarësisë së Gjyqësorit, është antireformë dhe si e tillë është një masë e papranueshme”, - tha Gjinushi. Ai theksoi se Reformat Kushtetuese nuk mund të bëhen me anë të kulisave, por ato duhet të shqyrtohen më parë në një komision të posaçëm parlamentar. “Reforma Kushtetuese nuk mund të improvizohet. Ajo nuk mund të dalë nga sirtarët. Reforma nuk bëhet me debate mediatike dhe “reforma” qartazi duket që synon të cenojë dhe ato pak institucione që kanë ngelur”, - tha kreu i PSD-së, i cili theksoi se miratimi i këtyre ndryshimeve do t’i shërbejnë kësaj qeverie të dështuar.
15 Prill 2008