E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk negociojmë për prekjen e kompetencave të Presidentit

Kryesia e PS-së, kundër propozimit të PD-së, që ka të bëjë me institucionin e Presidentit. PS: Do të votojmë pro ndryshimeve për reformën zgjedhore dhe reformën në Drejtësi

Shaban Sulçe

Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur dje për të marrë vendimet e saj politike përsa u përket propozimeve të bëra prej saj dhe Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës. Organi më i lartë vendimmarrës i selisë rozë ka rënë dakord përsa u përket ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por nga ana tjetër ka kundërshtuar propozimet e Partisë Demokratike që kanë të bëjnë me kompetencat e Presidentit të Republikës. Anëtari i Kryesisë dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Isaraj, i cilësoi të panegociueshme dhe të papranueshme propozimet që cenojnë kompetencat e institucionit të Presidentit të Republikës si dhe propozimet e bëra për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm. “Ajo çfarë ne refuzojmë dhe nuk negociojmë me asnjë palë është mandati i Presidentit, mbarimi i tij dhe marrja e kompetencave të presidentit, kundërfirmimi i dekretit presidencial, si dhe ndryshimet që propozohen në lidhje me normat kushtetuese mbi shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm”, - tha Isaraj.
Reformat
Duke bërë publik vendimin e marrë nga Kryesia e PS-së, Isaraj tha se Partia Socialiste është e bindur që për realizimin e reformës zgjedhore dhe reformës në Drejtësi duhet të ndryshohet Kushtetuta. Ai tha se PS-ja është e gatshme që të votojë pro propozimeve që kanë të bëjnë me këto dy çështje. “Ne momentalisht jemi gati për të votuar dhe mirëpresim ato ndryshime kushtetuese që lidhen drejtpërsëdrejti me reformën zgjedhore dhe më konkretisht me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Për sa më sipër, Partia Socialiste bie dakord me amendamentet shtesë për projektligjin, të propozuar nga Partia Demokratike, me një rregullim teknik, që lidhet me përcaktimin e periudhës zgjedhore”, - tha anëtari i Kryesisë dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Isaraj.
Propozimet e tjera
Isaraj tha se Kryesia e Partisë Socialiste kishte rënë dakord me propozimet shtesë të maxhorancës, që kanë të bëjnë me mocionin e mosbesimit të kryeministrit dhe mandatin e prokurorit të Përgjithshëm. “Tjetër gjë për të cilën ne biem dakord në propozimet shtesë të maxhorancës për amendamentet kushtetuese, është mocioni i besimit dhe ai mosbesimit, që lidhet me kryeministrin. Ajo për të cilën ne jemi pro në parim, por që mbetemi të hapur për ta zgjidhur me reformën në Drejtësi, është mandati i prokurorit të Përgjithshëm dhe afati që do t’i caktojmë këtij mandati, lidhur me mandatet e tjera kushtetuese”.
Zgjedhja e Presidentit
Kryesia e Partisë Socialiste ka dhënë dje propozimin e saj përsa i përket rrugës së zgjedhjes së presidentit. Sipas këtij propozimi, në rast se presidenti nuk do të zgjidhet tri herë nga Parlamenti, kjo e drejtë do t’i kalojë popullit. “Partia Socialiste bie dakord me propozimet shtesë për amendamentet kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit, nëpërmjet kësaj procedure: 2 raunde me 3/5. Raundi i tretë me 70+1 dhe raundi i katërt në popull”, - tha Isaraj.

15 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›