E Shtunë, 31 Tetor 2026

SARAN Holding sponsorizon Sllogën

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 17 qershor - Kompania e njohur turke SARAN Holding gjatë viteve të ardhshme do të jetë sponsori kryesor i Slloga Jugomagnatit nga Cairi. Një informacion të tillë e ka bërë të njohur ekskluzivisht për "Lajm" pronari aktual i "pëllumbave", Rafet Muminoviq. Sipas tij, me këtë kompani gjigante, Slloga do t'i bëjë ballë rivalit të tij të përjetshëm Vardarit nga Shkupi. "Ka pesë vite që bisedoj me pronarin kryesor të kompanisë SARAN Holding, Sadettin Saran. Ai ka pranuar që të jetë sponsor dhe partner i imi në klubin e Sllogës. Është në rrugë e sipër për të ardhur në Shkup dhe shumë shpejt do të nënshkruajmë zyrtarisht marrëveshjen për bashkëpunim", tha Muminoviq.
Ai gjithashtu ka thënë se synimi i vetëm i Sllogës është kthimi në Ligën e Parë. "Bashkë me biznesmenin turk do ta kthejmë Sllogën vitin e ardhshëm në Ligën e Parë, kurse menjëherë pastaj do të kërkojmë dalje në Evropë. Sigurisht se kësaj radhe punën e kemi marrë me seriozitet, pasi Slloga ka emër. Ne do t'i qëndrojmë karshi Vardarit dhe do ta fitojmë sikur vitet e mëparshme", tha pronari i Slloga J.
Gjatë dy muajve të ardhshëm pritet përfundimisht të përfundojnë të gjitha punët rreth objektit të stadiumit. Do të vendosen karriget, nën tribuna pritet të hapet një supermarket, kurse dhomat brenda tribunave do të funksionojnë si hotel.
Kompania turke SARAN Holding ka të drejtën televizive për ndeshjen e kombëtares së Turqisë si dhe klubeve më të njohura të Superligës turke. Sadettin Saran ka qenë edhe menaxher i Fenerbahces, ndërsa është aksionar në disa klube të njohura të Bundesligës gjermane si Schalke 04. Holdingu i tij përfshin edhe sferën e mediave, energjetikës, turizmit etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›