E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja konteston simbolet shtetërore

Nga Express më 28 shkurt 2011 në ora 16:27

Lëvizja Vetëvendosje tashmë është bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, por vazhdon të kontestojë simbolet shtetërore, të cilat synon që përmes rrugës institucionale dhe jashtë institucionale edhe t’i ndryshojë. Flamuri i Kosovës për këtë lëvizje është i papranueshëm dhe si rrjedhojë e kësaj, përfaqësuesit e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës nuk japin deklarata në foltoren ku flasin të gjithë përfaqësuesit tjerë, vetëm pse prapa qëndron flamuri shtetëror i Kosovës.

Të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare, shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nuk ka dashur të flas për media në të njëjtën foltore ku kanë folur kolegët e tij nga partitë tjera dhe vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk e pranojmë këtë flamurin e imponuar të Ahtisarit dhe të Thaçit dhe rrjedhimisht nuk desha të dalë para tij”, ka thënë Ymeri.

E vetëdijshme se edhe institucionet e Kosovës janë të ndërtuara pikërisht mbi planin e Ahtisarit dhe mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, sipas Ymerit, synon që ta ndryshojë bazën ligjore.

“Lëvizja Vetëvendosje kur ka vendosur që të hyjë në institucione, ka vendosur që të hyjë aty për ta ndryshuar këtë bazë ligjore që ne e konsiderojmë si të padrejtë, dhe në kundërshtim me vullnetin politik të Kosovës dhe njëkohësisht si bazë ligjore, e cila i shkakton dëme Kosovës”, është shprehur Ymeri.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë është bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, të cilat i ka kundërshtuar që nga fillimi i formimit të saj si lëvizje.

Në seancën e 21 shkurtit kur u konstituua Kuvendi dhe u bë betimi i deputetëve, pritej të kishte një befasi më të madhe nga deputetët e kësaj lëvizje, mirëpo “befasia” ishte vetëm nxjerrja e një flamuri të vogël kombëtar në tavolinë nga secili deputetë i Vetëvendosjes.

Ndërsa sa për betimin e deputetit, ata janë pajtuar, duke thënë se teksti i betimit është konform asaj që kërkon Vetëvendosja, që nënkupton ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›