SEEMO denoncon ndalimin e gazetarit të TCH, Marin Mema në kufirin grek
Organizata e Mediave të Europës Juglindore ka kërkuar hetim nga institucionet ndërkombëtare lidhur me incidentet e përsëritura nga policia greke ndaj gazetarëve
SEEMO, South East Europe Media Organisation (Organizata e Mediave të Europës Juglindore), ka dënuar aktin e disa ditëve më parë të policisë greke ndaj gazetarit të Top Channel, Marin Mema i cili u ndalua të hynte në kufirin grek, ku do të shkonte me pushime, për shkak të një dokumentari të bërë një vit më parë prej tij lidhur me çamët dhe Çamërinë.
Sekretari i përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç ka kërkuar që autoritetet greke të japin llogari përse e kanë penguar hyrjen e reporterit shqiptar në Greqi dhe pse e kanë shpallur atë person non grata.
“Gazetarët duhet të lejohen të udhëtojnë edhe si qytetarë të thjeshtë, për çështje të tyre private, edhe si profesionistë të informacionit”, – tha Oliver Vujoviç. – Policia kufitare greke duket se ka shkelur disa standarde ndërkombëtare shumë të rëndësishme duke penguar lëvizjen e lirë të gazetarëve. Liria e shtypit nuk mund të ndalet në kufijtë e vendeve”.
Një incident i ngjashëm raportohet edhe më herët nga SEEMO, kur në gusht të vitit 2011 dy gazetarë maqedonas kanë pasur të njëjtin fat me reporterin shqiptar, Mema dhe janë penguar nga polica greke në detyrën e tyre të gazetarit.
Goran Momirovski dhe Milena Gjorgjievska, të dy gazetarë maqedonas, ishin duke shoqëruar një grup qytetarësh nga Maqedonia (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), të cilët ishin duke u përpjekur për të marrë certifikatat e tyre të lindjes në Follorinë, në Greqi Veriperëndimore. Këta shtetas, të lindur në Greqi, jetonin në Republikën e Maqedonisë (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
Dy gazetarët kanë raportuar për SEEMO se, janë ndeshur me dhunën dhe agresivitetin e policëve grekë, të cilët u sekuestruan edhe të gjitha materialet filmike që kishin realizuar.
Ndërsa disa muaj më vonë, njërit nga gazetarëve, Goran Momirovski, njësoj si në rastin e gazetarit të Top Channel, Marin Mema i ishte mohuar e drejta për të hyrë në Greqi gjatë një udhëtimi për pushime, dhe argumenti i dhënë nga policët ishte se gazetari përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.
Këto veprime të policisë kufitare greke duhet të hetohen dhe rreth tyre duhet të jepen shpjegime. Organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Europës apo Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), gjithashtu duhet të hetojnë lidhur me praktikat e ndjekura nga autoritetet greke, shprehet sekretari i përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç.
22 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
SEEMO denoncon ndalimin e gazetarit të TCH, Marin Mema në kufirin grek burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip