E Shtunë, 31 Tetor 2026

SEEMO e OSBE dënojnë sulmin ndaj Matoshit

Organizata për Media e Evropës Juglindore (SEEMO), me seli në Vjenë, pjesë përbërëse e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), e dënon sulmin kundër gazetarit kosovar, Halil Matoshi.
 

Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s, Oliver Vujoviç i bën thirrje policisë të gjejë autorët e sulmit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t`i nxjerrë ata para drejtësisë”.
Po sot edhe përfaqësuesja për lirinë e mediave e OSBE-së, Dunja Mijatoviç, ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Halil Matoshi.

Në njoftimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), thuhet se Halil Matoshi është i njohur për raportimin e tij investigativ dhe kritikat ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë.

“Ky sulm ka mund të jetë fatal për gazetarin. Unë jam e lumtur që Halil Matoshi, ia doli t`iu shmanget sulmuesve të tij”, tha Dunja Mijatoviç, dhe shtoi se “dhuna kundër gazetarëve është sulm kundër shprehjes së lirë dhe shoqërisë në tërësi dhe unë fuqishëm i dënoj të gjitha aktet e tilla”.
 

Matoshi u sulmua mbrëmjen e 10 korrikut nga tre persona të paidentifikuar, teksa po largohej nga një ngjarje kulturore në Prishtinë. Matoshi ia doli të largohet dhe më vonë është trajtuar në spital.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›