Afganistan, Karzai fton shefin e talibanëve në zgjedhje

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, e ka ftuar liderin taliban, Mullah Omar, që të marrë pjesë në zgjedhjet në Afganistan.
Duke folur para gazetarëve sot në Kabul, zoti Karzai tha se “Mullah Mohamed Omar mund të hyjë brenda Afganistanit kudo që ai dëshiron dhe mund ta hapë zyrën e tij politike, por duhet të largohet nga arma”.
Mullah Omar, pushteti i të cilit në Afganistan u përmbys nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në fund të vitit 2001, është njëri nga njerëzit më të kërkuar në botë, ndërsa Uashingtoni ka ofruar shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në zënien e tij.
Disa herë, presidenti Karzai i ka bërë thirrje Omarit dhe kryengritësve të tjerë, që përpiqen të përmbysin administratën e tij të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që të heqin dorë nga dhuna dhe ta pranojnë integrimin paqësor.
Por, talibanët shumë herë i kanë refuzuar ofertat e Karzait, ndërsa në fillim të këtij viti u tërhoqën nga bisedat kërkimore me Shtetet e Bashkuara.