E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e likuiditetit, ndërtuesit i kërkojnë ndihmë qeverisë



Ervin KOÇI

Sektori i ndërtimit është një ndër më të goditurit nga kriza ekonomike në vend. Sipas përfaqësuesve të këtij sektori, janë mbi 4000 apartamente që kanë mbetur pa u shitur në të gjithë vendin, ndërsa aktiviteti i ndërtimit është tkurrur si pasojë e reduktimit të likuiditeteve. Shkak për këtë janë bërë faktorë të ndryshëm ku dy prej më të rëndësishmëve janë, bankat që kanë prerë kreditimet dhe dërgesat e emigrantëve që kanë rënë ndjeshëm sidomos këtë vit. Shqetësimet janë bërë prezente në kuadër të ditës Botërore të Ndërtimit, ku Shoqata e Ndërtuesve (SHNSH) i bëri apel qeverisë për përcaktimin e një strategjie sa më të qartë për zhvillimin e këtij sektori, por edhe forcimin e kontrollit publik mbi bankat, me qëllim që ato të vazhdojnë të zbatojnë si duhet misionin e tyre të financimit të ekonomisë. Duke shfrytëzuar këtë aktivitet ndërtuesit gjetën rastin të bëjnë edhe njëherë publike shqetësimet e tyre të vazhdueshme që lidhen me mungesën e partneritetit me qeverinë, mungesën e strategjive për sektorin e ndërtimit, mungesën e planeve rregulluese në qytete por dhe arbitraritetin e administratës tatimore. Nisur nga kjo situatë kritike, ndërtuesit kërkojnë rregullimet e nevojshme ligjore me qëllim normalizimin e biznesit të ndërtimit. Ata cilësuan shfaqe të mentalitetit të gabuar qeverisës, zbatimin e mjaft ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me vendosjen e referencave. Ndërtuesit i paraqitën qeverisë dhe një paketë masash stimuluese për të lehtësuar biznesin e ndërtimit të goditur nga kriza.

Pasojat

Sektori i ndërtimit dhe kompanitë që ushtrojnë veprimtari në këtë sektor, janë me të prekurat nga pasojat e krizës financiare. "Mjafton të përmendim këtu për shembull vetëm faktin se gjatë vitit 2008 në ndërtim nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro (pra nuk kanë punuar fare) mbi 700 shoqëri ndërtimi nga 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi",- deklaroi Maksim Muçi, Kryetar i SHNSH-së. Sipas tij, "sektori i ndërtimit dhe tregu imobiliar po ballafaqohen me probleme e vështirësi të ndjeshme, ku për shkak të rënies së kërkesës konsumatore vihet re një rënie e theksuar e shitjeve. Sipas të dhënave, është më i madh se 4 mijë numri i banesave të ndërtuara që akoma janë të pa-shitura". Ky fakt tregon për një tkurrje të aktivitetit ekonomik, të cilit po t'i shtojmë edhe rënien e fuqisë blerëse vështirëson më tej këtë sektor, duke pezulluar edhe shitjet e apartamenteve. Problemi më i madh në këtë sektor mbetet mungesa e likuiditeteve dhe burimet e financimit. Bankat vazhdojnë të hezitojnë kreditimin e biznesit. Ndaj ndërtuesit i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë duke bërë ndërmjetësen midis tyre dhe bankave për të përballuar këto efekte.

Aktiviteti

Javën e parë të tetorit ndërtuesit ia kushtojnë vetvetes. Në këtë ditë ndërtuesit bëjnë apel për më shumë standarde në punën e tyre. Shoqëritë e ndërtimit qarkullojnë rreth 1.5 miliardë euro në vit. Një armatë e tërë kompanish ndërtimi është krijuar, sidomos 10-vjeçarin e fundit, në përgjigje të nevojave të mëdha për ndërtime në vend. Ato janë pajisur me teknologjitë më të mira të kohës, kanë mobilizuar burime të shumta financiare të lira në duart e popullatës dhe kanë punësuar një numër të madh fuqie punëtore. Sipas burimeve të Shoqatës së ndërtuesve, aktualisht, një numër i konsiderueshëm i shoqërive të armatës së madhe të ndërtimit është konsoliduar, duke marrë përsipër vepra të mëdha infrastrukturore.

Sigurimet vullnetare rriten me 38 për qind në 8 muajt e vitit

Shqiptarët kanë paguar më shumë para për sigurime gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, si rezultat i sigurimit të banesave kundër zjarreve, shëndetit, kushteve të vëna nga sistemi bankar për marrje kredish, etj. Sipas raportit të AMF-së, në periudhën janar-gusht 2009, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 2,557 milionë lekë me një rritje prej 38% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, dhe me rreth 34% rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 34%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Referuar të dhënave të AMF-së, në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,403 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet ndaj zjarreve dhe dëmtimeve në pronë, me rreth 43%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 30% dhe më pas vjen sigurimi i garancive me 11.6%. Në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë", ndihet një rritje prej 9.77% e numrit të kontratave të sigurimit dhe me rreth 37% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli.

12 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›