SHBA shmanget sulmi terrorist
Një burrë është arrestuar në afërsi të Kapitol Hill në SHBA si pjesë e një hetimi antiterrorist. Lajmi u bë me dije nga zyrtarët amerikane. Amine El Khalifi, 29 vjeç është një emigrant ilegal me origjine nga Maroku. Zyrtarët vendas bëjnë me dije se i akuzuari po mendonte të kryente një sulm vetëvrasës në ndertesën e kongresit amerikan. Personi në fjalë ka qenë prej kohësh nën monitorimin e autoriteteve të policisë. Ndërsa e kanë cilësuar atë si një njeri të rrezikshëm për sigurinë publike. Gjykata e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar atë për përpjekje në përdorimin e një armë të shkatërrimit në mase. Eksplozivi që dyshohet se do të përdorej u çaktivizua nga forcat e rendit dhe nuk përbën më rrezik për qytetarët, ka deklaruar një zëdhënës i FBI-së. I njëjti burim ka shtuar më tej se agjentët e seksionit të antiterrorizmit në Byronë Federale të Hetimeve po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse i dyshuari ka bashkëpunëtorë. Agjentët e FBI-së kanë shmangur së fundmi në të njëjtën mënyrë disa plane terroriste. Ndër më të fundit është ai i shtatorit të vitit të kaluar, ku një 26-vjeçar me pasaportë amerikane, Rezëan Ferdaus, u arrestua pasi dyshohej për telekomandimin e disa avionëve me eksploziv drejt Pentagonit dhe Kongresit.