Përzgjidhen 5 studiot e huaja për planin rregullues të sheshit “Iliria”
DURRËS – Prezantohen 5 projektet për një nga qendrat kryesore të qytetit të Durrësit, të cilat do të diskutohen me përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët dhe qytetarë të ndryshëm dhe në fund të muajit janar do të bëhet përzgjedhja e fituesit. Burimet zyrtare të Bashkisë së qytetit bregdetar pohojnë se paraditen e djeshme janë paraqitur për publikun e gjerë në mjediset e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” 5 projektet që do të vazhdojnë garën për të shpallur më pas fituesin e studios që do të përcaktojë se si do të jetë nesër sheshi “Iliria”. Në këtë garë morën pjesë 36 studio me një shtrirje gjeografike nga katër kontinentet dhe konkretisht nga shtete të tilla si Anglia, Japonia, SHBA-të, Portugalia, Meksika, Italia etj. Faza e parë nisi që më 9-11 tetor të këtij viti. Tashmë janë përzgjedhur dhe do të garojnë këto projekte: Projekti i studios italiane të arkitekturës “Ottopignatti Studio Associato”, e cila ka paraqitur idenë e sheshit me moton “Con Shesh Temporary”; projekti i studios së arkitekturës nga Portugalia, i quajtur “Da Arquitectos”; Projekti i studios së arkitekturës Michele Cro” nga Roma me moton “Folding” studio; projekti i studios italiane të arkitekturës “Mascino e Agnoletto” me moton “Suoli Sensibili” dhe projekti i fundit i studios së arkitekturës “3 W Architecture Limited” nga Britania e Madhe, i cili ka moton “Sun Dial”.
Faza e dytë, që filloi me prezantimin e 5 projekteve, do të vazhdojë deri më 29 janar 2009 dhe do të përfshijë një veprimtari të gjerë si ngritja e një komiteti tekniko-shkencor me 5 anëtarë, të përbërë nga përfaqësues të Bashkisë së Durrësit dhe institucioneve të tjera, si dhe ato ndërkombëtare. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë, “detyra funksionale e këtij komiteti ka të bëjë me kriteret dhe procedurat e fazës finale për koordinimin dhe organizimin e 4 work-shop-eve që do të mbahen gjatë kësaj periudhe”. Në muajin nëntor do të ketë një takim me përfaqësuesit e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Institutit Arkeologjik dhe përfaqësues të institucioneve të tjera që operojnë në fushën e arkeologjisë. Në debat do të përfshihen edhe universitetet, organizatat joqeveritare dhe organizmat ndërkombëtare. Gjatë muajit dhjetor do të zhvillohen takime me përfaqësues të qytetit dhe shoqatat vendore. Ndërsa në janar të vitit 2009 do të ketë takime konsultuese me subjektet ekonomike që veprojnë në fushën e ndërtimit. Gjithçka do të përfundojë më 29 janar, ku juria do të shpallë edhe projektin fitues për rivitalizimin e sheshit “Iliria” në qytetin bregdetar. Të gjitha këto detaje janë sqaruar nga kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, i cili pohoi se “sheshi ‘Iliria’ është zemra e përhershme e qytetit; përfaqësuese dhe simbol, vendi publik kryesor i jetës kolektive”.
“Në të ardhmen Bashkia e Durrësit do të ndërmarrë realizimin e disa projekteve në kuadër të nismës sonë për një sezon të ri urban. Stafi i Bashkisë ka nisur punën për organizimin e një konkursi tjetër ndërkombëtar për ndërtimin e një Waterfronti në pjesën perëndimore të qytetit, që fillon nga porti detar deri në zonën e Currilave, apo edhe plane të tjera për rregullimin e strukturës urbanistike të qytetit të lashtë bregdetar.
PESË PROJEKTET E PARAQITURA
Projekti i studios italiane të arkitekturës “Ottopignatti Studio Associato” me moton “Con Shesh Temporary”. Kjo studio, me qendër në Romë, ka kryer shumë projekte sheshesh publike, porte dhe ndërtime të tjera në Romë, Verona, Peruxhia, Ankona etj.
Projekti me moton “Linea D’ Ombra” nga studioja e arkitekturës nga Portugalia, e quajtur "Da Arquitectos”. Kjo studio projektimi, me qendër në Lisbonë, ka eksperiencë në sheshe publike dhe godina banimi dhe drejtohet nga arkitektët Ivan de Sousa dhe Ines Antunes
Projekti me moton “Folding Studio", e studios së arkitekturës Michele Cro nga Roma. Kjo studio, e drejtuar nga Michele Cro dhe bashkëpunëtore me studion “Idea Verde”, ka punuar projekte sheshesh publikë dhe godina të ndryshme në Romë, Venecia, Barcelonë.
Projekti me moton “Suoli Sensibili”, i studios italiane të arkitekturës “Mascino e Agnoletto”. Kjo studio, që ndodhet në Venecia, drejtohet nga arkitektet Laura Mascino, Barbara Agnoletto, Giulia Lobba dhe Anna Paola Pola.
Projekti me moton “Sun Dial”, i studios së arkitekturës "3 W Architecture Limited nga Britania e Madhe. Kjo studio, që ndodhet në Londër, ka projektuar një sërë sheshesh dhe objekte private e publike në Londër, Bristol, Venecia, Dublin etj.
28 Tetor 2008