SHBA, 2 viktima nga uragani “Irene”

Dy persona kanë mbetur të vdekur deri më tani në SHBA, nga uragani “Irene”. Personi i parë një mashkull, ka vdekur si pasojë e goditjes nga një pemë, e cila është rrëzuar nga era e fortë. Ndërsa personi i dytë, ka vdekur si pasojë e atakut në zemër, nga i cili është goditur në momentin që po montonte panelet prej druri të dritareve të shtëpisë së tij në Karolinën e Veriut.
Ndërkohë moti i keq vijon të ndjehet edhe në New York, ku pjesa më e madhe e personave vijojnë të evakuohen. Në qytet shiu i rrëmbyer ka vijuar pa ndërperje për disa minuta. Uragani, i cili degradoi nga kategoria 2 në atë 1, po dobësohet lehtshëm me erërat që lëvizin me 136 kilometra në orë nga 160 kilometra që ishin më parë.
Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara vlerëson se “Irene” do të mbetet gjithësesi i rrezikshëm kur gjatë ditës së diel do të spostohet drejt veriut, përgjatë bregut të Atlantikut.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se deri tani, erërat e forta të uraganit kanë shkatërruar linjat e energjisë elektrike dhe se shtatë shtete nga Karolina e Veriut në Konektikat kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.