SHBA, 30 miliardë dollarë në 10 vjet luftë

Qeveria amerikane ka shpenzuar në dekadën e fundit 30 miliardë dollarë për kontrata me kompani të ndryshme për investime në Afganistan dhe Irak.
Kështu ka deklaruar një komision dypartiak që ka kontrolluar shpenzimet e luftës, i cili ka konstatuar gjithashtu besim të tepruar të qeverisë tek kontraktuesit, organizim të dobët të planeve, si dhe abuzime me shpenzimet.
Komisioni deklaron gjithashtu se ka prova për mungesë përgjegjësie dhe konkurrencë jo të ndershme.
Duke shkruar në “Washington Post”, autori i raportit paralajmëron se investimet në dy vendet mund të shkojnë dëm edhe pas përfundimit të misionit amerikan atje.
Mes shembujve të cituar është një burg 40 milionë dollarësh për Irakun, të cilin ky vend nuk e donte dhe që nuk ka përfunduar kurrë së ndërtuari.
Projektet e financuara nga SHBA në këto dy vende rrezikojnë gjithashtu të shkojnë dëm pasi qeveritë vendase nuk janë në gjendje ose nuk kanë vullnet për t`i mbështetur ato.