E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sofja zgjohet si në luftë

Autori i Lajmit: red.
Disa shpërthime të fuqishme në një depo për municion dhe armë kanë tronditur dje në mëngjes Sofjen, njoftuan policia bullgare dhe përfaqësues ushtarakë.

Shpërthimet janë dëgjuar rreth orës 06.30 sipas kohës lokale në një depo ushtarake në fshatin Çellopeçene, në periferi të Sofjes, ndërsa tani për tani nuk dihet nëse ka viktima.

Dëshmitarë pohojnë se nga shpërthimet e fuqishme janë dridhur banesat në pjesët lindore të Sofjes, ku janë thyer edhe xhamat e dritareve.

Gjenerali Zllatan Stojkov për mediat lokale deklaroi se shpërthimet kanë ndodhur në një depo për municion dhe barut të Ministrisë së Mbrojtjes, në fshatin Çellopeçene.

Sipas tij, janë evakuar të gjithë njerëzit që gjendeshin në afërsi dhe bëri të ditur se është vështirë të parashihet nëse do të ketë ende shpërthime.

Mediat bullgare bënë të ditur gjithashtu se në depot ka edhe 20 tonë trotil, duke mos fshehur edhe rrezikun real të shpërthimeve të tjera.

Ndërkohë, janë anulluar të gjitha fluturimet nga aeroporti i Sofjes, i cili ka qenë i mbyllur deri në orën 14:30, sipas kohës lokale.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Dijana Jankullova, lajmëroi se tani për tani s`ka të dhëna për viktima eventuale dhe se s`ka rrezik nga ndotja kimike.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›