E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-BE-OSBE: Të hidhet dritë mbi 21 janarin, hetim të pavarur

TIRANE – Tre ambasadorët më të rëndësishëm të akredituar në vendin tonë, ai i SHBA-së Aleksandër Arvizu , i BE-së Ettore Sequi dhe i OSBE-së Eugen Ëollfarth, pas një takimi të zhvilluar pa praninë e mediave, kanë publikuar edhe një komunikatë në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.

Ambasadorët theksuan nevojën e një hetimi të plotë, gjithëpërfshirës dhe të pavarur, për të hedhur dritë mbi ngjarjet e 21 janarit.
“21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë, me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan. Sërish, duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme"- thuhet në deklaratën e ambasadorëve.

Trojka e ambasadorëve thekson se sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE.

"21 janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave", thuhet në deklaratë.

Për këto arsye, theksojnë ambasadorët, "ne nxisim udhëheqësit politikë të Shqipërisë t’i japin përparësi interesave të vendit dhe atyre të qytetarëve të tij para çështjeve partiake dhe të përqendrohen që të punojnë së bashku mbi hapat konkrete që në mënyrë vendimtare ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e reformave në vitin 2012".

Ndër të tjera, ambasadorët shprehen mbështetje dhe besim të plotë për Prokurorinë shqiptare për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.

“Ne besojmë që zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë. Sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE.”- theksohet në deklaratë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›