E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, zbulohet vjedhja me certifikatat false

Zbulohen shkeljet që janë kryer nga pensionistët për përfitimin e pensioneve në mënyrë të padrejtë. 

Fabiola Çela

 Në një deklaratë për mediat drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, Ilir Goci, ka bërë publike të gjitha abuzimet që janë konstatuar si edhe dëmet financiare që janë shkaktuar si rrjedhojë e këtyre shkeljeve. Sipas tij, dëmi financiar i shkaktuar nga këto shkelje arrin shifrën e 314.5 milionë lekëve ose e thënë ndryshe çdo muaj, ISSH-së i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 2.5 milionë lekësh. Pas evidentimit të këtyre rasteve, ku pensionistët përfitonin pension në mënyrë të padrejtë Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka marrë një sërë masash si dhe largimin nga puna të atyre punonjësve që janë pjesë e këtyre shkeljeve.
Shkeljet
Vetëm pak kohë më parë ISSH-ja bëri publike 218 dosjet e përfitimeve të veçanta nga ish-punonjësit e nëntokës me vlerë 136 milionë lekë si dhe të 109 rasteve të përfitimeve afatgjata me vlerë 47.8 milionë lekë, të cilave u është bërë kallëzim penal. Ndërkohë, dje drejtori Goci publikoi edhe 418 raste të tjera me një dëm ekonomik që kap vlerën në total 314 528 280 lekë dhe me dëm mesatar mujor 2.5 milionë lekë. “Të gjitha këto raste rezultojnë si pensione të lidhura me certifikata false”, tha Goci. Përveç këtyre ISSH ka zbuluar edhe 8 raste të tjera flagrante, ku figurojnë persona të njëjtë, por me emra të ndryshëm, të cilët përfitojnë pensione në dy arka pagese të ndryshme. Pas kontrolleve të kryera nga specialistët e ISSH, ka rezultuar se ka pasur dy certifikata me të njëjtën fotografi, por me gjeneralitete të ndryshme.
Verifikimet
“Sipas verifikimeve që specialistët tanë kanë bërë pranë zyrave të gjendjeve civile, ku rezulton e lëshuar certifikata, figuron se njëri emër, pra njeri person, është i rremë dhe pagesa merret në mënyrë abuzive”, ka deklaruar Goci. Pasi kanë zbuluar këto shkelje ISSH, ka pezulluar dhënien e këtyre pensioneve si dhe ka larguar nga puna punonjësit që rezultojnë të jenë përfshirë në lidhjen dhe dhënien e këtyre pensioneve. “Tashmë të gjitha këto të dhëna i kanë kaluar Prokurorisë, e cila po vazhdon hetimet. Në kuadër të pastrimit të skemës kemi pushuar nga puna 30 punonjës, 14 prej tyre kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me pensionet, ndërsa 16 të tjerët janë larguar për lëshime vërtetimesh false si dhe për diploma false” kë theksuar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›