E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, Berisha: “Vatra”, 100 vjet në shërbim të kombit

29-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha në 100 vjetorin e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”: Ky jubile nderim për Vatrën, si vatër e dritës së kombit shqiptar, si vatër e shpresës së pashuar kombëtare  


Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja  etij, zonja Liri Berisha mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, i cili përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në Neë York, Vatra festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës. Me këtë rast u mbajt Konferenca Shkencore ”Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit” ku studiues të njohur të botës akademike shqiptare, paraqitën kumtesa, në të cilat ritheksohej roli i kësaj federate që nga arritja e saj thelbësore, themelimi i shtetit shqiptar, deri në këtë 100 vjetor. Në hapje të ceremonisë, kryetari i Federatës pan Shqiptare “Vatra” zoti Gjon Bucaj falenderoi me mirënjohje kryeministrin Berisha, i cili me prezencën e tij në një ditë të shënuar për Vatrën nderoi kujtimin e themeluesve të saj dhe të të gjithë atyre që me përkushtim dhe sakrifica  e mbajtën Vatrën përgjatë një shekulli në shërbim të kombit. Zoti Bucaj e cilësoi kryeministrin Berisha si një mik të madh të diasporës dhe një personalitet që ka kontribuar si askush tjetër në mbështetjen e diasporës. Më tej, zoti Bucaj theksoi se ky kremtim do të shërbejë si një frymëzim për vazhdimin e punës fisnike të Vatrës si dhe të përcjelljes së këtij misioni tek brezat që do të vinë. "Të parët e krijuan, shqiptarë të tjerë e mbajtën deri ditët e sotme dhe me atë idealizëm edhe këta ta përcjellin drejt së ardhmes", u shpreh ai. Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare  të Vatrës për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. “Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar", u shpreh kryeministri. Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare. Ai  vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që “Vatra” luajti në momentet më deçisive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli. Gjatë këtij aktiviteti, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian në fjalët e tyre iu lutën Zotit për të bekuar Shqipërinë, për të vijuar me këtë harmoni të shkëlqyer fetare dhe me patriotizmin që karakterizon shqiptarët, të cilët gjatë gjithë periudhës së historisë së tyre ndihmuan dhe bashkëpunuan në mënyrë vllazërore me njëri - tjetrin duke mbështetur njëri - tjetrin për të ruajtur gjuhën, kulturën,identitetin, pavarësinë. Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën edhe zëvëdës/kryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, Ministri Makolli, ambasadori Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë, të cilët iu referuan ngjarjeve historike  që nga  themelimi i Vatrës e më pas me pavarsimin e Shqipërisë, duke bërë një bilanc të këtyre 100 viteve dhe i njohën të pranishmit me disa momente kyçe, me kontributin që ka patur Vatra për çështjen e kombit, rolin dhe ndihmesën e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, ruajtjen e identitetit etj. Në fjalën e tij mbajtur në 100 vjetorin e themelimit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, kryeministri Berisha u shpreh: “Është një nder dhe privilegj i madh për mua, t’ju përshëndes ju sot në këtë 100 vjetor në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve, t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ditë të madhe për, ju diasporën dhe kombin shqiptar në tërësi.  Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar. Themeluan “Vatrën”, si vatër të dritës të kombit shqiptar, themeluan “Vatrën” si vatër të shpresës së pashuar kombëtare. Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal  Aleksin dhe Lambi Çikozin,  Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, “Vatrën”.  Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh  historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Nderojmë kontributin e madh dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që vatranët dhe diaspora  në këtë vend dha, për themelimin e Kishës Autoqefale shqiptare, si bastion i fuqishëm i besimit të shqiptarëve, atdhetarisë së tyre. Ne nderojmë këtu kontributin e atyre qindra e mijëra shqiptarëve që erdhën në këtë vend një shekull më parë, një nga vendet më të varfra të botës, ndanë kafshatën e gojës me vëllezërit e tyre në Shqipëri, ndanë gjithçka me qeverinë e sapo krijuar shqiptare, derdhën gjak si luftëra lirie për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë.  Ne nderojmë sot kontributin e madh, që "Vatra” dha gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që do të pushtohej nga fashistët. Qeveria e vërtetë  e saj ishte “Vatra”, e cila nuk rreshti për të bërë të gjitha përpjekjet dhe për të kontribuar për lirinë e shqiptarëve. Vatra dhe vatranët u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të proceseve demokratike në Shqipëri. Në një mbështetje të fuqishme  të përpjekjeve të shqiptarëve për liri në Kosovë, por sot është një ditë homazh e madhe për Vatrën dhe vatranët,  për të gjithë shqiptarët që gjatë këtij shekulli punuan në këtë vend të madh u shndërruan me punën e tyre, reputacionin e tyre, në një faktor të fuqishme të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy kombeve dhe dy vendeve tona të mëdha. Ne kremtojnë 100 vjetorin e Vatrës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kur vështrojmë  këto 100 vite, kanë qenë vitet, në të cilat kombi ka përjetuar drama dhe tragjedi të mëdha. Kanë qenë vite në të cilat kombi ka njohur pushtimet më të egra dhe diktaturat më mizore, por kanë qenë vite, në të cilat shqiptarët kanë bërë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kanë qenë vite, në të cilat në të gjitha momentet më kritike të ekzistencës së tyre, ata ia kanë dalë të fitojnë, sepse kanë pasur prapa mbështetjen e fuqishme, përcaktuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas shpalljes së pavarësisë, projektet dhe planet e fuqive të mëdha koloniale të asaj kohe ishin për të shuar nga harta politike e Europës  shqiptarët, por kështu nuk mendonin shqiptarët. Shqiptarët, kombi më i vjetër i rajonit, mendonin se ata duhet të kishin shtetin e tyre  dhe ishin të vendosur të luftonin dhe luftuan, sigurisht ndaj një konjukture botërore që synonte inegzistencën e kombit shqiptarë.  Beteja e tyre ishte e dëshpëruar, shqiptarët fituan, sepse presidenti i SHBA Ëillson, të cilin Noli do ta quante; “ky lis gjigand, në të cilin kombet e vogla ndërtojnë foletë e lirisë”, do të hidhte poshtë me përçmim ato klauzola të traktatit të Versajes,  që synonin zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës.  SHBA dha një kontribut të madh në ndërtimin e shtetit shqiptar, shkollat amerikane në Shqipëri u shndërruan në qendrat më të fuqishme të pregatitjes së inteligjencës teknike dhe në tërësi që duhet të vendoste Shqipërinë mbi bazat e dijes.  Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan  për liri dhe dinjitet në mënyrë të vendosur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët  shënuan njërin prej kapitujve më të ndritur të historisë së tyre kombëtare. Ata jo vetëm që nuk u treguan indiferentë ndaj barabarise më të madhe, që kohërat kanë njohur, Holokaustin  ndaj kombit hebre, por përkundrazi, bënë gjithçka që as edhe një qytetar i vetëm i këtij kombi, që ndiqej barbarisht nga nazistët, të mos u dorëzohej  atyre. Unë këtu po vij nga Uashingtoni, kryeqytet të cilin e kam vizituar shumë herë. Pata një takim të shkëlqyer me Sekretaren e Shtetit. Unë nuk ju them asgjë të re ju, tu konfirmoj se në çdo fjalë të saj ndihej dashuria dhe respekti për Shqipërinë dhe shqiptarët, gatishmëria e këtij vendi për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Më pas  patëm një ngjarje tjetër të madhe , ndofta promovimi më i madh që ju është bërë shqiptarëve ndonjëherë në ndonjë vend dhe kjo ishte  shfaqja e një filmi në muzeun e Holokaustit,  një nga filmat më mbresëlënës që unë kam parë në jetën time dhe jo vetëm  unë, por e gjithë ajo audiencë e nderuar, në të cilën miq të vertetë të këtij kombi, donin ti dëshmonin kombit amerikan, se një komb i vetëm në Europë, shqiptarët falë kodit të tyre moral të lartë, nuk dorëzuan as edhe një hebre tek nazistët. Se një mbret, i vetmi në Europë do të urdhëronte konsullatat e tij  do të urdhëronte pikat e kalimit të kufirit, lehtësoni hebrenjtë me të gjitha mundësitë tuaja dhe ky ishte mbreti Zog. Pas lufte ne përjetuam një nga diktaturat më të mëdha, por nuk është e rastit aspak vendimi i presidentit Truman për të ndihmuar shqiptarët, për tu çliruar nga diktatura komuniste. Ky burrë i madh i kombit amerikan përzgjodhi shqiptarët që ti ndihmonte që të dilnin nga diktatura. Në vitet ‘90 për fat të keq jo të paktë ishin ata të cilët mendoni se Shqipëria duhet të qëndrojë si “Kuba e Adriatikut” , eksperimenti më tragjik i socializmit, por këtë nuk mendonin shqiptarët, këtë nuk e mendonte qeveria e SHBA , e cila me valët e Zërit të Amerikës, u shndërrua në kushtimin, zërin e fuqishëm, apelin e madh të shqiptarëve, që të ngrihen për liri dhe dinjitet. Këto 20 vite janë vitet në të cilat shqiptarët pas luftërave të Skënderbeut dhe pavarësisë së Shqipërisë, kanë arritur realizimet më të mëdha. Qeveria e SHBA ndihmoi Shqipërinë dhe shqiptarët të ndërtojnë demokracinë  e tyre. Presidenti  George  Bush i vendosi linjën e kuqe kasapit të Ballkanit në Kosovë, linjë të cilën do ta mbante Klinton.  Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në luftën për çlirimin e Kosovës. Presidenti George Bush bëri gjithçka, që Shqipëria të anëtarësohej në Aleancën e Atlantikut të Veriut  dhe të kishte të garantuar sigurinë e vet për jetë.  Presidenti George Bush udhëhoqi përpjekjet për  shpalljen e pavarësisë së Kosovës  dhe  Presidenti Barak  Obama, Sekretarja e Shtetit Clinton, mbështesin fuqishëm  Shqipërinë dhe Kosovën, në rrugën e tyre të ndërtimin e lirisë dhe vlerave të demokracisë. Në të gjitha këto vendime të mëdha të kombit amerikan, të qeverisë amerikane, të cilat natyrisht kanë në bazë parimet dhe vlerta themelore mbi të cilat është ndërtuar ky vend dhe ky  shtet, ju vatranë, diaspora shqiptare ka rolin e saj të madh dhe të jashtëzakonshme.  Ju bëtë gjithçka që çështja e shqiptarëve, problemet e tyre të drejta, të shndërrohen në probleme të mendjes dhe zemrës së qeveritarëve dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju duhet të ndiheni krenarë dhe shqiptarët janë krenarë me ju, për kontributin tuaj historik dhe të jashtëzakonshëm. Sot është një ditë homazhi e madhe për të gjithë diasporën shqiptare në këtë vend, e cila ka shpalosur këtu gjeninë krijuese të kombit shqiptarë.  Ne të gjithë sa jemi këtu ndihemi krenarë me arritjet e shqiptarëve në SHBA. Nga nobelistë siç është profesor Ferit Murati, tek artistë dhe personalitete të shquara  të Hollivudit si vëllezërit Belushi, Eliza Dushku, Stend Dragoti, drejtues të suksesshëm  korporatash dhe biznesmenë që bënë emer si Antonia  Thanas etj. Fotografi i pavdekshëm Xhon Mili, gazetarë të mëdhenj  si Bill Kovach, Pier Lukas. Askund më shumë në asnjë vend tjetër gjenia krijuese e shqiptarëve nuk ka arritur sa çka arritur në këtë vend të lirë. Dhe njëherë ju uroj ju dhe përulem me mirënjohje të madhe për gjithë kontributin  që ju keni dhënë. Do t’ju rrëfej një gjë,  nuk ka gjë  më të dhimbshme kur sheh bashkatdhetarët e tu, që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhimbje për ata që vijnë në SHBA, sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh, ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe, sepse në këtë vend të madh, ata faktojnë  atë miqësi dhe bashkëpunim me SHBA që ka pasur dhe ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe Kosovën , sepse në këtë vend të madh ata kanë të gjitha mundësitë që të shpalosin gjeninë e tyre në të gjitha fushat.  Këto ditë janë dy shqiptarë që garojnë këtu në metropolin e botës për  parlamentarë Ken Biberaj dhe Mark Gjonaj. Dhe njëherë vëllazërisht ju uroj gëzuar këtë ditë dhe ju shpreh mirënjohjen time më të thellë, për gjithçka ju keni bërë për Shqipërinë, shqiptarët, Kosovën dhe mbarë kombin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›