Jahjaga mund të kthejë në kuvend Kodin Penal për përgjegjësinë e gazetarëve

Presidentja e Kosovës do të kërkojë riformulimin e dy neneve të kontestuara fuqishëm
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë javës së ardhshme do t`ia kthejë Kuvendit Kodin Penal dhe do të kërkojë riformulimin e dy neneve të kontestuara, me numrat 37 dhe 38 që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e gazetarëve dhe nxjerrjen e burimeve të informacionit.
“Presidentja nuk do të kërkojë heqjen e tërësishme të neneve 37 dhe 38. Përgjigjja e Jahjagës është që ato nene të riformulohen”, ka thënë një zyrtar i Presidencës, i cili nuk ka pranuar te identifikohet.
Ndërkohë, Presidentja gjatë javës së kaluar ka takuar përfaqësuesit e gazetarëve, të cilët i kanë kërkuar të rikthejë Kodin Penal në Kuvend.
Nuk janë vetëm gazetarët që kanë bërë presion mbi Presidenten. Zyrtarë të Presidencës kanë thënë se edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë i kanë kërkuar Jahjagës që të rikthejë Kodin në Parlament dhe të kërkojë qartësimin e neneve që kanë të bëjnë me mediat.