E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tri arsyet për centralin atomik

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka konkretizuar më shumë idenë e ndërtimit të një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të bashkohen me qëndrimin e tij. Dita e dytë e forumit Krans Montana ka nisur dje me fjalën e Kryeministrit Berisha, i cili pasi përmendi rritjen ekonomike të vendit dhe mundësitë që ofron për investime të huaja si rrjedhojë e lehtësive fiskale, u përqendrua te projekti gjigant i ndërtimit të centralit bërthamor. "Jemi të hapur për centralet bërthamore dhe po bashkëpunojmë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë", tha Berisha. Duke e parë si mundësi të madhe për sigurimin e energjisë elektrike, jo vetëm për konsumin e brendshëm, por edhe për import drejt vendeve që kanë nevojë, kreu i qeverisë shqiptare paraqiti arsyet ose më saktë avantazhet që sjell kjo vepër nukleare.

Arsyet

Qeveria shqiptare ka nisur negociatat me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Sipas kreut të qeverisë, "negociatat kanë nisur me synim përgatitjen e një kuadri ligjor". Për palën shqiptare janë duke negociuar, përveç ekspertëve të qeverisë, edhe Akademia e Shkencave, e cila që prej tre muajsh ka nisur takimet me drejtuesit e Agjencisë në Vjenë të Austrisë. Këto fakte janë konfirmuar edhe nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në fjalën e mbajtur në Forumin Ekonomik të Krans Montanës, ku nuk mungonin përfaqësues nga shoqëritë e mëdha të sektorit të energjisë, theksoi rëndësinë që ka siguria e energjisë elektrike nga centralet atomike. Arsye kryesore për ndërtimin e një centrali bërthamor është pa dyshim garancia që jep për furnizim të rregullt me energji elektrike. Madje, kapaciteti prodhues i tij garanton eksport drejt vendeve që kanë vështirësi të sigurimit me energji. E në fakt, rajoni i Ballkanit do të përballet brenda dekadës së ardhshme me kriza të mungesës për gjenerimin e energjisë elektrike. "Sapo të jetë gati kuadri ligjor, ne do të fillojmë negociatat me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi në përpjekje për të hartuar një projekt të përbashkët, sepse mendojmë se ky duhet të jetë burimi më i qëndrueshëm i energjisë", u shpreh kryeministri. Arsyeja tjetër lidhet me faktin se përbën avantazh për vendin tonë, pasi ndërtimi i TEC-it, siguron të ardhura të konsiderueshme në buxhet, jo vetëm nga eksporti, por nga ndërtimi i korridoreve të shumta transporti, duke sjellë kështu më shumë investime të huaja. Ndërsa arsyeja tjetër lidhet me impaktin në mjedis. Ekspertët pranë Këshillit të Ministrave mendojnë se energjinë elektrike më të pastër e garanton ndërtimi i centralit bërthamor.

Aprovimi

Ruli: Më pëlqen ideja e centralit atomik

Kështu e ka mbyllur dje padite sesionin e tretë të diskutimeve në forumin ekonomik të Krans Montanës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Pasi u fol gjatë për të ardhmen e sektorit të energjisë në përgjithësi, ministri Ruli konkludoi duke u shprehur pro centralit bërthamor në Shqipëri. Konstatimi erdhi nga një pyetje e bërë nga të pranishmit, i cili kërkoi nga ministri fushatë prioritare nga ku mund të gjenerohet energji elektrike. "Energjia elektrike nga era është një variant i mundshëm për të shtuar burimet alternative të prodhimit, por vendi ynë nuk ka kapacitetin e duhur për të tilla projektesh. Po ashtu dhe TEC-et me naftë e qymyr, përveçse kanë kosto të lartë financiare, ndikojnë negativisht për ambientin. Ndërsa për ndërtimin e hidrocentraleve, llogaritë duhen bërë mirë në mënyrë që investimi të rezultojë me leverdi", tha Ruli. Nisur nga kjo, pyetja direkte që iu bë ishte, "Keni interes të ndërtoni një central atomik për prodhimin e energjisë së bashku me vendet e rajonit?". Ruli përgjigjet, "Do të më pëlqente ideja".

AKB-ja:

Vitin tjetër, me program bërthamor

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në varësi të Ministrisë së Energjetikës konfirmoi planin e qeverisë për ndërtimin e centralit bërthamor. "Vitin e ardhshëm do të hyjmë në një program bërthamor rajonal në të cilat do të diskutohen mundësitë për krijimin e projekteve konkrete nukleare".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›