E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Ligji të rikthehet në Kuvend

Partia Socialiste kërkon kthimin për diskutim në Parlament të ligjit për procedurat tatimore dhe për falimentin. Kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, vlerësoi se ekspertët dhe biznesi duhet të kenë mundësinë të kontribuojnë për to, që ligji të zhvishet nga pushteti absolut dhe abuziv që u jepet tatimeve. Sipas saj, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që anuloi nenin antikushtetuese në ligjin për tatimet është një fakt i rëndësishëm. "Konkluzioni i ekipit të FMN-së se marrëdhëniet me biznesin janë përkeqësuar, vlerësimi i Bankës Botërore për ambientin e rënduar të biznesit, reagimi i përsëritur i të gjitha shoqatave të biznesit janë dëshmi e mungesës së reflektimit nga qeveria dhe shumica parlamentare", theksoi Leskaj. Partia më e madhe e opozitës i konsideron këto ligje shumë të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse përfaqësuesit e saj në Komisionin e Ekonomisë kanë kërkuar që të kishte më shumë kohë për diskutim. "Ne kërkuam që biznesi të konsultohej për këtë ligj të rëndësishëm, kjo edhe për faktin që projekti i ardhur nga qeveria ka pësuar shumë ndryshime në Komisionin e Ekonomisë", u shpreh Leskaj. Ligji për tatimet, sqaroi Leskaj, i jep drejtorit të Tatimeve rolin e konfiskuesit, duke i dhënë kështu funksione të institucioneve të tjera si të prokurorisë, gjyqësorit apo të përmbaruesit. "Pa u ndalur në gjithë problemet që ka ligji, mendojmë se ai përkeqëson mjedisin e biznesit, siç rezulton edhe nga raportet e fundit dhe konkretisht nga ai ‘Doing Business‘", konstatoi Leskaj. Grupi parlamentar i PS-së vlerëson se cilësia e dobët e ligjeve, fryma e një legjislacioni kryesisht penalizues që rrit abuzivitetin, shkalla e lartë e korrupsionit e administratës fiskale, dëmtojnë rëndë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Zhurmë të pabazuar në argumente e ka cilësuar kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, deklaratën e kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj për kthimin e ligjeve "Për procedurat tatimore dhe falimentimin". Gjatë një konference për shtyp, pak minuta pas asaj të Leskajt, deputeti i PD-së, tha se "ligji i procedurave tatimore është përgatitur në një proces 16-mujor nga ekspertët, me ndihmën e USAID-it, dhe në kuadrin e programit ‘Millenium Challenge Coorporation‘". Ligji, tha Spaho, është konsultuar për 6 muaj me radhë dhe ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. "Ligji për falimentimet është një ndër kërkesat më të rëndësishme e detyrat më madhore për krijimin e klimës së favorshme të biznesit në Shqipëri. Na vjen habi, ka vijuar ai më tej, nga qëndrimi i opozitës, pasi ligji për falimentimin është votuar në komision në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke marrë votat pro të të gjithë deputetëve socialistë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›