E Diel, 1 Nëntor 2026

Naftësjellësi AMBO, drejt dështimit

Projekti amerikan për ndërtimin e naftësjellësit AMBO duket se do të mbetet në letër për një kohë të gjatë. I iniciuar që prej 10 vjetësh, naftësjellësi që shtrihet nga Bullgaria e deri në Shqipëri, nëpërmjet Maqedonisë, duhet të kishte filluar punimet prej kohësh, por vonesat e shumta për ratifikimin e marrëveshjes mes tri vendeve pjesëmarrëse, si dhe rritja e çmimit të lëndës së parë, çeliku, kanë detyruar organizatorët e projektit ta shtyjnë vit pas viti. Dje ishte rasti më i mirë për të mësuar mbi fatin e projektit gjigant, pasi në Forumin Ekonomik të Krans Montanës, në sesionin për "Zhvillimin Energjetik", mbajti fjalim dhe presidenti i projektit, Ted Ferguson. Në fjalën e tij, Ferguson nuk përmendi asnjë shifër konkrete ose afat se kur mund të fillonin punimet, por iu përkushtua rëndësisë që ka naftësjellësi, i cili hap rrugë zhvillimi për tri vendet ku shtrihen tubacionet. Ferguson në disa raste u duk i paqartë kur fliste për gjurmët e projektit, duke u dhënë përparësi linjave të gazsjellësit, atyre ekzistuese dhe rrugëve të reja nga ku do të kalojnë tubacionet. Pasi bëri një ekspoze për mungesën e avantazheve që ofrojnë kanalet turke për transportimin e naftës, presidenti i AMBO-s vuri në dukje problemet që po hasen me koston totale të projektit. "Duhet të rinisim negociatat për përcaktimin e normës së fitimit. Si investitorët ashtu dhe transportuesit nuk e kanë të qartë për nivelin e normës së fitimit, e për këtë qeveritë duhet të bien dakord", tha Ferguson dje pasdite. Më tej, Ferguson theksoi faktin se në 6 muajt në vijim, do të punohet në disa drejtime lidhur me përllogaritjet dhe studimet, si dhe për planin ekonomik dhe financiar, kostot e transportit, impaktet mjedisore dhe sociale etj. Sipas tij, nafta që do kalojë përmes vendit tonë mund të tregtohet për vendet e detit Mesdhe, por edhe në SHBA, pasi ka interes për naftën bruto të papërpunuar. "Kostoja për ndërtimin e naftësjellësit po ndryshon çdo herë e më shumë, po ashtu dhe çmimi i naftës, e për këtë arsye, duhet të bëhen negociata mes qeverive, në mënyrë që të arrihet në një përfundim pozitiv", përfundoi Ferguson. Sipas projektit, naftësjellësi transballkanik AMBO do të ketë gjatësi prej 913 kilometrash dhe kapacitet 750 mijë fuçi naftë në ditë, ndërsa përfitimet për Shqipërinë konsiderohen deri në 50 milionë dollarë në vit, të ardhura shtesë. Tubacioni nis nga Burgasi, port detar në Detin e Zi të Bullgarisë dhe do të përfundojë në bregdetin shqiptar të Adriatikut, por jo në Portin e Vlorës, sikurse u mendua më parë. Nafta që do të përshkojë tubacionet AMBO, do të sigurohet nga vendet rreth Detit të Zi si Azerbajxhani, Kazakistani dhe Turkmenistani, ku aktualisht punojnë disa prej kompanive më të mëdha energjetike amerikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›