E Diel, 1 Nëntor 2026

AGRON TUFA “Kush pret nga letërsia të zgjidhë historinë, është i pashpresë e Don Kishot”

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Agron Tufa, një nga përfaqësuesit e letërsisë së re shqipe rrëfen në një intervistë për “BALLKAN” pasojat që la mbi letërsinë diktatura dhe se si sot, ata...të djeshmit po mundohen të ndryshojnë ngjyrë si kameleoni, si qenie “të përshtatshme” me ideologjinë e çdo kohe dhe sa mund ti shpëtojë kjo përpjekje për të kuruar imazhin e tyre publik.

-Sa e pavarur është letërsia nga sistemet shoqërore dhe politike? Parimisht, a mundet që ti shpëtojë ajo kornizave ideolgjike të kohës? Sa ka arritur letërsia shqipe ta bëjë këtë konkretisht?
Letërsia është një koncept i gjerë; është vështirë të shterrohet me një përkufizim. Sistemet shoqërore/politike mund dhe smund të kenë marrëdhënie me letërsinë, pa qartësuar se me çfarë lloji të letërsisë kemi punë. Po marr rastet kur letërsia ska punë me sistemet shoqërore dhe politike. Tema të caktuara të lirikës apo prozës që u kthehen përjetimit të kategorive të përjetshme metafizike të dashurisë, kohës, mallit, përjetësisë, jetës apo vdekjes. Letërsia mund ti abstragoje aspektet shoqërore dhe politike, duke mos u konfrontuar direkt me ta, e megjithatë të gjejë një plan të saj të ekzistencës, duke u kredhur në mite, në fantastikë, në vizione, në estetizëm të kulluar të objektit, jashtë temave tabu të ideologjive utilitare. Një ndër këto forma të mbijetesës së letërsisë në diktatura ka qenë alegorizmi, i cili ka punuar me zgjuarsi në planet e dyta dhe të treta. Një manual didaktik, se si mund ta thuash të vërtetën në letërsi edhe në kohë diktaturash, është eseja e Bertold Brehtit “Pesë mënyrat se si mund të thuhet e vërteta”, duke pasë parasysh rregjimin e Rajhut të Tretë. Mënyrë tjetër pastaj, është ajo e moskomunikimit me lexuesin, pa hequr dorë nga shkrimtaria: të shkruash për vete, për sirtarin, me shpresë se të vërtetat e tua në letërsi, herëdokur do të dëshmojnë. Rasti i poezive të Zef Zorbës e dëshmon këtë. Letërsia shqipe përgjithësisht ka ndjekur rrugën e konformizmit, përshtatjes dhe bashkëpunimit me ideologjinë dhe dogmën zyrtare, prandaj edhe ka paguar haraçin e rëndë duke u vetëndëshkuar me harresë ose indiferencë. Përfundimisht nuk gjen më lexues që ti zënë me dorë veprat e socrealistëve. Ka patur raste të konfrontimit të hapur me ideologjinë, por kjo i ka çuar shkrimtarët vetëdijshëm drejt pushkatimit, dënimit, internimit dhe një kalvari të mundimshëm. Mjafton të kujtojmë ca episode në qëndrimin e poetëve Trifon Xhagjika, Vilson Bllozhmi, Genc Leka, Havzi Nela dhe akoma më fort, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina. Sigurisht duhet të ketë emra të tjerë. Ka dhe autorë të cilët kanë arritur të “shkasin” nga kthetrat e vigjilencës ideologjike, falë inteligjencies së tyre, por për vetë natyrën gjakatare të stalinizmit shqiptar, letërsia e shkruar gjatë sundimit komunist në pjesën më të madhe nuk u shpëton kornizve ideologjike. Për të, në mënyrë metaforike mund të shpreheshim, se ajo mbeti peng i ngushticës mitike midis Skyllës dhe Karibdës. Nuk e kaloi ngushticën, me përjashtime të pakta.

-Jo rrallë, ballafaqimet e fakteve të ofruara prej letërsisë, lexuesit i marrin si pjesë të vërteta, të qenësishme të historisë, anashkalojnë trillin, kur është fjala për realitete jo personale por ndërpersonale. Ne fakt, deri ku shkojnë kufijtë e respektimit të së vërtetës dhe ku fillojnë kufijtë e të drejtës për të zhbëre botën artistikisht?
Kjo ka të bëjë me marrëzinë e llojit të lexuesve, ose me shkallën e emancipimit të tyre. Ai recepient që pret nga letërsia të zgjidhë problemet e historisë, të filozofisë apo shkencave të ndryshme, është budalla i pashpresë dhe Don Kishot në kuptimin negativ të fjalës. Nuk duhet të ngatërrohet bota e trilluar me botën e njëmendtë. Letërsia ofron një botë të propozuar, alternarive, vetëmse nëpërmjet imazheve alegorike të estetizuara, por nuk duhet marrë si instancë e së vërtetës. Sepse është njësoj si të marrësh seriozisht e në kuptimin tekstual shprehjet frazeologjike. Marrim, për shembull, një shprehje të tillë që e dëgjova në Dibër: “Ka hy leku ngojë tgjarpnit”. Ata që kërkojnë shpalljen e të vërtetës taze nëpërmjet romaneve janë të ngjashëm me njeriun hipotetik, që i vihet punës menjëmend të kërkojë lekun në gojën e gjarprit. Letërsia nuk shërben si indeks apo orientim për kapjen në “flagrancë” të të vërtetave; ajo jep gjasa të një varianti imagjinar të historisë, versionit se si mund të ketë ndodhur një histori. Këtë gabim naiv e të trashë bënë alamet burrash, studiues, kritikë letrarë, politikanë e filozofë ku diskutonin në studio mbi rëndësinë e romanit të Ben Blushit (“Të jetosh në ishull”), si ndihmesë në zbardhjen e enigmave historike. Për një historian apo lexues që kërkon të dijë mbi historinë, burime të qarta janë arkivat, tekstet e historianëve apo dokumentet, por kurrësesi veprat letrare, trillimi artistik.

-Duke qendruar tek ky raport, pikërisht për këtë arsye edhe është futur në siten e gjykimit letërsia shqipe e periudhës së viteve të socializmit. A tha të verteta kjo letërsi? Dhe a është e rëndësishme (interpretimi i realitetit) për të matur vlerat e saj?
Ato të vërteta që mund të thonin shkrimtarët e kësaj periudhe, nuk u thanë. Asnjëherë. As me gjysmë zëri. Kemi përgjatë një gjysëm shekulli një realitet të papërjetuar, të mbetur jetim. Në vend të përballjes me këto të vërteta, shkrimtarët socrealistë sajuan gjithfarë romantizmash skizofrenikë, sipas skemës së heroit pozitiv, njeriut të ri, apo si e ka thënë Kasëm Trebeshina: “Një i mirë, një i keq, një që ndreqet”. Por për pesëdhjetë vjet këta shkrimtarë-simulantë të trëndafiltë të realitetit socialist, kanë bërë një mashtrim të madh me Kohën, dhe manipulimi me të vërtetat e Kohës së tyre është amoraliteti më i madh. Tani kur ajo kohë ka kaluar, kemi ndonjë përpjekje të vonuar për të risjellë sot përjetimet e realeve të diktaturës, më tepër nga dëshira për të fituar një status koniuktural, apo për të kuruar paksa imazhin në publik, se sa nga sinqeriteti. Këta me ngjajnë me ata tipat që kanë parë një film para tridhjetë a dyzetë vitesh dhe përpiqen të na e tregojnë tani. Torturojnë veten me iluzione dhe na torturojnë dhe ne me sikletin e tyre.
Sa për “sitë” vlerash të kësaj letërsie, unë jam shumë skeptik. Nuk ia vlen të rrëmosh në plehra me shpresën mos gjen ndonjë monedhë argjendi. Unë e njoh mirë produktin letrar të asaj periudhe. Ata pak autorë që kanë mundur të ngrenë një sistem vlerash, janë përjashtim. Të gjitha veprat, jo vetëm letrare, por dhe në kinematografi, pikturë etj, kanë një frymë të flligësht e përverse, nivelë tejet të dobët, skematik, janë të gjitha veprat – nëse i referohemi kolanave të zgjedhura “seria e romanit të zgjedhur” (srz) dhe “seria e tregimit të zgjedhur” (stz) – janë papërjashtim paralele të shëmtuara të letërsisë më të keqe sovjete. Në fakt po punoj për evidentimin e saktë të këtyre sozive paralele nga socrealizmi stalinist, ngase i njoh mirë.

-Midis metodës së realizimit socialist dhe ndërgjegjes krijuese, ka një përplasje formale në krijim apo esenciale?
Përplasja është esenciale. Realizmi socialist ose refuzohet, ose po e pranove, do të pranosh gjithë “dekalogun e turpit” të tij, pikë pas pike, që së mbrami, të bëhesh jo më artist, por shërbetor dhe demagog.
vazhdon

Në vend të përballjes me këto të vërteta, shkrimtarët socrealistë sajuan gjithfarë romantizmash skizofrenikë, sipas skemës së heroit pozitiv, njeriut të ri, apo si e ka thënë Kasëm Trebeshina: “Një i mirë, një i keq, një që ndreqet”

Letërsia e komunizmit, pleh ku svlen të kërkosh monedha
(vazhdon)

-Letërsia e pas 90-s është një vazhdimësi e natyrshme e letërsisë së zhvilluar në totalitarizëm apo është një shkëputje, një kapërcim dhe në çfarë sensi do ta shihnit këtë?
Është diçka tjetër, nëse flasim si brez. Vetëdija dhe instrumenti i ligjërimit janë krejt të ndryshme. Mjafton të lexosh tekstet. Por termi sikletosës “letërsia e pas 90” është një nocion i papërcaktuar, ngase në këtë hapësirë vazhdojnë të shkruajnë edhe brezi i Agollit, edhe brezat e tjerë, edhe të ndaluarit, të përjashtuarit, letërsia e burgjeve etj. Unë kësaj periudhe i jap kuptimin e atij brezi, që hyn në letërsi duke botuar veprat e para të rinisë në këto vite të apostrofuara. D.m.th., brezi im. Çfarë lidhje kam unë me brezin e viteve 60, 70? Ndoshta, me përjashtime të rralla, vetëm marrëdhënie përjashtuese dhe alergjie të thellë.

-Duket se është krijuar një hendek brezash dhe mentalitetesh në letërsinë shqipe. A është një kontradiktë që zhvillohet brenda hapësirës që vetë koha imponon si në çdo gjë tjetër, apo nuk është kaq e natyrshme dhe kaq e justifikuar përmasa e kësaj kundërvënieje?
Thjesht është kohë tjetër, mentalitet tjetër, liri tjetër. Çdo brez përballet me detyrat që i shtron koha dhe detyrat kanë shkallë të ndryshme vështirësie në kohë të ndryshme. Heroika e përballjes me detyrën përbën thelbin moral të krijuesit në çdo kohë. Kundërvënia ka të bëjë me refuzimin dhe me mungesën e qëndresës së atyre brezave, të cilët mundohen të shfajësohen se ishin ëndërrimtarë, idealistë. Po kur ishin të tillë, pse krijuan një letërsi aq të pistë? Haraçin e vuan gjuha. Dhe gjuha, procedimi me të është shkaku i kundërvënies, aq sa kam përshtypjen se u përkasim civilizimeve radikalisht të ndryshme. Tek gjuha janë të tretura të gjitha mençuritë e botos, thotë Hajdegeri. Kurse për ta u pa se tek gjuha, kishin qenë të tretura gjithë servilizmat e botës. Gjuha është qenia, e strukturuar me vetëdijen, ndjeshmërinë dhe temperamentin. Gjuha dhe qenia ne na ndajnë.

-Midis së drejtës për të krijuar botë të tjera dhe detyrimit për të respektuar ca të vërteta të përbashkëta, a mundet që të flitet për një kod moral të shkrimtarit? Pra, a ka një kod moral për këtë profesion?
Mendoj se po, porse është moral artistik. Ne nuk mund ti quajmë shkrimtarë pa moral Markizin dë Sad apo Leopold von Sacher-Maschoh, për shkak se në veprat e tyre ata shkruajnë për gjëra të tabuizuara dhe jashtë moralit të përgjithshëm të edukatës shoqërore. As kinemanë e Pjer Paolo Pazolinit, të Tinto Brassit apo të Kuentin Tarantinos nuk mund ta quajmë të amoralshme. Morali qëndron në autenticitetin e botrave origjinale që krijon artisti, në ligjësitë e këtyre botërave të propozuara, në koherencën dhe kohezionin e tyre. I vetmi moral i shkrimtarit është të mos pranojë moral tjetër jashtë vullnetit të natyrshëm që i dikton urdhri i brendshëm. Përndryshe, mbaron arti dhe fillon moralizimi, i cili është amoral.

-Një studiues, historian, një ditë na tha: Ka autorë që shkruajnë letërsi dhe pretendojnë se me rrëfimin e tyre kanë thënë të vërteta historike, pra i servirin sit ë tilla. Pastaj, kur vjen kundërpërgjigja se e vërteta nuk është e tillë, atëherë dalin e thonë se kjo është letërsi dhe nuk është histori që ti qëndrojë përpiktazi realitetit. Cfarë komenti keni për këtë akuzë prej historiani?
Kjo është puna e lexuesit. Unë mund të tallem, madje mund ta kem në strategjinë time ti bëj lëmsh faktet historike. Thjesht mund të tallem me çdo gjë, ta kthej kokëposhtë. Por koston e vuaj vetë. Lexuesi duhet të dijë çfarë pret kur merr të lexojë një roman. Përndryshe atij, nëse i dhimbset fakti historik, le ta hedh në gjyq autorin, i cili nga ana e tij do të mbrohet: epo ishte trill, fiction artistik, jo vepër studimore. Vigjilenca i takon lexuesit, i cili, ashtu siç bëjmë me pultin e televizorit, “ndërron kanal”.

-A po merret letërsia e sotme me temat e mëdha apo nuk ka tema të mëdha dhe të vogla? Duket se e sotmja joletrare është shumë e vështirë të shndërrohet në diçka letrare. Ku është ngërci? A ka faj koha, shoqëria që në një periudhë të caktuar nuk prodhon dot letërsinë e mirë? Në fakt, a bëhet letërsi e mirë sot brenda Shqipërisë? Nga ta dallojmë? Cila është “vula në ballë”?
Ka letërsi të mirë ose letërsi të keqe, por jo tema të mëdha apo tema të vogla. Mua nuk më rezulton asfare se sot nuk po shkruhet për përditshmërinë tonë. Temë “e madhe” në letërsi është edhe një syzhet që rrëfen “vdekjen e një mize”, apo zbardhjen e një dite të zakonshme, të ngrysur, me shi. Ekzistojnë vepra letrare shumë të mira, por ka lexues të ngathët, sikundërse dhe situata e urave me librin është diskomunikative. Letërsia jonë e pas 90 nuk njihet. Letërsia që bëhet sot në Shqipëri është shumë më e mirë se çdo nivel letrar i socrealizmit. Mos përtoni, bëni krahasime, nëse dini të veçoni nga kaosi i botimeve të sotme, ata që janë shkrimtarë. Nuk e di cila është vula, por prapë, mendoj se është origjinaliteti, siç ka qenë në të gjitha kohërat.

-Sot shkruajnë libra me kujtime në formë të ditareve dhe të librave artistikë ish-të persektuar, komunistë, të rinj që nuk përfaqësojnë asnjë prej dy grupimeve të mësipërme, emigrantë dhe të gjitha këto kategori shoqërore sjellin letërsi me një përmbajtje tjetër. Çfarë e konsideroni këtë hambar botimesh që pretendojnë po aq të thonë të vërteta krahas librave të “licencuar” si historikë?
Midis kësaj morie ka libra vërtet interesantë. Unë e adhuroj zhanrin e memuareve, sepse më ndihmon nëpërmjet subjektivizmit dhe përjetimit autorial, të mbërrij dhe përkap një kohë, një epokë, një koniukturë që se kam jetuar. Sigurisht, ai që është i interesuar e bën diferencimin dhe seleksionin. Më mirë që ka, se sa fare pa të. Kam lexuar ditarin voluminoz prej 1200 faqesh të Prenk Grudës, që nga koha kur ky ishte drejtor i normales së Elbasanit. Deri në vitet 50 në emigracion, unë kam kaluar përmes syve të tij një udhëtim asociativ të habitshëm. Varet se çfarë kërkon tek kjo letërsi e dokumentit, por padyshim ajo është e një rëndësie të veçantë, pavarësisht se nuk ka kush kujdeset për vlerat, që të mund ti përmblidhte në një kolanë (siç pata bërë përpjekje vetë me kolanën “Ad Memorandum”).

-Të vërtetat e diskutueshme, për të cilat shkrimtari mund të jetë i lëkundur, a është më mirë ti lërë jashtë trajtimit, apo duhet ti trajtojë bashkë me dyzimet e tij?
Të vërtetat janë vetëm artistike. Nëse me letërsi shkrimtari përpiqet të ngulisë të vërteta të një natyre tjetër, më mirë ta lërë letërsinë. Sepse kur lexoj një vepër letrare, nuk kërkoj prej saj asnjë të vërtetë tjetër, përveç magjisë dhe sugjestionit artistik.

-Çfarë lloj letërsie shkruhet sot nga shkrimtarët e karrierës dhe nga ata të viteve 90? Ku qëndron ndryshimi? Çfarë lloj rryme është më në modë?
Pak a shumë peisazhi letrar është i qartë. Mbizotërojnë tipologjitë e romanit realist me poetika mikste, romani eklektik me një miksturë heterogjene tekstesh, kolazhi dhe citati përbëjnë teknikat narrative. Më dendur ndeshet introspeksioni, kujtesa kthehet si astar xhakete, rrëmohet nga të gjitha anët për tiu avitur momentit të thyerjes psikologjike, traumës, pra mund të themi se kërkimet janë përqendruar në një farë tipi të romanit të “diagnozës”. Ndodh rrallë dhe romani psikologjik i sintezës, dhe fare rrallë, romani-tezë. Poetika e autorëve të rinj është përqendruar me shpleksjen e miteve të përditshmërisë, të realiteteve dhe të romanit intelektual. Ndryshimi midis shkrimtarëve të karierës qëndron në shqetësimin e të parëve që nguten të fusin elementë ekzotikë, truke moderniste e postmoderniste, në kundërshtim me veprat e mëparshme, ndërsa brezi i viteve nëntëdhjetë shkruan një lloj proze me intime, më të çinteresuar nga truket stilistike. Mendoj se shkruan një letërsi më afër vetes dhe më cilësore si tekst. Kam parasysh romanet dhe tregimet dhe novelat e Romeo Çollakut, Arian Lekës, Virion Graçit, Ardian-Christian Kyçykut, Ramiz Gjinit, Balil Gjinit, Petrit Nikës etj. Te ky brez kemi një zhvendosje të ngadaltë nga poezia tek proza. Shumë poetë si Gentian Çoçoli, Parid Teferiçi, Alket Çani, Çelo Hoxha etj, kryejnë një mision të vërtetë përkthimor me shqipërimin e poetëve më të rëndësishëm të shekullit XX, një detyrë të cilën e kanë filluar që herët. Konteksti letrar i këtij brezi është shumë më pranë ajrit letrar dhe frymës bashkëkohore, pa u tërhequr nga ekzotikat dhe koniukturat e përkohshme.

-Na thoni 5 autorë vendas dhe 5 të huaj të letërsisë artistike, të cilët duhet të lexohen patjetër
Ernest Koliqi, Mitrush Kulteli, Anton Pashku, Martin Camaj, Ismail Kadare; F.M. Homeri, Dante, Servantesi, Dostojevski (jo në përkthimin shqip), Franz Kafka.

-A ka ndonjë ngjyresë tjetër poezia femërore nga ajo mashkullore dhe mendoni se sot letërsia shqipe është më shumë se sa ka qenë një letërsi e mirë femërore?
Poezia femërore? Letërsia për mua nuk ka përkatësi seksi. Fakti që autorët e poezive të mia janë femra, kjo sjep të drejtë, sipas meje, për diferencime gjinore, apo gender. Do të veçoja artin poetik të Lindita Arapit, Luljeta Lleshanakut, Olimbi Velajt dhe Linditë Ahmetit. Janë poete të vërteta!

-Ju njoh kryesisht nëpërmjet poezisë suaj të botuar në organet mediatike dhe të hedhura në internet. Përse Agron Tufa shkruan sot, një poezi hermetike? Gjithashtu, një pjesë e leksikut është e pagjendshme në ndonjë fjalor gjuhësor. Janë krijime të reja fjalësh, në mos të shpikura, mos janë gjë të improvizuara si forma të reja mbi format zyrtare? Apo janë kërkime në shtresa më të vjetra të gjuhës, qoftë edhe në dialekt?
Kjo e fundit po. Kur isha për shtatë vjet me studime, jashtë atdheut, me mua ndodhi një proces i ndryshëm nga sa ndodh rëndom me të tjerë. Në vend që të kërcënohesha nga harrimi i shqipes, apo dobësimi i lidhjeve me të, ndodhi e kundërta: zbritja vertikale në shtresat, apo në “shekullin e gurit” të fjalës shqipe. Kisha keqardhje edhe për fonemat që janë humbur gjatë shndërrimeve laringale historike. Prandaj në vëllimin poetik që i përket kësaj periudhe – “Rrethinat e Atlantidës” gjenden poezi filologjike si “Njëmijë vjet keqardhje për shkronjën kh”, apo “Njëmijë vjet keqardhje për shkronjën h”. Riaktivizimi i leksikut të vjetër vjen joarbitrar, por bashkë me shtresat e imazheve, ndjeshmërisë dhe asociacioneve të lidhura me ta. I quaj pronat e mia gjithë gojëfoljet e trevave shqiptare, gjithë dialektet, pa të cilat poezia të ngjan me gjuhë gazetash. Begatia e leksikut, e formave dhe përftesave gramatikore janë pjesë e instrumentarit të ligjërimit për mundësi maksimale shprehjeje. Nuk mendoj se jam hermetik, por nuk më tërheq as poezia e tipit “mace-mace, tollumbace”, poezia pa mendim, ose me një mendim anemik, që mezi pret ta varrosin në sipërfaqe. Nëse poezia është zbulesë, ajo kumtin e saj e ka në zhguall, çka dhe e dallon nga format e tjera të komunikimit. Nëse ka një energji, një ejdos në thelbin e materies së poezisë, atëherë duhet depërtuar tek ky thelb. Misteri i poezisë së mirë është se ajo ruan strukturën energjitike dhe semantike të lutjes, andej nga i ka pasur rrënjët poezia qysh në zanafillë. Kur pëshpërisin lutje, besimtarët mbushen me energji përtëritëse dhe nuk ndodh e kundërta. Poezia duhet ti kthehet këtij misteri.

Intervistoi Denisa KONA

Agron Tufa
Bestsellerët dhe librat masovikë i lexojnë tetot e kuzhinave

-Si ndodh të bëhesh shkrimtar dhe si ka lindur tek ju ky proces që mbetet i çuditshëm dhe misterioz?
Dëshira e madhe. Shija. Mendoj se edukimi më i madh i njerëzimit është edukimi estetik. Atë ta jep arti. Dhe estetika është nëna e etikës, jo e anasjellta. Si të jetë formuar estetikisht një individ, ashtu do të modelohet edhe etika e tij shpirtërore. Dëshira për të shkruar ka ardhur nga bindjet e shpeshta, se isha në gjendje që, të njëjtën gjë që lexoja, unë mund ta shkruaja më mirë. Kështu ka filluar.

-Çfarë ka të veçantë Agron Tufa në këtë mizëri krijuesish?
Qenien time të papërsëritshme. Mendoj se nëna ime nuk mund ta përsërisë më veten time dhe se ajo (vetja ime e dashur, siç thoshte Majakovski) është e pangjashme dhe e pangatërrueshme ndër gjashtë miliardë njërëz, që popullojnë planetin. Si i tillë unë ofroj një botë artistike timen, ju ftoj ta shihni botën me sytë e mi, përmes ndjeshmërisë time. Dhe kjo nuk mendoj se është pak.

-Ju përfaqësoni një brez të ri shkrimtarësh. Sa përfaqësohen ata në antologjinë shqipe? Në faqen Ëikipedia vura re se ky moment kishte rëshkitur!
Antologjitë paraqesin shijet subjektive të hartuesve. Nuk kam pritur ndonjë përfshirje, sepse nuk e kanë për detyrë. Megjithatë unë jam përfshirë në antologjitë më të rëndësishme që janë hartuar viteve të fundit, brenda dhe jashtë Shqipërie. Por as Antologjitë dhe, sidomos, as Vikipeditë nuk janë gjyqi i fundit...

-Ju prezantoheni në këtë panair me libra të tjerë; dy romane të shtëpisë botuese Toena, një tjetër libër i shtëpisë botuese “Prizmi”. Hodha një sy të shpejtë në stendë, mu duk diçka krejt tjetër nga ajo që isha mesuar të shihja prej jush. Mos ndoshta keni ndryshuar parametrat e komunikimit me lexuesit?
Janë romanet “Mërkuna e Zezë” dhe “Tenxherja” që prezantoj tek Toena. Janë dy romane krejt të ndryshëm. I pari është botuar me një tirazh të vogël në vitin 2005, por nuk doli asnjë ditë në librari, kështu që mund të thuash se paraqitet për herë të parë. “Tenxherja”, është një sagë familjare, një roman mbi një proces të montuar politik me realet gjakatare të burgjeve komuniste. Është ndoshta romani më “realist” që kam shkruar. Libri me miniatura “Thembra e Akcilit” është një natyrë tjetër; ai përfshin kontaktet e drejtpërdrejta me realitetin, sapo del jashtë pragut. Korniza artistike shërben ngjarjet reale të përditshmërisë tonë. Prandaj dhe lënda e këtij libri dallon nga romanet, të cilët e marrin pikënisjen nga imagjinata e pastër artistike, ndërsa në prozat e shkurtra të këtij libri është punuar me lëndën e gjallë. Është eksperiment me “mitet e sotme” dhe prerjen e vetëdijes bashkëkohore, duke mëtuar të sjellë një pamje kaleidoskopike të pasioneve, frustrimeve, komplekseve apo delireve tona. Si të tilla këto miniatura janë koleksion që e kanë kaluar provën, ngase janë botuar në gazeta e revista të ndryshme.

-Si mund të mbërrijë tek lexuesi, letrari i mirë i pareklamuar?
Asesi dhe kurrë. Por ky nuk është problem i autorit të mirë.

-Panairi është një Pazar, një reklamim apo një shans për të bërë krahasime të gjera e për të përzgjedhur? Si shpjegohet tendenca për të blerë bestseller dhe libra masonikë?
Njerëzit pa formim të mirë dhe pa shije bien pre e një martese të lodhur me këtë literaturë banale, e llojit të telenovelave. Vetia e kësaj letërsie është si sëmundje ngjitëse. Tek ne nuk është punuar për diferencimin e zhanreve, ndaj as ia kanë idenë se çfarë po lexojnë. Kush është edukuar me letërsinë serioze, i neverit këto libra me kopertina të llangosura dhe reklamime të fryra. Kjo është letërsia masive/masovike që lexojnë tetot e kuzhinave. Është forma më agresive e akulturimit.

-Gon Tufa, si shkrimtar dhe si pedagog: nga të dyja këto raporte njerëzore, çfarë mbetet e përbashket? Zhgënjimi më i madh nga cili vjen, nëse ka të tillë?
Jam në harmoni të shkëlqyer me të dyja raportet. Jam i lidhur me studentët e mi dhe i dua lëndët që jap. Mundohem të jap maksimumin tim. Kam mirëkuptim të përsosur. Zhgënjimi më i madh është nga mungesa e kohës në dëm të krijimtarisë.

Një rrëfim i sinqertë për ëndrrat që si fëmijë nuk i mbarojnë gjithë jetën
Gjërat që ëndërroj me sy hapur

A keni kohe të ëndërroni për qejf? Çfarë fantazon nga e pamundura një shkrimtar 40-vjeçar? A janë larg me ëndrrat dhe dëshirat e fëmijërisë? Na tregoni se çfarë ëndërroni për veten, për familjen, për miqtë, për letërsinë, për natyrën, për ekzistencën, për dashurinë, për luftën, për thashethemet, për arsimin, për argëtimin, për komoditetin, për qetësinë, për fuqinë…
Me sy mbyllur, por më shumë me sy hapur. Pandreqshëm. Që në fëmijëri të hershme. Nazim Hikmeti thotë: “Botën me ëndrra nuk e ndryshon”. Unë nuk jam dakord. Botën me ëndrra edhe mund ta ndryshosh, por nëse jo, atëherë ndryshon cilësinë tënde si njeri.
Unë i kam tejkaluar gjithmonë ëndrrat e mia. Asnjë ëndërr e hershme nuk e ka mbërritur ndonjëherë realitetin e sotëm. Ëndrra maksimale e adoleshencës time ka qenë të më lejonin të studioja, pasi kjo dukej e paarritshme, ngaqë familja jonë konsiderohej “armike”. Kurse tani, ëndërroj të kem sa më shumë kohë të rri me dy vajzat, djalin dhe nusen time, ëndërroj të kem sa më shumë kohë për të lexuar dhe shkruar, ëndërroj të kem kohë për të lëvizuar, ëndërroj të kem kohë. Dhe koha, thotë Elioti, pushtohet vetëm me kohë.
Unë ëndërroj të kem kohën time private, higjenike. Që kjo kohë të mos më helmohet me telashet dhe absurditetin e përditshëm që na nxjerr nga vetja. Ëndërroj ta mund majmunin brenda vetes time, të mos më detyrojnë ta nxjerr jashtë, kur kam të bëj me njerëz që nuk ia kanë idenë ndjenjës së masës, drejtësisë, ndërshmërisë, edukatës. Ëndërroj që kohën ta zotëroj unë, për ta vënë në shërbimin tim dhe të të tjerëve, dhe jo të më zotërojë ajo duke më futur në labirinte e qorrsokaqe nga nuk del dot. Ëndërroj të krijoj modele të mira, në të cilat të kem besim, bindje dhe shpresë se nuk janë të dyshimta dhe të cilat të mund të funksionojnë për të tjerët. Për realitetin tonë ëndërroj të mos kem telashe as unë, as të tjerët me drejtësinë, mjekësinë dhe arsimin. Ëndërroj që familja ime të jetë tempull i shenjtë i pushimit, edukimit dhe dashurisë. Ëndërroj që me miqtë të jemi projektimi ideal e i ndërsjelltë tek njëri-tjetri i mendimeve, shqetësimeve dhe i gjërave që na bashkojnë; të jem i sinqertë dhe ta pres me natyrshmëri sinqeritetin e tyre të troçët. Ëndërroj një harmoni midis jetës urbane dhe peisazhit burimor, gjelbërimit dhe kafshëve, në mënyrë që natyra, e virgjër dhe e pandotur nga perversioni njerëzor të na redaktojë teprimet dhe tëhuajësimet tona në raport me të. Ëndërroj të jetoj gjatë, i shëndetshëm dhe pa ndonjë torturë, me qëllim që ekzistenca ime të ketë kohë të mbushet me sa më shumë kuptim, që misteret që na mundojnë të kenë kohë të zbulohen. Ëndërroj që dashuria të mos mbetet një klishe e zbërdhylët nga përdorimi dhe forca e zakonit, por të na shoqërojë në çdo fjalë që themi, në çdo gjest që bëjmë, në çdo akt që kryejmë, që nga veprat e mëdha deri në gatimin e gjellës. Ëndërroj që lufta të kthehet në konkurrencë për prodhimin e vlerave të reja dhe jo të zgjojë instinktet e shkatërrimit dhe vetshkatërrimit njerëzor, duke lënë pas rrënojat e tragjedi të pangushëllueshme. Ëndërroj që medimi, përshtypja dhe imazhi që na serviren të jetë i hapur dhe ballpërballë, si e vetmja mënyrë për tu njohur, dhe jo të kalojë tinëzisht nëpër qarkun e prapashpinave, duke u shndërruar në energji acide, brejtëse, duke ngritur mure dhe urrejtje midis njerëzve. Ëndërroj që dija dhe misioni i saj të transmetohet me përkushtim e dashuri, pasi vetëm dashuria e përcjell dijen, të brishtë e të thellë, por jo që natyra e këtij transmetimi të dijes të bëhet në bazë të shpërblimit në para apo në natyre, që kjo dije të mos transmetohet “me kabëll”, siç po bën vaki jo në pak raste. Ëndërroj që argëtimi të mos jetë qëllim në vetvete, por të vijë si shpërblim pas një pune që të mbush me kuptim dhe të bën ta shijosh i shlirët gëzimin e lojës, zbavitjes dhe humorit. Ëndërroj që syri të mos “egërsohet” me rrëmujën, kaosin, papastërtinë, por kontakti nervor i shikimit të gjejë prehje në sistemin e sendeve, orendive, rregullit dhe qetësisë. Zhurma është antipodi i mendimit. Zhurma shpreh acarimin e vakuumit, shterpësisë, boshit që nervozohet, apo paaftësisë për të medituar. Ëndërroj që mjedisi i krijuar me dashuri të na japë forca për të vazhduar, pasi ne kemi nevojë për të vazhduar ta projektojmë pandërprerë ekzistencën tonë në stade e nivele më të epërme. Sepse ky është qëllimi i përsosjes së antropoidit tonë.

TEODOR LAÇO
Librat e ndaluar nga diktatura, një listë e gjatë që flet më shumë…

Ti afrohesh temave të së përditshmes, në pamje të parë duket e lehtë, por është më e vështirë. Është më e vështirë që të konvertosh të sotmen në art. Por Teodor Laço e ka pranuar këtë si sfidë. Panairi i librit ku ne e takuam shkrimtarin si dhe botimi i tij më i ri, Në mjegull, ishin vetëm shkas për të nisur bashkë një intervistë mbi letërsinë në kohë, çengelat e pikëpyetjeve që mbeten në pezulli mbi atë që quhet letërsi e mirë dhe mbi ato kufij të diskutueshëm e të debatueshëm mes saj dhe historisë, mbi pasojat e socrealizmit mbi vazhdimësinë e letrave shqipe sot dhe shanset e rehabilitimit të shumë emrave të djeshëm.
Shkrimtari Teodor Laço, mandej pranoi të rrëfejë se si bashkëjetuan tek ai politikani dhe shkrimtari, pa i prishur punë njëra-tjetrës. Por që ku i dihet…,mbase edhe i kanë prishur! Teodor Laço, 12 vjet si deputet dhe rreth 2-3 vite si ambasador dhe si ministër i Kulturës, nuk mundi të bënte dot një vilë për veten e tij. Mbase idealizmi i krijuesit ishte pengesa…

-Letërsia e pas 90-s është një vazhdimësi e natyrshme e letërsisë së zhvilluar në totalitarizëm apo është një shkëputje, një kapërcim dhe në çfarë sensi do ta shihnit këtë?
Eshtë një vazhdimësi e asaj çka mbetet më e qëndrueshme në provën e kohës, një mohim i skemave të socrealizmit dhe përpjekje për një letërsi më moderne, duke njohur e mësuar nga arritjet e letërsisë perëndimore të shekullit të fundit. Besoj se ky është procesi më i natyrshëm në zhvillimet letrare: njohja dhe pranimi e vlerave më të mira të traditës dhe kërkimet për forma të tjera të shprehjes. Kurse që të flasësh për shkëputje të mëdha, duhet parë nëse kanë dalë shkrimtarë që të afrohen makar tek hija e Xhojsit. Derisa gjeni të tillë nuk po shfaqen, duhet të urojmë një vazhdimësi të natyrshme. Me këtë nuk dua të mbështes sadopak mëtimin e akademikut Qosja, se letërsia jonë është provinciale.Letersia jonë është në rrugëtim të mbarë dhe fakti që nuk njihet dhe aq në botë, shpjegohet edhe me mosnjohjen e shqipes si gjuhë e rrallë, nga përkthyes të zotë.

-Sa e pavarur është letërsia nga sistemet shoqërore e politike? A mundet që ti shpëtojë kornizave ideologjike të kohës? Sa ka arritur letërsia jonë ta bëjë këtë?
-Koniukturat politike, sociale, koha në përgjithësi, por edhe rrethanat individuale,lënë gjurmët e tyre tek çdo njeri. Nga ky rregull nuk përjashtohet as shkrimtari. Në marrëdhënie me gjithçka që sheh, vrojton e gjykon, ai mund të jetë aleat, shërbyes, rebel,kryengritës.Eshtë çështje e bindjeve dhe e cilësive vetjake, e karakterit dhe pozicionit që mban në hierarkinë e kohës. Letërsia,duke qenë pjellë e vetvetes, megjithatë është edhe një predikim morali, dikujt i drejtohet, dhe ky adresim nuk është i pavetëdijshëm. Eshtë e kuptueshme pra një lloj vartësie e saj nga këto korniza ideologjike.Vartësi për mirë kur rebelohet ndaj një ideologjie të dëmshme për njerëzimin, për keq kur vihet në shërbim të saj. Ky do të ishte një shpjegim skematik për këtë pyetje. Por përgjigja është më e ndërlikuar, sepse si qenie shoqërore, shkrimtari është shpesh i dyzuar, në kriza besimi e mosbesimi, në gjendje relaksi kur bota që e rrethon dhe individi si objekt i tij i duken rozë dhe në gjendje traumatike, kur i duken të zeza. Pikërisht për këtë, në veprat e shumë shkrimtarëve, sidomos atyre që kanë krijuar nën trysni censurash, gjejmë kundërthënie të skajshme. Për natyrë, shkrimtari e shfaq veten si një lloj demiurgu, shpërfillës ndaj ideologjive, por…meqë nuk jeton dot në hënë a përmbi re, ”sëmundja” e shoqërisë e infekton edhe atë. Sa për shembull, deri në vitin 1956 kur sovjetikët shtypën me tanke revolucionin popullor në Hungari, ideologjia komuniste kishte në perëndim ithtarë të mëdhenj në botën e artit e të shkences si Sartri, Artur Mileri, Hauard Fasti, çifti Kyri e të tjerë. Kjo ngjarje ua hoqi perden e iluzioneve dhe ata u bënë kundërshtarë të flaktë të dogmës komuniste.

-Letërsia shqipe e realizmit socialist, sa ka arritur të shkëputet nga trysnia ideologjike?
-Duke qendruar tek ky raport me të vërtetën, pikërisht për këtë është futur në sitën e gjykimit letërsia shqipe e periudhës së viteve të socializmit. A tha të vërteta kjo letërsi? Dhe a është e rëndësishme (interpretimi i realitetit) për të matur vlerat e saj?
Unë kam qenë gjithmonë i mendimit, se ajo çka mbetet si më e mira nga kjo trashëgimi, i ka shpërthyer kornizat e parimeve të metodës dhe është një letërsi thjesht realiste, pa bishtin e skemës që kërkonte realizmi socialist. Por do të isha i padrejtë, sikur të thosha që kjo ka ndodhur rëndom, sepse ky mëtim do të binte poshtë nga qindra poezi ku i këndohej partisë, tregime, romane e tablo të arteve figurative me heroin revolucionar pozitiv, komunistin, me tendencën e përligjies së luftës së klasave e të tjera. Me një qasje të shpejtë në kritikën e atyre viteve për letërsinë, në kritikën zyrtare e kam fjalën, që buronte e frymëzohej drejtpërdrejt nga nomenklatura e lartë e partisë, të lë të habitur se sa shumë janë veprat e ndaluara, të “burgosura”në qilarët e bibliotekave, në atë qe quhej “fondi i ndaluar”. Kritika fillonte që nga pragu më i lehtë i “ fajit”, që ishte trajtimi temave të vogla, intime apo teprimi me temat historike (në plenumin e LSHA të vitit 82 ku në fokus ishte kritika për “Nëpunësi i pallatit të endrrave” i Kadaresë, u kritikuan edhe 6-7 prozatorët më në zë të kohës se ishin larguar nga realiteti i kohës dhe po merreshin me historinë) dhe deri tek sakrilegji i “nxirjes”së realitetit socialist .Ja një pasazh që e kam në dosjet e mia, sepse lidhet me mua: Novela “Ditë dhe netë që mund të vijnë” , që e kam botuar në revistën “Nëntori” nr. 3-1974. Në kritikën e saj thuhet: Aty është shembulli tipik i një vepre që jep përfytyrime të shtrembra dhe mbeshtetet në koncepte të huaja, disfatiste për luftën e vërtetë popullore”…Dhe më tej: ”Ky është një shtrembërim i ideve tona për luftën popullore, sepse jo vetëm ndan ushtrinë nga populli, por arrin deri në nënvleftësimin e rolit udhëheqës të partisë, që të mos themi se arrihet deri në mohimin e këtij roli” (“Drita”17 shkurt 1975,f.5). Po përmend vetëm disa tituj të atyre 250 librave që në vitin 1982 ishin hequr nga qarkullimi: ”Përbindëshi”,”Nëpunësi i pallatt të ëndrrave”(Kadare), ”Zhurma e erërave të dikurshme”(D.Agolli}, ”Tuneli”(Dh.Xhuvani), ”Drama e partizanit pa emër”(F.Arapi), ”Dueli” (Q.Buxheli), ”Rrethimi i bardhe”( N.Prifti), ”Zera nga burime të nxehta” (S.Godo),”Njollat e murme” (M.Jero), ”Pranvera e madhe” (S.Andoni), poezi të Xh.Spahiut, F. Reshpjes, F.Halitit,V.Zhitit…Romani “Një emër në katër rrugë” i Petro Markos u çua pa qarkulluar ende në karton. Mjaft të shihet se çanatemë mori letërsia në plenumin e 4-t të KQ.më 1973, për të mbërritur tek një përfundim i thjeshtë. Këto dhe vepra të tjera të dënuara, ishin krijuar sipas kanunores së realizmit socialist apo thjesht, zbulonin disa të vërteta të hidhura të realitetit?

-Jo rrallë, ballafaqimet e fakteve të ofruara prej letërsisë, lexuesit i marrin si pjesë të vërtetë, të qenësishme të historisë, kur është fjala për realitete jo personale por ndërpersonale. Në fakt, deri ku shkojnë kufijtë e respektimit të së vërtetës dhe ku fillojnë kufijtë e të drejtës për të zhbërë botën artistikisht?

Kjo është një çështje që i përket qëllimit dhe formës që përzgjidhet. Eshtë gjithashtu një derivat i prirjes, i shtratit ku ndihet më mirë shkrimtari. Ka një letërsi që në thelb është zhbirim brenda subkoshiencës së autorit, një grimcim i vetvetes nëpër një Alter Ego letrare, si përshembull këmbëngulja për variacione mbi temen e tjetërsimit apo të pamundësisë për të realizuar vetveten,por ka edhe autore që priren të sjellin boten e njeriut me dramat e tij, dashuritë, urrejtjet, vuajtjet, trysnitë e të mjedisit ku e ka vënë fati dhe kjo kategori përpiqet të mos e zhbëjë të vërtetën. As shkalla e vërtetësisë dhe as ajo e zhbirimit psikologjik, nuk janë barometri i vlerave të një vepre. Barometri është niveli artistik, mjeshtëria letrare.
-Sa e ka kontrolluar (censuruar) ndërgjegja e shkrimtarit socrealist nëndërgjegjen krijuese të tij, që kërkon të shpëtoje artin permes metaforave, (nënndergjegja nuk ka njohje për metodat me karakter ideologjik) Thënë ndryshe: A mund të qortohet letërsia e realizmit socialist, jo për metodën por për manipulim të së vërtetës?...
Ka qenë metoda dhe bindja e verbër ndaj saj që me kërkesën për tendenciozitet klasor kushtëzonte paraqitjen e rreme të të vërtetave të njeriut dhe të shoqërisë. Mirëpo, shpeshherë, midis ndërgjegjes krijuese dhe metodës ka përplasje dhe kjo shpjegon shmangiet që kritikoheshin. Metoda thoshte “shikojeni botën me sytë e mi dhe gjykojeni sipas parimeve të mia, por nuk është e lehtë ta detyrosh krijuesin të gjykojë thjesht sipas instruksioneve. Këtu bëjnë përjashtim rastet kur kërkesat e metodës ose thënë më thjesht me termat e kohës “mësimet e partisë” përputheshin me bindjet dhe synimet e shkrimtarit. Në botë ka plot shkrimtarë, që, duke u konsideruar të realizmit socialist, përkatësia nuk i ka penguar të shkruajnë vepra të të vërtetave tronditese që i mbijetuan kohës, madje edhe nga ati i metodës, Gorki.

-Duket se është krijuar një hendek brezash dhe mentalitetesh në letërsinë shqipe. A është një kontradiktë që zhvillohet brenda hapësirës që vetë koha imponon si në çdo gjë tjetër, apo nuk është kaq e natyrshme dhe kaq e justifikuar përmasa e kesaj kundërvënieje?
Eshtë një kontradiktë më tepër virtuale sesa reale. Eshtë më shumë një mëtim për të afirmuar veten nëpërmjet mohimit dhe kërkimeve formale, shpesh të arritura dhe po aq shpesh shkërbime të një estetike të keqkopjuar. Nuk shoh ndonjë hendek kaq të madh midis poezisë së këtyre viteve të Agollit, Spahiut, Londos, Lakos…me atë të Zhitit, Ahmetit, Lleshanakut, Tufës...dhe as midis prozës së Aliçkës, Açkës, Blushit, Dibrës me prozën e Koreshit, Kongolit, Xhuvanit, Çulit e të tjerë. Për fat të mirë, shumica e autorëve më në zë të së kaluarës, në kapërcyell të sistemeve i mohuan lehtësisht mëkatet dhe lëshimet e dikurshme dhe vazhduan, bashkë me të tjerë, të botojnë veprat e tyre më të mira.

-Midis së drejtës për të krijuar botë të tjera dhe detyrimit për të respektuar ca të vërteta të përbashkëta, a mundet që të flitet për një kod moral të shkrimtarit? Pra deri ku shkojnë kufitë e së vërtetës dhe ku fillojnë kufijtë e së drejtës për ta zhbërë atë artistikisht?...
Varet për cilin aspekt të kodit moral është fjala. Ka disa nene me konotacione madhore si atdheu, liria, parimet themelore të demokracisë e të tjera, që nëse cënohen, e vënë shkrimtarin në oponencë me kodin e gjithpranuar moral, por ka edhe atavizma brenda kodit, që duhen mohuar e luftuar me kurajë. Dikur shoqëria e pranonte si të moralshme gjakmarrjen, por shkrimtari nuk mund ta pranoje në asnjë rast, ashtu si edhe predikimet raciste, diskriminuese...

Shkrimtari tregon lidhjet mes politikës dhe letërsisë
Miqtë më thonë: 12 vjet deputet, nuk bëre dot një vilë në bregdet!

-A ju është dashur të pësoni ndonjë shndërrim, në mënyrën se si e keni shkruar letërsinë dje (para 90) dhe sot?
Ndryshimi është ai që sjell liria. Para 90-s unë kam shkruar, vënë në skenë dhe ekranizuar shumë dhe më duhet ta pranoj hapur, se në mjaft prej këtyre krijimeve e kam patur bashkëudhëtare censurën dhe autocensurën. Për fat të mirë, si edhe shumë kolegë, në mënyrë të vetëdijshme apo intuitive, në mjaft tregime, romane e vepra skenike, për shkak të temës dhe idesë që përçonin, besoj ia kam dalë të shpëtoj nga këto kurthe. Përveç tregimeve, sidomos tek libri “Ajri i ftohtë i mesnatës” që u kritikua dhe hyri në fondin e librave jashtë qarkullimit (1973), janë edhe romanet “Lëdina e lotëve”(1978), ”Pushimet e kolonelit”(1990), pjesët teatrale “Qyteti i akuzuar” dhe “Shi në plazh”, filmat “Dhe vjen një ditë”e “Flutura në kabinën time”e të tjera, që do ti kisha shkruar njëlloj edhe pas vitit 91. Në një pikëvështrim tjetër, gjatë viteve të fundit mendoj se proza ime është prirur më tepër se më parë nga analizat psikologjike, është më e brendshme. Nuk ka qenë qëllim në vetvete, besoj se erdhi në mënyrë të natyrshme.
-Cili është ilaçi për të mbetur një shkrimtar në modë?
Përgjigja për këtë është krejt personale për këdo që do të pyetej. ”Recetën” e shkruan vetë shkrimtari, sipas ambicjes së tij. Për mua është të dish ta bësh lexuesin të shohë vetveten, të prekësh telat e tij më të ndjeshëm dhe ta bësh të besojë se ti je i sinqertë, nuk shtiresh, nuk spekullon duke dashur ta manipulosh.
-Ju vitet e fundit, jeni prezantuar edhe me një prej problematikave sociale të sotme, ngujimi prej gjakmarrjes. A duhet të gjendet përherë diçka e fortë, që godet, që të bëjë të mundur interesin e lexuesit?
Të gjesh diçka “të fortë”është një ëndërr për çdo shkrimtar, por të përcjellësh një mesazh për drama që janë në sy të të gjithëve, është më tepër se kaq. Eshtë një detyrim moral, qytetar. Të prangosh të ardhmen, të mbyllësh jetën e një fëmije a të riu pas mureve, duke i kallur në shpirt panikun e vdekjes që diku e përgjon, është një traumë e jashtëzakonshme për një shoqëri që mëton të jetë demokratike. Sepse tragjedia këtë herë nuk imponohet nga shteti si në diktaturë, por nga vetë shoqëria, që ka lejuar a pranuar ringjalljen e nje rituali barbar. Sigurisht, është edhe një dobësi e shtetit. Mospranimi i individit për tiu nënshtruar këtij zakoni, një situatë në dukje paradoksale kur nuk fshihet gjakësi por ai që ka për të marrë gjak, më ngacmoi për tregimin e gjatë “Rrëfimi i çuditshëm i Fran Martinit”(në vëllimin “Trokitje në shpirt”-2003). Kurse në romanin “Vrasja e buzëqeshjes”(2006) përshkruhet fati i një adoleshenti të ngujuar. Për një kolorit sa më të gjetur gjuhësor e karakterizues për personazhet, mu desh ti hyja goxha thellë pasurisë së gegërishtes, nëpërmjet autorëve të saj të mëdhenj si Koliqi.
-Ju konfiguroheni si një shkrimtar i letërsisë artistike, që fokusohet në realitete historike të së kaluarës së largët. Ku i gjeni këto të dhëna më karakter historik? Gërmoni arkivat? Nuk keni frikë se rithoni historinë? Si mund të gërshetosh ngjarjet historike me një fiksion artistik, që të joshësh lexuesin të rilexojë në një version tjetër një ngjarje që e ka përshkruar historia?
A bën shkrimtari zbulime në këtë pikë apo i lejohet të trillojë realitete të paqena?
Deri tek romani im i fundit i porsabotuar “Mjegull”, për mua historia ka qenë një sfond, një skene ku luhen drama njerëzore.”Lëndina e lotëve”p.sh.qëmton e operon mbi një plagë të viteve të paraluftës (20-40) siç është mërgimi, ndarja e familjes dhe brengat e vuajtjet e kësaj situate sociale, por gjithçka aty është fiksion. Arkivat, shtypi, kujtimet janë të gjitha nën filtrin e fantazisë, shërbejnë vetëm për të mos stonuar me zërat e vërteta të kohës. Tek “Mjegull” puna ndryshon. Aty vërtet trillimi, pra fatet e personazheve janë në specifikën e prozës, që dallon nga historia, por meqë këto fate kushtëzohen nga rrethana historike kur dy ushtri të huaja luftojnë me njëra- tjetrën ënë trojet e tua, vërtetësia historike ishte një kusht. Meqë ky është romani që e kam mbajtur në mendjen time për një kohë të gjatë, pata mundësinë të njihem me shtypin e kohës, me kujtimet e figurave politike e të ushtrive të luftës italo-greke dhe ti gërshetoj ato nëpër kapitujt e romanit nën okelion “Kronikë nr…”
-Çfarë raporti ka letërsia me politikën tek ju? Duke qenë politikisht për një kohë i angazhuar, a e dëmton kjo, ndjesinë e krijuesit? Si i shpëtonit lëkurës së flashkët të politikanit?
Meqenëse si zor të gjendet shkrimtar pa një vokacion edhe politik, domethënë krejt indiferent për atë që ndodh me kombin e tij, me shoqërinë ku jeton, me proceset e mbara apo të mbrapshta që gëlojnë rreth tij, mund të themi se kjo bashkëjetesë e shpallur apo e padeklaruar (ndonjëherë edhe e fshehur për tu dukur më interesant), është gjithmonë e pranishme. Derisa e përdor të drejtën themelore, atë të votës, do të thotë se je me dikë. Në rastin tim, por edhe të mjaft kolegëve (do të vinte goxha gjatë po ti përmendja), llogorja politike ka qenë fare e dukshme, e zbuluar, dhe unë nuk jam strehuar në të për të fshehur kokën. Kur filluan proceset demokratike e quajta një detyrë qytetare, që të mos mbetesha jashtë rrjedhave të pluralizmit. Nuk kisha qenë asnjë ditë në Partinë e Punës dhe hyra në politikë me tërë energjitë e përkushtimin që janë në natyrën time. Nuk jam penduar, megjiithëse nuk mund të them se skam vuajtur. Derisa bëj letërsi për njerëzit dhe kohën e tyre, ”lekura” e politikanit nuk më kushtëzon. Tjetër gjë është publicistika. Kam disa dhjetëra artikuj, editoriale, ese, intervista si dhe tre libra publicistikë të botuar në këto vite, ku gjenden hapur pikëpamjet e qëndrimet e mia. Për dy gjëra jam i qetë: E para, se nuk e kam bjerrur kohën kot dhe nuk i jam ndarë për asnjë ditë asaj që është jeta ime e vërtetë, letersisë. E dyta, kam kërkuar vazhdimisht nga vetvetja të ruaj moralin, ndershmërinë dhe altruizmin. Ckam fituar?Asgjë, përveç të qenurit njeri publik. Miq e të afërt më vnë nganjëherë në lojë: Dymbëdhjetë vjet deputet, dy vjet e gjysmë ministër, dy vjet ambasador dhe sbëre dot një copë shtëpi në bregdet si kolegët e tu, po mbete duke riparuar shtëpinë e vjetër të prindërve në fshat!...
-Duke bërë një “inventar”të veprave tuaja, (sipas kopertinës së tregimeve të zgjedhura “Vals i hënës”) na rezulton se ato e kalojnë numrin 50. Sikur tju kërkohej të veçonit ato që ju i quani më të mirat, çdo të thoshit?
Kjo pyetje duhet ti bëhet kritikëve ose ndonjë studjuesi skrupuloz, por meqë është e vështirë për këedo të njohë gjithë krijimtarinë e shkrimtarit, aq më tepër kur ai lëvron thuajse në çdo gjini, mua më mbetet vetëm të them cilat vepra do të desha ti shihja të ribotuara. Këto do të ishin tregimet në “Valsi i Hënës” ku kam përzgjedhur atë që e vlerësoj më të miren në rreth 150 tregime të botuara, romanet “Lëndina e lotëve”(1978), ”Një vit i hidhur”(1995) dhe “Mjegull” (2009) si dhe pjesët teatrale “Qyteti i akuzuar”(1983), ”Shi ne plazh”(1984) dhe “Vrasësit i lamë pas”(2002). Por edhe librat me publicistikë ”Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar”(1997)dhe “Një dritare në Kremlin”(2009).
- 50 tituj në 44 vjet nga libri i parë, duken goxha! A dëshmon kjo se keni patur dhe keni gjithmonë një klimë të favorshme rreth jush dhe kujt do të donit ti shprehnit mirënjohjen tuaj?
Klima nuk ka qenë gjithmonë si tani. Kam patur pranvera e vjeshta të bukura, vera me zhegun që se duroj dot kur “arratisem” në Dardhë), dimra me acar. Kam ndërruar 12 vende pune, 5 qytete. Gjithsesi, i kam kaluar peripecitë pa trauma të mëdha, falë një familjeje ku zotëronte harmonia dhe sot, falë bashkëshortes sime, aktores Mirjana Deti që ka sakrifkuar për mua shumë mundësira profesionale, dy djemve të mi, Pandit e Bledarit që më japin qetësinë e krenarinë që provon prindi kur fëmijët bëjnë një emër, mbesave e nipave të mi…Nuk duhet të harroj botuesit dhe teatrot. Jane disa, nuk guxoj ti rendit.
-Me kalimin e viteve, çfarë ndodh brenda “farkës” së shkrimtarit? Përvoja jetësore e letrare, a të motivon për të sjelle vepra të tjera?
Mosha është një nocion biologjik. Ka të vjetër me mendje të re dhe të rinj me mendje të vjetëruar. Eshtë çështje gjenetike dhe e mënyrës së jetesës. Sidomos e zjarrit të pasionit, e dashurive të njeriut, në kuptimin global të fjalës. Kam mbaruar një komedi që titullohet “Beqaret”-tema kuptohet nga titulli dhe po shkruaj tregime satirike. Ja, satira është vërtet produkt i viteve. Shumçka që më parë të prishte drejtpeshimin, fillon ta shohësh me syrin e talljes, humorit.

AMIK KASORUHO

Përkthyesi që jeton në Itali pohon se atje botohen më pak libra se në Tiranë, por më shumë letërsi vendase

Italianët nuk kanë opinion për letërsinë shqipe
Shkruaj për diktaturën për të zbardhur të vërtetat (tmerret)
Shkrimtari pohon se vepra e tij me temë cenimin e të drejtave njerëzore në regjimin totalitar ka edhe synime jashtëletrare

I përket llojit të shkrimtarëve që patën një të kaluar “armiqësore”, që u preu në mes shiritin e filmit prej shkrimtari. Sot shkruan letërsinë e një të persekutuari, por një letërsi e mirëfilltë artistike edhe pse e servirur me ngjarje dhe personazhe 100% reale. Në një këndshikim tjetër, ai i bashkohet grupit të krijuesve emigrantë, të cilët e kanë letërsinë një lidhje të fortë me vendin e tyre. I takon edhe grupit të përkthyesve të paktë, që arrijnë të sjellin jo vetëm veprat e huaja në shqip, por edhe anasjelltas. Amik Kasoruho fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtarët emigrantë në vitin 1999 dhe në 2000, synon që me letërsinë e tij të shtojë një tjetër dëshmi të dëmeve që i solli diktatura, qytetarit të pafajshëm. Me gjithë kohën e kufizuar në diaspozicion, ai nuk refuzoi të japë intervistën e mëposhtme për “Ballkan”

-Z. Kasoruho! Ju vini me një frut të ri në këtë panair, si shkrimtar. A është emocion pjesëmarrja në një panair me publik shqiptar, për një krijues që jeton larg vendit të tij?
Në të vërtetë, nuk jam paraqitur në panair, sepse botuesi im (“BUZUKU” i Prishtinës) nuk ka ardhur në të. Librin e kam paraqitur në Prishtinë dhe në Tiranë, por nuk ështe ekspozuar ne Panair, ku jam i pranishëm me një përkthim nga Andre Camilleri, botim i DITURISE.

-Librin tuaj të ri e pashë në stendën e një shtëpie botuese, por që nuk ishte botim i saj. Këtë ma pohuan vetë.
“Ikje nga trilli i Perëndive”, për çfarë bën fjalë ky libër? Ose ndryshe, përse duhet ta blejë lexuesi?
Libri “Ikje nga trilli i Perëndive” është botuar nga botuesi “Buzuku” i Prishtinës, i cili, për arsyet e veta, nuk është paraqitur në panairin e Tiranës. Eshtë një libër që bën fjalë për një periudhë kohe, që falë Zotit i përket të kaluarës. Nuk e di nëse duhet ta blejë lexuesi, por mendoj se leximi i tij ka për ta ndihmuar të kuptojë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen, që duhet dhe ka për të qenë diametralisht e kundërt me atë të shkuar. Dhe për të dalluar vlerat nga antivlerat. Nuk është ky pretendimi i autorit, por ajo që ai e konsideron një domosdoshmeri që duhet të lëshojë mesazhi letrar i këtij libri.

-Ju keni vite, (nuk e di se sa) që jetoni në Itali. A keni lexues shqiptarë edhe atje?
Midis lexuesve italianë ka edhe lexues shqiptarë, padyshim dhe në disa raste jam takuar me ta (p.sh në Leçe, në jug të Italisë apo në Rimini, në Veri)

-Ju jeni njëherësh edhe përkthyes, edhe shkrimtar, madje përktheni në të dy krahët. Krijimi apo përkthimi kërkon më tepër mjeshtëri dhe mund ?(Tek ju kanë rastin të krahasohen).
Përkthimi ka një përparësi ndaj krijimit të mirëfilltë: I ngjet punës që bën restauratori me një pikturë të vjetër e të pakuptueshme: indi është i paprekur, e ka bërë dikush përpara dhe ka nevojë për ndërhyrje që ta bëjnë pikturën të kuptueshme për të tjerët. Pra indi është i gatshëm. Kjo është ana e favorshme për një përkthyes. Ana e vështirë është se ai, pa tradhtuar synimet dhe mjetet e autorit, duhet ta përcjellë në një trajtë gjuhësore tjetër. Nuk them se përkthimi krijon më tepër mund: Patjetër kërkon më shumë kujdes. Përkthimi është edhe shprehje besnikërie, edhe korrektese. Askush nuk ka të drejtë ta paraqese varfërisht një shprehje sublime, askush nuk duhet të zbehë vlerat artistike të një autori. Nëse një shkrimtar shkruan dobët, dëmton veten. Një përkthim i dobet cenon vlerën e një tjetri dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

-Ju keni përkthyer, duhet thënë, autorë që përfaqësojnë letërsi të vendeve të ndryshme dhe të natyrave të ndryshme. Të tilla janë preferencat tuaja, apo ju nuk i zgjidhni, por i merrni porosi veprat për përkthim?
Në lëmin e përkthimeve, e vetmja preferencë imja është të punoj një vepër që e vlen të përkthehet. Kështu kam vepruar me librat që kam zgjedhur vetë të përkthej (Pirandello, Robbins, Spring etj) ashtu si dhe me ata që më janë propozuar nga botuesit. Por edhe në këtë rast, njohuritë e mia apo shijet e mia kanë patur një rol jo dytësor.

-Më thoni diçka rreth përvojave tuaja publicistike. Kur kaloni nga një fushë e letrave tek tjetra, (pra, nga letërsia artistike në publicistikë e anasjelltas), a ndryshoni teknikat e punës? Sa të afërta i gjeni këto fusha dhe çfarë i japin njëra-tjetrës? (më konkretisht përmes ndonjë shembulli)
Konsideroj publicistikë edhe dy libra të tjerë që kam botuar në Itali, njëri nga të cilët është botuar shqip nga “Çabej” në vitin 1996. Librat janë “Një ankth gjysmëshekullor” dhe “Çmimi i një ëndrre.” Nuk jane libra historie (edhe pse trajtojnë ngjarjet shqiptare të 50 vjetëve te fundit); Une i konsideroj më tepër libra-dëshmi.
Përsa i përket publicistikës, nëpër të përkohëshme dhe të përditshme ajo ka trajtuar probleme shoqërore, letrare dhe shpërndahet në shumë organe shqiptare, italiane apo arbëreshe. Nuk njoh teknika të ndryshme: E vetmja teknikë që vlen, për mua është që kur shkruan ti mbetesh besnik vetvetes dhe të mendosh se po shkruan për të tjerët. Mendoj se ky parim vlen për të gjitha llojet e shkrimeve. Të cilësdo natyrë qofshin.

-Një pyetje për shkrimtarin emigrant: Si prezantohet lëvizja kulturore dhe artistike e shqiptarëve në Itali? Malli dhe preokupimi i tyre është që të ndihen, të gjejnë lexuesin në Itali, të gjejnë lexuesin e këtushëm apo të vendosin kontakte bashkëpunimi me kolegët e tyre në Tiranë e më gjerë?
Kam bindjen se nuk ka nje levizje te organizuar kulturore të shqiptarëve në Itali. Ka disa shoqata, që herë pas here organizojnë ndonjë takim letrar apo folkloristik (sidomos në veri), por në shumicën e rasteve janë krejt sporadike, mbase edhe sepse në këtë përpjekje nuk bashkohen edhe përfaqësitë tona diplomatike, që mendoj, e kanë për detyrë ta bëjnë. Kërkesat dhe prirjet mund të jenë të shumta, por nuk janë të kanalizuara dhe mendoj se pyetjes suaj nuk kam si ti përgjigjem.

-Një pyetje për shkrimtarin e dënuar: Një shkrimtar të cilit jeta i ka treguar anë, që nuk i sheh syri i zakonshëm, a i shndërron ai këto realitete vuajtëse në asete prej krijuesi? Pra, shërben përvoja traumatike?
Jam fort i bindur se ky shndërrim duhet të bëhet: njohja të ndihmon të kuptosh dhe kur njeriu i kupton gjërat, është në gjendje të gjykojë. Se sa një autor, përvojën e tij jetësore mund ta shndërrojë në burim a prodhim krijimi, është një çështje individuale. Parimisht kjo duhet të ndodhë. Eshtë më bindës një rrëfim jete i jetuar nga një trilllim thjesht letrar. Përvoja traumatike vlen patjetër, por me një kusht: që këtë përvojë të mos e shpallë njeriu-shkrimtar për veten as si hero dhe as si viktimë. Nuk vlen të shohesh lotët në sytë e të tjerëve. Më mirë ti shtysh të mendojnë dhe të peshojnë.

-Erdhët në këtë panair libri dhe besoj se takuat shumë miq e kolegë. Keni marrë shumë oferta për të përkthyer besoj…
Ardhje ime kësaj here në Tiranë i ka ngjare gjetjes së një dashurie të vonuar: Gjeta miq të vjetër e bëra të rinj, mbusha jetën me kënaqësinë që jep paraqitja e një vepre, më rrethoi mirëdashja e Prishtinës dhe Tiranës, vlerësimi i miqve apo edhe i të panjohurve që e duan librin, jehona që iu bë punës sime dhe e them pa modesti kallpe, se kjo më dha krenari: isha si ai djali plangprishës i Biblës, që kthehet në shtepi dhe pritet me dashuri. Thashë me një dashuri të vonuar: Duhet të korrigjohem: Me një dashuri të vërtetë.

Ky lajm është publikuar: 27/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›