E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoria I Partizani mposht Elbasanin, tani radhën e ka Lushnja

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Partizani grumbulloi tri pikë të arta në fitoren 1-0 kundër Elbasanit në “Selman Stërmasi” në ndeshjen përmbyllëse të javës së 25-të të Kategorisë së Parë, përpara së “demat e kuq” të përballen me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, me të cilën ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, nga 48. Tashmë tabloja e pesë vendeve të para ka këtë panoramë: Bylisi (63 pikë), Elbasani (49), Lushnja (48), Partizani (48) dhe Kamza (47). Ka tejkaluar çdo parashikim, sa i takon atmosferës dhe interesit që ka ngërthyer supersfida e javës së 25-të të kategorisë së parë, luajtur mes Partizanit dhe Elbasanit. Mbi 6 mijë tifozë, që kanë mbushur shkallët e stadiumit, pjesën me ndenjëse plastike, por edhe shumë futbollistë të skuadrave të tjera, drejtues klubesh, kryetar bashkish e deputetë të Elbasanit, kanë qenë “menyja” e një ndeshje që prodhoi fare pak cilësi, madje edhe luftë sportive, për një gol shënuar nga Rizvanolli në fundin e pjesës së parë, që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Ervis Peza, duke i dhënë Partizanit 3 pikë të çmuara, në luftën për tu ngjitur në superligë, e duke iu afruar ndjeshëm Elbasanit (me një pikë më pak), që mban vendin e dytë në klasifikim. Në të dyja kampet respektive është vënë re një ngarkesë e madhe psikologjike, çka ka frenuar lojtarët të zhvillojnë një lojë të qartë dhe me koncept, duke mërzitur jo pak të pranishmit, që prisnin një sfidë emocionuese. Sidoqoftë, verdheblutë janë shfaqur të pafuqishëm përballë Partizanit, nuk kanë krijuar raste të rrezikshme para portës së Mustafës, duke mos e vënë në diskutim golin e Rizvanollit deri në fund të 90 minutave. Partizani jo vetëm që regjistroi ndeshjen e 15-të pa humbje, por lojtarët e tij tashmë do të arkëtojnë edhe nga 2 milionë lekë, si pjesë e paketës së serisë me katër fitore rresht, e ku përfshiheshin ndeshjet me Bilishtin, Pogradecin, Turbinën dhe Elbasanin. Natyrisht, të kuqtë kanë gëzuar edhe festuar me tifozët e tyre, ndërsa miqtë janë parë mjaft të acaruar në fund të ndeshjes, teksa kanë pështyrë dhe tentuar të godasin anësorin Qirici, por policia e shumtë në numër ka evituar gjithçka. Në këtë mënyrë, Partizani kalon me sukses një ndeshje mjaft delikate, duke u ngjitur edhe më në klasifikim, ndërkohë që javën e ardhshme ka një transfertë vendimtare, në Lushnjë. Rezultati i kësaj sfide do të thotë shumë edhe për fatin e të kuqve, sa i takon ngjitjes direkt në superligë, në të kundërt do të jetë i detyruar ti nënshtrohet “play-out”-it. Partizani i Gerti Haxhiut (asnjë humbje), pas një faze të parë të dyshimtë, e ku u larguan dy trajnerë, Eduard Zhupa dhe Skerdi Bejzade, është më pranë se kurrë rikthimit në Kategorinë Superiore, aty ku të kuqtë kanë fituar 15 tituj kampionë. Të kuqtë e Gerti Haxhiut, të cilët nuk humbasin qysh nga humbja 0-2 në shtëpi me Lushnjën, më 21 nëntor 2009 (humbja e vetme në shtëpi), ndaj së cilës do të përballen në javën e 26-të, që ofron këtë kalendar: Elbasani-Burreli, Memaliaj-Gramshi, Lushnja-Partizani, Kamza-Skrapari, Turbina-Bilisht Sport, Pogradeci-Sopoti, Besëlidhja-Bylis dhe Ada-Luftëtari. Lista e golashënuesve në Kategorinë e Parë udhëhiqet nga Dorian Bubeqi i Lushnjës me 20 gola, i ndjekur nga Romeo Hamzai i Bylisit (16) dhe Klevis Dalipi i Kamzës (12).

Ky lajm është publikuar: 14/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›