E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Thaçin

Nga Express më 18 dhjetor 2010 në ora 18:15

SHBA-ja do ta vazhdojë bashkëpunimin me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me gjithë konstatimet e raportuesit të Këshillit të Evropës që atë e lidhin me krimet, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley, dhe vlerësoi se këto pohime nuk do t’i ndryshojnë fundamentalisht marrëdhëniet amerikane me Kosovën, transmeton gazeta serbe Blic.

“Në këtë moment dhe duke marrë parasysh parimin se çdokush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta, ai është kryeministër aktualt dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të”, ka deklaruar Crowley në një konferencë me gazetarë, raportojnë mediat.

“Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë në mënyrë fundamentale marrëdhëniet amerikano-kosovare. Ato janë të bazuara në interesin e dyanshëm, e jo në ndonjë personalitet për veçantë”, ka shtuar Crowley.

Ai ka përsëritur se administrata në Washington mbështet çdo hetim të “organeve kompetente” lidhur me akuzat e paraqitura në raport.

Crowley tha se disa akuza janë hetuar më herët, por për aq sa ky raport hedh dritë të re, hetimi duhet të vazhdohet. Sipas tij, nëse ekziston informatë përkatëse e zbuluar në raport atëherë ajo duhet plotësisht të hetohet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›