E rrah Kryetari
Marian Ljubic kurrë në jetë nuk e ka munduar se në ditën e zgjedhjeve do të rrihet për vdekje.
Ky serb kosovar rreth të 53`tave është rrahur në një qendër vendvotimi në fshatin Bitinje e Epërme të Shtërpcës nga kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliq dhe truprojat e tij, derisa po kryente punën e vëzhguesit nga Partia Socialdemokrate serbe.
Ai ende i ka shenjat në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit nga dajaku që kishte ngrënë nga kryetari i Shtërpcës dhe truprojat e tij.
Në një rrëfim ekskluziv për Express, Ljubic ka treguar se si derisa ishte i ulur në bankën e vëzhguesve në fshatin Bitinje të Shtërpcës ka ardhur kryetari i komunës nga partia Liberale Serbe me truprojat e tij dhe kanë filluar ta rrahin brutalisht.
“Ka qenë ora 8 e 30 mëngjes, kur kryetari i komunës bashkë më disa truproja të tij më janë afruar, derisa isha duke vëzhguar procesin e votimit në këtë fshat. Iu drejtua vëzhguesve të tjerë duke u thënë “punoni sikur ky të mos ishte këtu”, thotë ky serb nga Shtërpca.
Ai ka thënë se më pas kryetari i komunës e ka tërhequr zvarrë duke e ngre për palltoje dhe kanë filluar ta rrahin në praninë e vëzhguesve të komisionarëve të tjerë dhe disa serbëve që po votonin në atë momente.
Ky vëzhgues i zgjedhjeve të 12 dhjetorit thotë se kryetari Bratisllav Nikoliq nuk ka pasur asnjë të drejtë ligjore për të vizituar këtë qendër vendvotimi, meqë, sipas tij, ai e ka të drejtën e votimit në një fshat krejt tjetër.
“Më ka kapur për jakne ai bashkë më truprojat e tij dhe kanë filluar të më rrahin. Më kanë shtrirë në tokë dhe më ka sill sikur të isha një thes”, thotë Marian Ljubic.
Ai thotë se për 30 minuta është rrahur nga kryetari dhe grupi i tij, derisa ka dëgjuar një zë duke thënë se “ është boll”.
“Kam mbetur në tokë, ka filluar të më rrjedhë gjak nga hunda dhe veshët, njëri nga ta ka tentuar të ma thyejë edhe dorën”, thotë ai.
Ljubic thotë pas disa minutave ka marrë vetën dhe është nisur drejt një patrulle të policisë, e cila sipas tij, ka qenë hiq më larg se 20 metra nga vendi ku ka ndodhur incidenti.
“Kam shkuar te patrulla e policisë për të denoncuar rastin. Në momentin kur ata më kanë parë me polici, i kanë hipur veturave dhe janë larguar”, rrëfen ai.
Marian Ljubic thotë se kjo patrullë e policisë ka njoftuar stacionin e policisë në Shtërpcë, të cilët sipas tij, kanë njoftuar emergjencën për këtë rast.
“Derisa isha duke shkuar në emergjencë me një veturë private, kam takuar rrugës një veturë të EULEX`it, të cilët i kam njoftuar për rastin dhe më kanë parë të përgjakur. Në rrugë e sipër kam parë një patrullë të policisë, të cilën e kam ndaluar dhe kam shkuar me të drejt emergjencës”, thotë vëzhguesi serb në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Pas kontrolleve që ka kryer te mjekët, ai ka dhënë edhe një deklaratë në policinë e Shtërpcës.
“Aty tregova në detaje se si më kanë rrahur. Askush nuk është marrë në pyetje as asgjë, edhe pse në deklaratë dhashë emra konkretë”, thotë ai.
Ka përfunduar me polici dhe mjek dhe nuk ka dashur të shkojë në shtëpi i përgjakur në mënyrë që të mos e frikësojë familjen e tij.
Ljubic thotë se ka qenë dëshmitar se si partia SLS ka vjedhur vota.
“Deri në orën 8 e 30 sa isha unë kanë votuar 20 persona. Vetëm gjysmë ore më vonë kutia e votimeve ka qenë e mbushur me 86 fletëvotime, që janë mbushur nga njerëz të kësaj partie”, thotë ai.
Këtë ai e arsyeton me mungesën e tij në këtë qendër vendvotimi si dhe e kërcënimet që kanë bërë grupi i SLS nëpër qendrat e tjera të vendvotimeve.
“E kam njoftuar kryesuesin e Komisionit Zgjedhor Komunal, i cili ka shikuar librin e identifikimeve dhe ka parë se për gjysmë ore në kuti janë futur mbi 80 fletëvotime për SLS. Në qendrat tjera kanë shkuar dhe kanë thënë se kush pengon që ata të votohen do t’i ndodhë sikur mua”, thotë ai.
Gazeta nuk kam mundur të kontaktojë kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, për shkak se celulari i tij ka qenë jashtë rrjetit.
Për rrahjen e këtij vëzhguesi në ditën e zgjedhjeve kanë raportuar të gjitha mediet dhe policia e Kosovës.