Unazat e Koalicionit

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, dhe Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli, janë dakorduar në parim që të nisin bisedimet për formimin e Qeverisë së re.
Të shtunën, dy liderët partiakë pinë kafe bashkë dhe folën për kompozimin e Qeverisë së ardhshme, por u pajtuan që seriozisht me këtë çështje të merren vetëm pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Të dy liderët e partive politike respektive kanë shprehur vullnet politik që të punojnë së bashku për formimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, menjëherë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ”, thuhet në njoftimin e PDK’së
“Për më tepër, të dy liderët u zotuan se do të punojnë së bashku për të krijuar një qeveri efektive, transparente, demokratike dhe multietnike, për t’i siguruar Kosovës të ardhmen e saj euro-atlantike”, theksohet në komunikatë.
Për këtë takim ka njoftuar edhe AKR e Pacollit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, z. Behgjet Pacolli, janë takuar sot në një vend publik në qendër të Prishtinës dhe me atë rast kanë diskutuar edhe për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, thuhet në njoftimin e Koalicionit Kosova e Re AKR.
Kryeministri Hashim Thaçi, në një prononcim për Express, tha se negociatat për formimin e Qeverisë vetëm sa kanë filluar.
“Ky takim thjeshtë shënon nisjen e bisedimeve për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës”, ka thënë Thaçi, të shtunën.
Ndërkaq, lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, në një prononcim për Express të shtunën, ka sqaruar detajet e takimit, duke thënë se me Thaçin nuk ka arritur ndonjë marrëveshje. Ai ka thënë se takimi i tij me Thaçin nuk shënon edhe fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit. Pacolli madje e ka quajtur takimin me kreun e PDK’së “të rastit”.
“Ne sot rastësisht jemi takuar para syve të botës në “Rings”, kemi pirë kafe bashkë, unë Gjeneral Ceku, ai dhe Hajredin Kuçi”, ka thënë Pacolli.
“Ne kemi biseduar për veprimet që duhet të bëhen dhe kemi konkluduar se duhet të presim rezultatet dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ne do të bisedojmë. Do të bisedojmë edhe me PDK’në dhe në këtë rast është kushti që të formohet një Qeveri funksionale, një Qeveri e ndershme, një Qeveri prej njerëzve me duar të pastra, prej profesionistëve. Kjo ka qenë krejt. Nuk jemi marrë vesh për asgjë, nuk ka qenë takim oficial, ka qenë takim i rastit”, ka thënë ai.
Pacolli nuk e ka fshehur se kur të nisin bisedimet, ai ka ndërmend ta kërkojë postin e Presidentit të Kosovës.
“Do të jetë shumë vështirë të bisedohet për atë për arsye se ne synojmë ta udhëheqim Presidencën, për arsye se i kemi të gjitha kushtet. Ne kemi punuar edhe në të shkuarën për këtë dhe më mirë se na askush nuk do ta udhëhiqte”, ka thënë ai.
Kreu i AKR’së thotë se do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, nëse krijohet hapësirë e mjaftueshme për Koalicionin Kosova e Re, por ka thënë se ende nuk ia ka bërë të qartë Thaçit kërkesën për të marrë Presidencën.
“Jo, ne nuk kemi biseduar për këtë, nuk kemi shkuar më tutje. Besoni, ka qenë takim i rastit, por kemi folur që ne mund t’ia nisim bisedave dhe të bëjmë marrëveshje nëse krijohet hapësirë për ne”, ka thënë Pacolli.
Pavarësisht problemeve dhe vërejtjeve që kanë bërë partitë për procesin zgjedhor dhe rivotimit që do të ndodhë më 9 janar, bisedimet për krijimin e koalicionit tashmë janë duke u zhvilluar.
Burime të Express thonë se edhe diplomatë perëndimorë me ndikim janë përfshirë fuqishëm në këtë proces.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka dalë e katërta sipas rezultatit preliminar të zgjedhjeve, pritet të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
Kjo parti tashmë ka dhënë sinjale që nuk e mohon një mundësi të tillë.
Zyrtari i lartë i AAK’së, Daut Haradinaj, ka mohuar se gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar negociata me drejtuesit e PDK’së për krijimin e qeverisë së re, por nuk ka mohuar mundësinë që ato të ndodhin.
“Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë negociata për një qeveri të mundshme pa u bërë të qarta pozicionet politike. Fillimisht duhet të dihet se si do të duket Kuvendi i Kosovës. Ne jemi skeptikë me këtë përbërje të Kuvendit për shkak se zgjedhjet kanë qenë në nivelin më të ulët të mundshëm”, ka thënë ai.