Hapen kutitë për rinumërim

Afër gjysma e kutive të votimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit do të hapen për rinumërim për shkak të dallavereve që janë bërë nga ana e komisionarëve në ditën e votimit.
Vendimi për hapjen e afër 40 për qind të vendvotimeve apo rreth 500 kutive të votimit është marrë nga KQZ’së të shtunën pasdite, ku edhe është hedhur poshtë kërkesa e LDK’së për rinumërimin e krejt votave.
Përpos LDK’së, e cila pretendon për dallavere gjatë numërimi të votave, edhe ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, kishte kërkuar hapjen e kutive dhe numërimin e votave të deputeteve të secilës parti.
Kërkesa e Krasniqit ka ardhur pas raportimeve se disa komisionarë gjatë numërimit të votave kanë shkruar rezultatet sipas rekomandimeve që kanë ardhur nga kandidatë të caktuar.
Ndryshe, KQZ ka vendosur të mos i përfillë krejt ankesat e partive politike, por ka vepruare sipas rekomandimeve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Nga të dhënat e QNR’së del se disa kandidatë për deputetë në disa raste kanë pasur më shumë vota sesa që ka marrë partia e tyre. Këto vota më shumë kanë dalë falë angazhimit joligjor të komisionarëve.
Anëtari i KQZ’së, Betim Gjoshi ka sqaruar për Express vendimin për rinumërimin e votave.
“Kemi marrë vendim me i rinumëruar një pjesë të kutive që përafërsisht i bie rreth 40 për qind e vendvotimeve, duke mos i përshirë komunat që do të përsëriten zgjedhjet”, ka thënë Gjoshi.
“Do të rinumërohen votat në ato kuti ku është vërejtur se ka pasur defekte për votat e kandidatëve”, ka sqaruar ai.
Por, pse është vendosur për hapjen e gati gjysmën e kutive?
“Ka raste kur një parti i ka 100 vota, kurse kandidati i ka 102 vota ose 105 që nuk mund të jetë matematikisht në rregull. Ka raste kur edhe dalin që i mbledh vota e kandidatëve dhe dalin më shumë vota se të partisë. Për këtë arsye kemi shku në rivotim”, ka arsyetuar Gjoshi vendimin e KQZ’së.
Ai ka thënë se vendimi i KQZ’së është bazuar në rekomandimet e QNR’së.
“Ne kemi pasur një kërkesë prej LDK’së që ka lyp rinumërim në krejt Kosovën, por ne kemi vendos vetëm për një pjesë. Për një pjesë po do të hapen kutitë e votimeve. Rreth 500 kuti do të hapen do të rinumërohen”, ka shtuar Gjoshi.
Sipas tij, praktika e hapjes së disa kutive të votimit ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, aty ku ka pasur mospërputhje të të dhënave.
“Është një proces normal që e kemi ba edhe në zgjedhjet e fundit lokale edhe në zgjedhjet tjera”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, partitë politike janë vënë në alarm, kur kanë kuptuar se fati i deputetëve të ardhshëm ka mbetur në dorën e komisionarëve.
Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Eqrem Kryeziu thotë se kërkesa e partisë së tij është që krejt votat të rinumërohen. Thotë se në LDK ka pasur më së paku manipulime brenda llojit.
“Në disa parti unë për veti kam procesverbale që janë korrigju brenda natës. Krejt llom janë ba të partive tjera. Më pak ka të LDK’së”, ka thënë Kryeziu të shtunën për Express.
Ai ka insistuar se duhet të rinumërohen krejt votat.
“Duhet me u rinumërim sepse për fat të mirë kemi kohë. Nuk është çështje personale. Problemi është se nuk duhet t’u lejojmë komisionarëve të vendosin se kush të bëhet deputet”, ka shtuar ai.
Sipas ish-Kryetari të Komunës së Prizrenit, ‘sëmundja’ e komisionarëve është e hershme.
“Këtë sëmundje e kanë trashëguar kosovarët e gjorë prej kohës së OSBE’së dhe tash me rinumërim e krejt votave do t’i vinim pikë se dikush mund të bëjë kësi marrina”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe, Bajram Rexhepi, Nënkryetar i PDK’së, ka thënë se partia e tij ende nuk ka qëndrim rreth rinumërimit të votave. Ka vazhduar të thotë se krejt vendimet e institucioneve të pavarura do të respektohen.
“Ne ende nuk kemi qëndrim, por presim vendimet e KQZ’së të cilat do t’i respektojmë. Kjo është çështje e KQZ’së”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka përshëndetur veprimet e organeve të hetuesisë për nisjen e hetimeve për komisionarët dhe ka pranuar se edhe në PDK mund të ketë pasur parregullsi gjatë numërimit të votave të deputetëve.
“Sigurisht se ka mundur të ketë jo vetëm në PDK, por në secilën parti ka leju sistemi gjëra të tilla. Por a duhet të jetë rinumërim apo jo – prapë është çështje e KQZ’së dhe organeve kompetente”, ka thënë ish-Kryetari i Mitrovicës.
“Duhet të hetohen të gjithë ata komisionarë që kanë bërë manipulime sepse kjo është vepër penale”, ka porositur Bajram Rexhepi.
Ndryshe procesi i fundit zgjedhor është përcjellë me manipulime dhe vjedhje të votës në disa komuna të Kosovës. Kjo ka shtyrë KQZ’në të dërgojë në rivotime tri komuna dhe të bëjë hapjen e gati gjysmës së kutive të votimit.
Ndryshe, të shtunën mbrëma qytetarët para Teatrit Kombëtar ndezën qirinj “për demokracinë e shkatërruar” nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.