Taksat që paguhen për tatimin e pronës në të gjithë vendin
Laureta Rryçi
Ministri i Financave ka përcaktuar me një udhëzim të posaçëm sa do të tatohet prona për të gjitha qytetet e vendit. Udhëzimi i ministrit të Financave përcakton tarifat specifike për të gjitha rrethet, si dhe përcakton formulën se si do të përllogaritjet tatimi duke u bazuar në vlerën e blerjes. Sipas këtij udhëzimi,
përcaktimi i vlerës në blerje bazohet në kontratën paraardhëse të blerjes. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm përbëjnë rastet e mëposhtme. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në nenin 20 të Ligjit Nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie. Tatimi përllogaritet sipas tabelës së mëposhtme. Për pronën për të cilën po kryhet dhe veprimi merret parasysh zona ku ndodhet, sipërfaqja dhe për çfarë do të shërbejë. Në bazë të këtyre të dhënave, specialistët bëjnë përllogaritjen mbi tatimin që i takon të paguajë qytetarit. Kjo pagesë është e detyrueshme pasi në të kundërt, pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas udhëzimit të ministrit të Financave që rregullon këtë procedurë, me kalim të së drejtës së pronësisë kuptohet akti i shitjes apo akti i dhurimit të pasurisë së paluajtshme. Në kuptim të nenit 11 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, me termin “fitim kapital i realizuar” kuptohet diferenca ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë ndërtesë apo tokë.
Përllogaritja
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri në datën 31 dhjetor 1995, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, si dhe ndërtesat e privatizuara me Ligjin Nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM Nr. 815, datë 9.12.1996. Për qytetet që nuk përmenden në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për efekt llogaritjeje do të merret në konsideratë kostoja mesatare e qytetit në distancën më të afërt. Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara nga 1 janari 1996, deri më 31 dhjetor 2002, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje, do të merret kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në:
Vendimet e Këshillit të Ministrave: VKM Nr. 815, datë 09.12.1996; VKM Nr. 13, datë 05.01.1998; VKM Nr. 214, datë 28.04.1999; VKM Nr. 362, datë 14.07.2000. Udhëzimet e kryeministrit Nr.5, datë 31.05.2001 dhe Nr. 3, datë 16.10.2002. Për qytetet që nuk përmenden në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, apo aktet e tjera nënligjore, për efekt llogaritjeje do të merret në konsideratë kostoja mesatare e qytetit në distancë më të afërt
Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara pas 1 janarit 2003, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kostoja minimale fiskale e përcaktuar në Marrëveshjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 173, datë 29.03.2006 “Për miratimin e kostos minimale fiskale në ndërtim dhe për mënyrën e përcaktimit të çmimit të shitjes se banesave”, të cilat janë pasqyruar në tabelën e mëposhtme. Për qytetet që nuk përmenden në marrëveshjet përkatëse, për efekt llogaritjeje do të merret në konsideratë kostoja mesatare për m2 të sipërfaqes së shfrytëzueshme e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në Udhëzimin e kryeministrit Nr. 1, datë 8.5.2003; Nr. 1, datë 4.03.2004; Nr. 5, datë 23.11.2005; Nr. 5, datë 7.09.2006 dhe Nr. 2, datë 4.04.2007 dhe në aktet e tjera për vitet në vijim.
Shitjet me kontratë
Në rastet e shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës “njollë” brenda këtij trualli, për përllogaritjen e detyrimit tatimor do të merren në konsideratë të dyja elementet: vlera e shitjes së ndërtesës dhe vlera e shitjes së truallit. Vlerat e shitjes së ndërtesës dhe të truallit nuk duhet të jenë më të vogla se çmimet minimale përkatëse të përcaktuara në këtë udhëzim. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.
Hipoteka, regjistrim i paspagesës së tatimit
Tatimi mbi të ardhurat nga kalimi i të drejtës së pronësisë paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme llogaritin dhe arkëtojnë detyrimin tatimor përkatës sipas procedurave të përcaktuara në ligj dhe në këtë udhëzim. Pagesa e detyrimit tatimor bëhet para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, në ZVRPP, në përputhje me aktet ligjore. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme mbledhin tatimin lidhur me kalimin e të drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe e derdhin atë brenda 10 ditëve nga kryerja e veprimeve për llogari të organeve tatimore
KOSTOT MINIMALE FISKALE SIPAS VITEVE DHE ZONAVE
Në lekë
Nr. Qytetet Kosto minimale m2 siperfaqe viti 2003 Kosto minimale m2 siperfaqe viti 2004 Kosto minimale m2 siperfaqe viti 2005 Kosto minimale m2 siperfaqe viti 2006 Kosto minimale m2 siperfaqe viti 2007
1 Berat 21.964 22.356 22.356 24.840 24.840
2 Diber 20.186 20.547 20.547 22.830 22.830
3 Durres 21.964 22.356 22.356 24.840 24.840
4 Elbasan 19.151 19.494 19.494 21.660 21.660
5 Fier 21.061 21.438 21.438 23.820 23.820
6 Gjirokaster 21.698 22.086 22.086 24.540 24.540
7 Gramsh 20.478 20.844 20.844 23.160 23.160
8 Kavaje 20.372 20.736 20.736 23.040 23.040
9 Korce 20.054 20.412 20.412 22.680 22.680
10 Kruje 22.043 22.437 22.437 24.930 24.930
11 Kucove 23.157 23.571 23.571 26.190 26.190
12 Kukes 22.202 22.599 22.599 25.110 25.110
13 Kurbin 22.043 22.437 22.437 24.930 24.930
14 Lezhe 19.841 20.196 20.196 22.440 22.440
15 Librazhd 19.151 19.494 19.494 21.660 21.660
16 Lushnje 21.884 22.275 22.275 24.750 24.750
17 Mirdite 22.282 22.680 22.680 25.200 25.200
18 Mat 22.017 22.410 22.410 24.900 24.900
19 Peqin 19.205 19.548 19.548 21.720 21.720
20 Permet 20.850 21.222 21.222 23.580 23.580
21 Pogradec 23.104 23.517 23.517 26.130 26.130
22 Puke 30.584 31.131 31.131 34.590 34.590
23 Sarande 23.741 24.165 24.165 26.850 26.850
24 Shkoder 25.067 25.515 25.515 28.350 28.350
25 Skrapar 17.772 18.090 18.090 20.100 20.100
26 Tepelene 21.884 22.275 22.275 24.750 24.750
27 Tropoje 31.804 32.373 32.373 35.970 35.970
28 Vlore 21.963 22.356 22.356 24.840 24.840
29 Tirane 26.526 27.000 27.000 30.000 30.000
30 Qershor 2010