E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet "Petrolifera" në rrezik 50 mln euro

TIRANE-Investimi i huaj 50-milionë eurosh i "Petroliferës", si pikë depozitimi e hidrokarbureve në Vlorë, rrezikon të mbyllë dyert përballë një presioni arbitrar nga administrata e lartë tatimore. Burime nga kompania thanë për Gazetën Shqiptare se presioni është kryer drejtpërsëdrejti nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, i cili synon të imponojë regjimin e kuponave fiskalë në sistemin e depozitave të naftës e gazit, ndonëse kompania as nuk shet dhe as nuk blen hidrokarbure. "Ne shërbejmë vetëm si pikë magazinimi për mallrat e të tjerëve. Nuk mund të lëshojmë kupona tatimorë vetëm për të përcjellë mallra të të tretëve, klientëve tanë, që depozitojnë dhe pastaj tërheqin produktet e tyre", thekson një nga administratorët e huaj të kompanisë. Ai shton se kompania, në përputhje me ligjin dhe kontratat me shtetin shqiptar, kryen vetëm veprimtari, që nuk përfshin transaksionet e shitblerjes dhe për këtë paguan detyrimet përkatëse. Po të lëshonim kupona fiskalë me NIPT-in tonë, shteti shqiptar do të kishte të drejtën të na akuzonte për nxjerrje të dokumenteve të falsifikuara, vijon ai më tej, pasi në asnjë akt nuk parashikohet një gjë e tillë për magazinat doganore e tatimore, që kanë një autorizim të posaçëm nga shteti për të "strehuar" mallra të të tjerëve, të cilat taksohen vetëm nga momenti kur dalin jashtë territorit të magazinës.

E perdtishmja Gazeta Shqiptare publikonsot se më datë 5 janar të këtij viti, Drejtoria e Tatimeve ka kryer inspektim, duke mos konstatuar asnjë shkelje në veprimtarinë financiare të kompanisë. Por, tri ditë më pas, më 8 janar, një grup tjetër kontrolli vendos gjobë për mungesën e regjistruesve, duke cilësuar "Petroliferën" si një subjekt import-eksporti, çka nuk është e saktë: kompania nuk kryen aktivitet tregtar. Veç gjobës, janë ndaluar të gjitha maunet të lëviznin ngarkesën e klientëve jashtë territorit të terminalit, duke shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin normal të tregut me karburant.

"Është e vështirë të kuptohet se si kërcënon administrata tatimore e një vendi investitorë të huaj në kundërshtim me ligjet dhe marrëveshjet në fuqi. Në rast se nuk ndërhyn qeveria, kuptohet se "Petrolifera" do të largohej nga Shqipëria. "Këto urdhra janë baraz me shpronësim", flet përfaqësuesi i kompanisë", citon Gazeta Shqiptare.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›