SHBA, Kongresi amerikan çel ekspozitën për Nënë Terezën
UASHINGTON - Në mjediset e Kongresit amerikan u përurua dje ekspozita me titull: "Nënë Tereza - Gonxhe Bojaxhi, simbol i gjallë i dashurisë dhe dinjitetit njerëzor". Në prani të një numri anëtarësh të kongresit dhe shqiptaro-amerikanësh, ekspozitën e deklaroi të hapur, doktoreshë Liri Berisha, themeluese dhe presidente e Fondacionit Kulturor "Nënë Tereza". Ekspozita është fryt bashkëpunimi mes Shqipërisë, diasporës dhe Kongresit amerikan. Më 1996, me një akt të posaçëm, Kongresi e shpalli Nënë Terezën 'Qytetare nderi', personi i katërt i huaj me këtë status në historinë e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria dhe Kosova e kanë shpallur zyrtarisht 2010, "Vitin e Nënë Terezës", për të nderuar këtë bijë shqiptare, humaniste, nobeliste, e shenjtore de-fakto, e lindur 100 vjet më parë. Në këtë takim, në një nga mjediset e Kongresit, kishin ardhur edhe një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, miq të shqiptarëve. Zonja Liri Berisha, presidente e shoqatës kulturore "Nënë Tereza", falenderoi pjesëmarrësit. Zonja Berisha tha se ekspozita - me veshje karakteristike shqiptare, që kishte veshur Nënë Tereza gjatë rinisë së saj, objekte kulti fetar të përdorura nga Nënë Tereza gjatë misionit të saj jetësor bamirës, fotografi, piktura, vepra artistike dhe libra të ndryshëm kushtuar punës së saj, përfaqësojnë thjeshtësinë, ashtu siç ishte vetë jeta e kësaj murgeshe, bijë e kombit shqiptar në shërbim të humanizmit. Të pranishmit i përshëndetën edhe disa ligjvënës, të cilët shprehën mirënjohje e nderim për veprën e Nënë Terezës dhe për shqiptarët në përgjithësi, që i dhanë botës një figurë të tillë si Nënë Tereza. Ligjvënësi Eliot Engel i dhuroi zonjës Berisha flamurin amerikan, të shoqëruar me një certifikatë të posaçme në emër të Kongresit. Ky flamur, - tha zoti Engel, - më 19 prill u ngrit në kupolën e Kongresit për nder të zonjës Liri Berisha.
(Voa/Balkanweb)
(Voa/Balkanweb)