SHBA: Kosova, sovrane aq sa dhe Serbia
"Kosova është sovrane dhe e pavarur. Të paktën sa është edhe Serbia", është shprehur ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, në një intervistë për "Zërin e Amerikës" (serbisht). Por, sipas tij, shoqëria kosovare aktualisht nuk është në situatën që të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbetet në Kosovë, të paktën edhe dhjetë vjet. Në konstatimin e gazetarit se si institucionet e Kosovës nuk kontrollojnë tërë territorin e Kosovës dhe se siguria ruhet nga NATO, Dell tha se "as Serbia nuk ka kontroll mbi tërë territorin e saj", sepse dispozitat e marrëveshjes së Kumanovës e detyrojnë atë që forcat e saj ushtarake dhe policore nuk guxojnë pesë kilometra nga kufiri me Kosovën. "Natyrisht se Serbia është vend sovran dhe i pavarur pavarësisht kufizimeve, të cilat i janë imponuar me këtë marrëveshje dhe natyrisht Kosova është e pavarur dhe sovrane pavarësisht kufizimeve që lindën pas konfliktit këtu", tha Dell. I pyetur nëse SHBA-të do të tërheqin njohjen e Kosovës po qe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se kjo nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Dell në mënyrë kategorike hedh poshtë një mundësi të tillë duke thënë: "Jo, nën çfarëdo rrethanash". Ai sqaron se bëhet fjalë për një çështje ngushtësisht të përkufizuar juridike. Por, sipas tij, "është çështje nëse vetë akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare apo jo", është shprehur Dell. Ambasadori amerikan është i mendimit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë parasysh të gjitha faktet e dokumentuara nga SHBA-të.