Serbët e Jugut, shuplakë Beogradit
Banorët serbë të Graçanicës i janë përgjigjur në numër të konsiderueshëm ftesës së institucioneve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje, duke injoruar apelet nga Beogradi zyrtar që t‘i bojkotojnë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur. Sipas mediave kosovare, në orët e para të hapjes së qendrave të votimit është vërejtur një interesim i madh i serbëve për të votuar. Qytetarët serbë që votuan thonë se presin ditë më të mira për komunitetin e tyre. "Shpresoj që të ketë punësim për mua dhe familjen time", thotë një qytetar i Graçanicës. "Duhet të ketë vëllazërim, bashkim për të gjithë", thotë një qytetar tjetër, në këtë qytezë. Në rast se arrihet një pjesëmarrje e kënaqshme e serbëve të Graçanicës në zgjedhje, ky lokalitet do të shndërrohet në komunë, në bazë të planit të Ahtisarit. Janë 10 subjekte politike të cilat kërkojnë votën e banorëve të Graçanicës me fshatrat për rreth, në mesin e të cilave është vetëm një parti politike e shqiptarëve.