E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Ligji i Dosjeve,pikëpyetje qeverisëse dhe kushtetuese

 

ADI SHKEMBI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e tyre për miratimin në Parlament të ligjit të dosjeve. Një ditë pasi shumica çoi deri në fund nismën e saj, Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi përmes zëdhënësit Shon Mekormek, i cili theksoi se shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë i janë transmetuar edhe Kryeministrit Berisha, nëpërmjet ndihmës së Sekretarit të Shtetit Daniel Frid. Zëdhënësi Shon Mekormek tha se “procesi i ndjekur për miratimin e ligjit për Pastërtinë e Figurave, ka dhënë arsye për shqetësime nga pala amerikane. Shtetet e Bashkuara ia kanë shprehur këto shqetësime qeverisë shqiptare dhe pikërisht ndihmës-sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë Daniel Fried bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë për këto shqetësime”. Sipas tij, SHBA po e ndjek nga afër procesin e miratimit të ligjit të dosjeve, por edhe zbatimin e tij. Mekormek theksoi gjithashtu se Shqipëria është duke u përballur me historinë e saj, teksa shtoi se pas miratimit të ligjit duhen marrë masat që të mos përjashtohen njerëzit nga jeta e përditshme në vend. “Ky është një nga ato procese që Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër. Është me rëndësi që në çdo demokraci qeveria të udhëheqë në një mënyrë të tillë që të gjithë njerëzit të kenë mundësi të marrin pjesë në përcaktimin e të ardhmes së vendit. Shtetet e Bashkuara, e kanë të qartë se Shqipëria është duke u ballafaquar me historinë e saj, por ajo duhet të sigurojë që në këtë proces të mos i përjashtojë njerëzit nga jeta e përditshme në vend”, theksoi zëdhënësi i DASH. Reagimi publik i Shtëpisë së Bardhë, një ditë pas miratimit të ligjit vjen në një kohë që ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh ditët e fundit me krerët më të lartë të shtetit. Kreu i diplomacisë amerikane në vendin tonë ka takuar Presidentin Topi, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryeministrin Berisha, me të cilët ka folur për Ligjin e Dosjeve. Gjatë një prononcimi për mediat, ai ka bërë të ditur qëndrimin e SHBA-ve para miratimit të ligjit, sipas të cilës drafti ngre probleme serioze kushtetuese dhe votimi i tij duhet shtyrë.

Telefonata Berisha-Fried, ambasada zbardhi bisedën

Një ditë para votimit të ligjit të dosjeve në kuvend, ambasada amerikane zbardhi një bisedë të ndihmës-sekretarit të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë Daniel Fried me kryeministrin Berisha. sipas ambasadës biseda telefonike mes tyre është zhvilluar të shtunën në orën 18.00 dhe Fried i ka paraqitur kreut të qeverisë shqiptare qëndrimin e shprehur edhe nga ambasadori Uidhërs pak ditë më parë, sipas të cilit ligji ngre probleme serioze kushtetuese dhe ligjore. Kryeministri Berisha deklaroi të dielën se nuk kish biseduar atë ditë me zyrtarin e lartë amerikan, por pas bisedës së publikuar të ambasadës amerikane, zyra e kreut të qeverisë sqaroi përmes një njoftimi për shtyp se biseda ka ndodhur të shtunën në mbrëmje dhe në të është folur edhe për ligjin e dosjeve. “Zyra e shtypit njofton se Kryeministri Berisha ka zhvilluar ditën e shtunë në orën 6 pasdite një bisedë telefonike me Nën-Sekretarin Fried. Biseda është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore dhe në të është diskutuar për dosjet dhe për probleme të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Berishës.

Ambasada: Ligji ngre pikëpyetje ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese

Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë u shpreh, se janë të shqetësuar sepse ligji “Për pastërtinë e figurës” u votua me një shumicë të thjeshtë. “Ambasada e SHBA ndoqi nga afër votimin e mbrëmshëm në Parlamentin shqiptar, që miratoi ligjin “Për pastërtinë e figurës” me shumicë të thjeshtë. Ne jemi thellësisht të shqetësuar. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore, qeverisëse dhe kushtetuese tek partnerët ndërkombëtarë përfshirë Shtetet e Bashkuara. I bëjmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të marrë hapa të menjëhershme në konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar, që ky ligj do të përmbushë standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën për median. Pas thirrjes për mosmiratimin e këtij ligji, ndërkombëtarëve nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse t’i drejtojnë apelimet e tyre drejt arritjes së standardeve ndërkombëtare. Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së, Biks Aliu në një prononcim në “Top Channel”, theksoi se “ligji i miratuar ngre pikëpyetjen e parimit të ndarjes së pushteteve, ngre pikëpyetje për pavarësinë e gjyqësorit dhe ngre pikëpyetje serioze për të drejtat e personave të akuzuar”. “SHBA nuk ka asnjë kundërshtim, që shtetet e dala nga komunizmi të shkëputen e kaluara komuniste. Ky ligj ngre pikëpyetje serioze ligjore dhe kushtetuese, jo vetëm tek ne, por edhe tek partnerët tanë”, theksoi Aliu për “Top Channel”.

Topalli përplaset me OSBE-në

BLEDAR HOTI

Organizmat ndërkombëtare i kërkojnë maxhorancës qeverisëse monitorim të zbatimit të ligjit “Për hapjen e dosjeve”. Një ditë pas miratimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës”, drejtues të OSBE-së i kanë paraqitur kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, pretendimet e tyre për mënyrën e zbatimit të tij në praktikë. Dje paradite, kryeparlamentarja Topalli priti në zyrën e saj zv/ambasadorin e OSBE-së, Alex Finnen. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, takimi u bë me zëvendësin e OSBE-së, pasi ambasadori Bosch nuk ndodhej në Tiranë. Prezenca e OSBE-së i bën thirrje qeverisë shqiptare, që të garantojë, që ligji “Për pastërtinë e figurës” të përmbushë standardet ndërkombëtare. Për OSBE-në, ligji i miratuar duhet të përmbushë kërkesat e standardet e një shteti ligjor. “Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare. Për këtë qëllim, nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmerren hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar, që ky ligj të përmbushë standardet ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve”, deklaroi Finnen pas takimit. Ndërsa kryetarja e Kuvendit ka shprehur qartë qëndrimin e saj se “ne kemi të gjithë vullnetin dhe garantojmë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji, në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu”. Ndërsa zyrtari i OSBE-së ka shprehur gatishmërinë  për të ndihmuar qeverinë shqiptare në zbatimin e këtij projektligji. “Prezenca e OSBE-së ka ndjekur debatin në Parlamentin shqiptar, ku u miratua ligji “Për Pastërtinë e Figurës” me shumicë të thjeshtë, të 77 anëtarëve të pranishëm. Ne gjithashtu, vërejmë shqetësimet e shprehura sot nga disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë në rast, se kjo gjë i kërkohet nga qeveria shqiptare”, deklaroi Finnen. Kryeparlamentarja Topalli i ka bërë të qartë vendimin e prerë të maxhorancës, duke theksuar se “nuk ka Kushtetutë në vende të lira, që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ata dhjetëra e mijëra shqiptarë që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja”. “Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor, që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli. Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha kryeparlamentarja. Sipas saj, “ajo që është kushtetuese për Gjykatën Evropiane të së Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetues për Shqipërinë, që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial”. Kryetarja e Kuvendit tha se “ne kemi të gjithë vullnetin dhe garantojmë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu”. OSBE ka ndjekur nga afër debatet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës për çështjen e ligjit të Dosjeve. Kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosch disa orë përpara votimit të projektligjit në seancën e së hënës i bëri thirrje maxhorancës që ta tërhiqte atë. “Kryetari i prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosch dhe drejtori i zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ambasadori Janez Lenarcic, nxitën Parlamentin shqiptar që të marrë parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi “Pastërtinë e Figurave”, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera”, thuhej në deklaratën e lëshuar dy ditë më parë nga OSBE-ja.

Jozefina Topalli

Nuk ka Kushtetutë në vende të lira, që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ata dhjetëra e mijëra shqiptarë, që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja.

Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor, që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli. Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek.

Ligji çek është shqyrtuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ajo që është kushtetuese për Gjykatën Evropiane të së Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetues për Shqipërinë, që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial.

Alex Finnen

Ligji për Pastërtinë e Figurës i miratuar nga Kuvendi duhet të përmbushë kërkesat e një vendi, që bazohet mbi shtetin ligjor. Në veçanti, duhen respektuar plotësisht dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe standardet e pranuara ndërkombëtare.

Ne gjithashtu, vërejmë shqetësimet e shprehura nga disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KE. OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë, në rast se kjo gjë i kërkohet nga qeveria shqiptare.

Për këtë qëllim, nga qeveria shqiptare pritet që të ndërmerren hapa të menjëhershëm në konsultim me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të garantuar, që ky ligj të përmbushë standardet ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të sigurojë partnerët ndërkombëtarë për angazhimin e saj ndaj këtyre standardeve.

“Presidenti të dekretojë ligjin”

Lëvizja Studentore ’90 përshëndet dhe mbështet ligjin e miratuar nga Parlamenti Shqiptar për hapjen e dosjeve. Sipas këtij grupimi, miratimi i një ligj të tillë është i mirëpritur nga të gjithë ata që duan zhvillimin dhe ecjen përpara të Shqipërisë. “Lëvizja Studentore ’90 si një lëvizje antikonformiste, e cila përmbysi diktaturën më të dhunshme e të përgjakur të Evropës Lindore gjykon, se hapja e dosjeve është hapi më serioz i këtyre 18 viteve demokraci për ndëshkimin e fajtorëve dhe bashkëpunëtorëve të diktaturës. Një ndëshkim që në fakt duhet të kishte ndodhur me kohë. Ne gjykojmë se e shkuara e dhimbshme shqiptare ka mbetur e pagjykuar. Dhe kjo nuk është e drejtë”, thuhet në deklaratën për shtyp. Gjithashtu, theksohet se “është e pafalshme, që persekutorë dhe ideatorë të diktaturës të udhëheqin institucione të rëndësishme të shtetit, duke u fshehur pas petkut të demokracisë dhe lirisë. Kjo vetëm sa e pengon demokracinë ende të brishtë shqiptare”. Ky grupim inkurajon Presidentin e Republikës ta dekretojë ligjin, si pjesë e një procesi të ri historik për Shqipërinë, si pjesë e një borxhi të zgjatur ndaj gjithë atyre që u zhdukën, u vranë, u burgosën, u dhunuan.

KE, Devis: Ligji i nxituar krijon padrejtësi
Këshilli i Evropës e cilëson si një nxitim të maxhorancës miratimin e ligjit “Për verifikimin e zyrtarëve dhe të zgjedhurve në administratën e lartë”. Për KE-në kjo është kryer me imponim, pa pasur kohën e mjaftueshme. Gjithashtu, aludohet se ky ligj mund të krijojë padrejtësi se korrigjim të historisë. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Devis, e cilëson ligjin e sapo miratuar nga maxhoranca për hapjen e dosjeve, si një nxitimin të dukshëm të Kuvendit. “Ligji i ri mbi pastërtinë e figurave duket se është miratuar në mënyrë të nxituar nga Parlamenti shqiptar, duke mos i lënë mbrojtësve të tij mjaftueshëm kohë për të shpjeguar, se në çfarë një ligj i tillë është i rëndësishëm gati 20 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist”, deklaroi Devis. Zyrtari i KE-së, shtoi gjithashtu se “vetëm faktori kohë krijon arsye për shqetësim, që ky ligj do të krijojë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë”, deklaroi Devis. Sipas tij, Këshilli i Evropës do të mbajë një qëndrim përfundimtar për ligjin, që do të miratohet vetëm pasi të jetë njohur plotësisht me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Për këtë pritet që ekspertët e KE-së të realizojnë studimin e nevojshëm mbi ligjin e miratuar vetëm me votat e maxhorancës në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›