Dosjet, Berisha: Votimi ishte një fitore historike
ADI SHKEMBI
Megjithë kontestimet e ndërkombëtarëve një ditë pasi maxhoranca votoi ligjin e dosjeve në Parlament, Kryeministri Berisha insiston në qëndrimin e tij. Duke folur nga tuneli i Kalimashit, ku inspektoi punimet e rrugës Durrës-Morinë, kreu i qeverisë e konsideroi votimin e ligjit të hënën në mbrëmje si një fitore historike të vendit. Sipas kreut të qeverisë, Kuvendi në votimin e fundit ka bërë historinë. "Vota dje në Parlament është një fitore historike e shqiptarëve mbi krimin politik. Ajo është një fitore historike dhe shqiptarët do të mund të shohin tani drejt korridorit të tyre, drejt vlerave të demokracisë, do të mund të shohin drejt integrimit. Unë mendoj se Parlamenti shqiptar dje ka bërë histori", u shpreh Kryeministri Berisha. Prej dy javësh maxhoranca ka mbrojtur publikisht miratimin e ligjit të dosjeve, megjithëse që në nisje të këtij procesi, opozita ka dalë kundër tij. Por përveç pakicës, ditë pas dite kundër ligjit është rreshtuar edhe i gjithë faktori ndërkombëtar në vend, që nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e deri te OSBE- ODIHR. Vetëm pak orë para diskutimit në Parlament të ligjit të Dosjeve, Kryeministri Berisha iu përgjigj të gjithë skeptikëve të tij. Në një mbledhje të grupit të deputetëve demokratë, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është vend sovran, dhe ligji që do të miratohet do të jetë brenda standardeve të kërkuara. "Ne jemi një vend i lirë, vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve, në mënyrë kategorike. Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Evropës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le asnjë shkas për mungesë transparence", u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit pas miratimit të ligjit, gjithkush ka të drejtë t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për ligjshmërinë e tij. Por sipas kreut të qeverisë, në shumicën e rasteve të mëparshme pretendimet për ilegjitimitetin e këtij tij, janë rrëzuar. "Ne në këtë çështje do të kemi për bibël vendimet, qëndrimet e Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut, të Strasburgut. Thuhet që nuk ka të drejtë apeli, por jo, çdo njeri ka të drejtë apeli. Gjykata nuk ka trajtuar asnjëherë në themel ligjet, por në një pjesë të mirë të rasteve që janë ankuar, ajo ka gjykuar në disfavor të tyre, ka gjykuar se vërtetë kanë kufizuar të drejtën, por mund të kufizohet e drejta për atë që ke bërë", u shpreh më tej Berisha. Pas debatesh të shumta ditët e fundit, kreu i qeverisë paralajmëroi të dielën në mbrëmje se ligji do të kalojë për votim dhe të hënën deputetët e maxhorancës kaluan me 74 vota pro draftin e paraqitur. Nga ana e saj opozita bojkotoi votimin duke e konsideruar fals ligjin e propozuar nga shumica, me argumentet se ai nuk hap dosjet dhe bie ndesh me kushtetutën.