SHBA: Ligji për dosjet, me probleme ligjore dhe kushtetuese
Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan ditën e djeshme në lidhje me projektligjin për hapjen e dosjeve, duke e cilësuar atë si një projekt me probleme ligjore dhe kushtetuese.
Në një deklaratë të shpërndarë nga ambasada amerikane në Tiranë thuhet se qeveria amerikane përshëndet vendimin për të mos e miratuar mbrëmjen e së hënës projektligjin, duke e parë këtë si një mundësi të mirë për një diskutim dhe reflektim për ligjin.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se qeveria amerikane nxit përfshirjen e qëndrimeve ndërkombëtare ligjore në këtë projekt, për të garantuar që ai të përputhet me modelet e huaja. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi Projektligjin për Pastërtinë e Figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu, nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ambasada amerikane.
Reagimi i tyre vjen, pasi socialistët paralajmëruan se ligji ka probleme të thella ligjore dhe kushtetuese, dhe deklaruan se do e ankimojnë atë në Kushtetuese.
Edhe eksponentë të së djathtës që shprehën votën pro ligjit, si deputeti Spartak Ngjela, thanë se duhej marrë parasysh ky nonsens, që Gjykata Kushtetuese të pranonte një ligj ku sanksionohet ndërprerja e mandatit të tyre.
Diskutimet për ligjin e dosjeve vijuan deri në mëngjesin e së martës.
Opozita braktisi sallën, por dhe brenda së djathtës pati kundërshtime në lidhje me ligjin. Deputetë të njohur si mbështetës të presidentit Topi thanë se nuk duhej lejuar që persona si Gramoz Ruçi të shpëtonin nga ligji. Por ligji nxori në pah dhe nënshtrimin e shumë deputetëve tani në prag të përgatitjes së listave për kandidim.
PD: Babai i Ramës firmosi ekzekutime
Ligji për dosjet, i cili nuk u miratua në Kuvend të hënën vonë, kaloi për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve ditën e djeshme për t’u shtuar me disa amendime.
Pasi akuzoi ashpër në Kuvend kryetarin e PS, Edi Rama, si të lidhur me nomenklaturën komuniste, kryeministri, Sali Berisha, përdori amendimet për të përforcuar idenë se Rama është i lidhur nga familja me regjimin. Kështu, në amendimet e kaluara në Komisionin e Ligjeve ishte ai në nenin 3 në lidhje me subjektet që do i nënshtrohen verifikimit.
Në këtë nen shtohen fjalët “papajtueshmëria e kryetarëve të degëve të Punëve të Brendshme dhe anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor”.
E pak më vonë, për të përforcuar një gjë të tillë, zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani, tha se Rama duhet të kërkojë falje që i ati ka firmosur ekzekutimin e njerëzve. “Në rast se zoti Rama do të faktojë të kundërtën, duhet t’u kërkojë të falur shqiptarëve për firmën që ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka vendosur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Gazmend Leka dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë.
Zoti Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptareve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë, të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e pseudointelektualit Spiro Koleka. Zoti Rama e di mirë se kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por ky i fundit nuk pranon lustracionin dhe fakton se më shumë se gjithçka mbron të shkuarën e familjes së tij. Kryeministri fton zotin Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tija të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara”, - tha Bogdani.
Ndërkohë, në ligj janë bërë dhe të tjera amendime, pikërisht në nenin 3.
Sipas amendimit, të propozuar nga 5 deputetë të Komisionit të Medias, “do t'i nënshtrohen procesit të verifikimit Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtorët e Përgjithshëm, Drejtori dhe nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe nëndrejtori i TV dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar”.
Amendimi vijon më tej me “drejtorin, nëndrejtorin dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e Këshillave drejtuese të mediave publike”.
Mazhoranca nuk miraton amendimin për dhe ku flitet për procedim ligjor ndaj prokurorëve dhe gjykatësve
Mazhoranca megjithatë ka nisur dje të reflektojë në njëfarë mënyre në lidhje me përdorimin e ligjit për të sulmuar prokurorët dhe gjykatësit. Një amendim i paraqitur nga deputetë të saj parashikonte përveçse largimin nga puna të njerëzve të drejtësisë, edhe ndjekje ligjore për ta. Mendimi është rrëzuar në Kuvend.
Nga ana tjetër, mazhoranca vijoi të kërkojë reflektim nga ana e Partisë Socialiste për ligjin. “Ajo që mund të pritet nga PS është që të reflektojë gjatë këtyre ditëve dhe të ndryshojë qëndrimin e saj duke u distancuar nga e shkuara kriminale e diktaturës dhe nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit që janë ende në krye të disa institucioneve tona”, - tha kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi. “Ne i kemi ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Ne kemi bërë që në thelbin e tij të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak.
Deputeti Patozi, duke shpjeguar arsyet e mosmiratimit të ligjit dje nga parlamenti, tha se kjo ishte thjesht çështje teknike.
Ligji i ‘dosjeve’ u diskutua dje në parlament, në një debat maratonë që zgjati rreth 7 orë. Deputetët e djathtë e mbështetën miratimin e tij, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në diskutim, duke e cilësuar draftin si ‘antikushtetues’.
Ligji çek s’flet për prokurorët e gjykatësit
Deklaratat e kryeministrit se ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë është modeli çek, rezultojnë jo shumë pranë së vërtetës.
Top Channel ka arritur të sigurojë një kopje të këtij ligji dhe aty del se nuk ka asnjë nen, që të parashikojë se penalizohen zyrtarët që kanë qenë gjyqtarë dhe prokurorë në proceset politike.
Ligji çek penalizonte disa kategori të zyrtarëve, të cilët në kohën e regjimit komunist, 1948 deri në 1989, nuk duhet të kenë qenë oficerë në Sigurimin e Shtetit, mos jenë regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si agjentë apo sigurues të një apartamenti si vend konspiracioni, si informator apo si bashkëpunëtor ideologjik i Sigurimit të Shtetit, të mos kenë qenë bashkëpunëtorë të ndërgjegjshëm të Sigurimit të Shtetit.
Gjithashtu, ata duhet të mos kenë qenë sekretarë të ndonjë dege të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, apo Partisë Komuniste të Sllovakisë në shkallë distrikti, anëtarë të Komitetit Qendror të Byrosë ekzekutive për punën e partisë në Bohemi, të mos kenë qenë oficerë në milicinë popullore, të mos ketë qenë student i kolegjit “Xherxhinski” për oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe një sërë detyrash të tjera të mbajtura në kohën e regjimit komunist.
Por në asnjë pikë të nenit dy të këtij ligji nuk përmendet që kategoritë që verifikohen nuk duhet të kenë qenë prokurorë dhe gjykatës në proceset politike speciale.
Një tjetër argument i kryeministrit Berisha në Kuvend ishte se qenë socialistët, të cilët shfuqizuan ligjin për dosjet, miratuar në vitin 1995. Por, në fakt, ishte presidenti i asaj kohe, Berisha, i cili në maj të 1997 do të shfuqizonte nenin që penalizonte disa përfaqësues të opozitës të kandidonin në zgjedhje.
Por, bashkë me heqjen e nenit që penalizonte politikanët, presidenti Berisha shfuqizoi edhe nenin që penalizonte gjyqtarët dhe prokurorët. Përmes këtij dekreti Më 13 maj të vitit 1997 vetëm një muaj e gjysmë para zgjedhjeve të 29 qershorit të këtij viti, në frymën e marrëveshjes së 9 marsit mes forcave politike pas trazirave sociale me rënien e skemave piramidale, presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, ndryshon nenin 2 të ligjit për pastërtinë e figurës.
Ai heq pikën që penalizonte politikanët të kandidonin dhe bashkë me të dhe pikën ku zyrtarët që verifikohen nuk duhet të kenë qenë prokurorë dhe gjykatës në proceset politike, nen që përfshihet sërish në ligjin e vitit 2008.
Një gjë është e sigurt, se drafti aktual tashmë i kontestuar dhe nga amerikanët, mund të jetë bazuar te një model i huaj. Por është e sigurt se ky së paku, nuk ka qenë modeli çek.
top-channel.tv