SHBA, Papandreu: Takimi me Obamën, shumë i frytshëm

Jorgo Papandreu është shprehur shumë i kënaqur me takimin e tij me presidentin e SHBA-së Barak Obama. Kryeministri grek pohoi se kishte marrë mesazhe pozitive nga ana e Obamës për të filluar një fushatë botërore për të ulur pasojat e krizës ekonomike në të cilën ndodhet aktualisht Greqia.
"Unë pata mundësinë që të informoj presidentin Obama për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Greqia dhe natyrisht për masat urgjente që duhet të ndërmerren për të normalizuar situatën tonë ekonomike. Gjithashtu ne patëm mundësi që të flisnim edhe për masat dhe këshillat që na kanë sugjeruar FMN-ja, Banka Botërore apo edhe qeveritë e shteteve të BE-së. Obama u shpreh i kënaqur në lidhje më mbështetjen që ne kemi pasur."- u shpreh kryeministri i vendit tonë fqinj.
Gjatë deklaratë së tij për shtyp pas takimit me presidentin Obama, Papandreu saktësoi se vendi i tij nuk ka dëshiruar dhe nuk ka kërkuar ndihma financiare ose ndonjë garant ekonomik.
"Ne do të dëshironim që të merrni borxhe me interes të ulët në tregun ndërkombëtar, nëse do të ishte e mundur, natyrisht duke patur parasysh edhe asistencën e vendeve të BE-së. Unë kam shumë besim se ne do të arrimë që ta përballojmë këtë situatë. Unë i jam shumë mirënjohës BE-së për solidaritetin e saj ndaj problemit tonë delikat që ne po kalojmë aktualisht."- pohoi kryeministri Papandreu. Jorgo Papandreu, përpara se të takohej me presidentin Obama, ai ka zhvilluar një sërë takimesh duke përfshirë takimet me zëdhënësen e dhomës së përfaqësuesve në senatin amerikan, Nancy Pelosi.
Gjithashtu mediat amerikane pohojnë se kryeministri ballkanas ka takuar edhe përfaqësuesit më të lartë të lobit grek që ndodhet në SHBA. Lobi grek në SHBA është një nga lobet më të fuqishme dhe me më shumë ndikim në politikën amerikane.
Pas këtij takimi nuk ka munguar edhe reagimi i presidentit amerikan Barak Obama. Presidenti i SHBA-së u shpreh se Papandreu po e drejton Greqinë në një kohë të mbushur me sfida.
"Në kohë të vështira dhe në kohë të begatë populli grek do të gjejë kurdoherë tek SHBA-ja një partner të besueshëm."- u shpreh Obama.
Gjatë deklaratës së tij pas takimit presidenti Obama lavdëroj Greqinë për figurat e mëdha intelektuale që ky popull ka nxjerrë sidomos gjatë kohës së antikitetit. Presidenti Obama shprehu adhurimin e tij ndaj Homerit, Platoni dhe Aristotelit.