E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e BSH-së: “Janari, muaj i vështirë, kredia në vend ra me 35 për qind”

Inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind. Treguesit monetarë u ngadalësuan në muajt e parë të vitit

Ervin KOÇI

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi dje me kujdes zhvillimet më të fundit në inflacion, në tregun financiar dhe në aktivitetin ekonomik të vendit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka konstatuar se treguesit monetarë paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes edhe në muajt e parë të vitit 2009. Sipas tij, “rënia ekonomike është ndikuar ndjeshëm nga kërkesa e ulët në tregjet botërore. Të dhënat e muajit janar për ekonominë botërore tregojnë tkurrje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik të shkaktuar nga përçimi i krizës financiare në ekonominë reale. Inflacioni në muajin janar 2009 rezultoi 2.1 për qind, pothuajse në të njëjtin nivel me atë të fundvitit 2008. Prirja rritëse e papunësisë si edhe rënia e indekseve të besimit kanë shtuar rreziqet e një rënieje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik botëror”. Kjo gjë transmeton sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8 për qind. “Kurse portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35 për qind, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008”, - u pohua në mbledhjen e BSH-së.

Pasiguria trashëgohet

Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve për 3-mujorin e fundit të vitit 2008 kanë regjistruar një rënie prej 10 pikësh përqindjeje të treguesit të tendencës ekonomike, i cili megjithatë është mbi nivelin mesatar të 5 viteve të fundit. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet të qëndrueshme makroekonomike në vend. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008 shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritjeje prej 16 përqindësh, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Zhvillimet në tregun financiar tregojnë për transmetim të kënaqshëm të vendimit të fundit politikës monetare, duke reflektuar lehtësimin e kushteve monetare.

Valutat

Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektivë, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Ndryshimi vjetor i indeksit NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) ka rezultuar në rënie me 4.2 për qind. Përveç faktorit sezonal, gjykohet se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit.
Për këtë qëllim, BSH-ja tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. BSH-ja gjykon se ka ardhur koha që të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes.

Vendimet

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar, në nivelin 5.75 për qind, normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjella të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Ky vendim, sipas BSH-së, do t’i shërbejë qëndrueshmërisë së situatës makroekonomike në vend, nëpërmjet një përputhjeje më të mirë të faktorëve të kërkesës me ato të ofertës, si dhe për kontrollin e presioneve inflacioniste brenda objektivit të politikës monetare. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky vendim do të ndihmojë në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar në vend, kryesisht nëpërmjet ruajtjes në nivele pozitive nxitëse të diferencës së normave të interesit mes lekut dhe valutës.

Zyra turistike dhe informacioni për Shqipërinë në Aeroportin e Rinasit

Turistët dhe të gjithë udhëtarët që do të zbresin në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit në Tiranë, do të gjejnë të gjithë orientimin e nevojshëm në rrugëtimin e tyre drejt kryeqytetit. Prej disa ditësh ka filluar nga funksionimi informacioni turistik, i cili realizohet përmes dy pikave të instaluara në aeroportin "Nënë Tereza" dhe në Zyrën e Informacionit Turistik, që gjendet pranë Teatrit të Metropolit (ish-Estrada). Projekti është realizuar me mbështetjen e GTZ-së dhe synon ofrimin e informacionit turistik për të gjithë vizitorët e mbërritur në kryeqytet. Pika e vendosur në Rinas gjendet në portën e mbërritjes së pasagjerëve në aeroport dhe shërben si kontakti i parë njohës me qytetin. Në këtë pikë punojnë dy operatorë, paradite dhe pasdite, të cilët ofrojnë informacion të përgjithshëm për vizitorët. Ndërkohë, ata i njoftojnë turistët për Zyrën e Informacionit Turistik, e cila është në varësi direkte nga Bashkia e Tiranës. Në këtë zyrë turistët mund të marrin një informacion më të detajuar dhe të hollësishëm për qytetin. Këto zyra janë pjesë e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, funksioni i së cilës mendohet t'i japë një hov cilësor marketimit të Tiranës dhe vlerave të saj. Informacioni turistik përfshin njohjen me vendet për t'u vizituar, aktivitetet kulturore që ndodhin në Tiranë, muzetë dhe galeritë e artit, akomodimin në hotele, historinë e qytetit, pra gjithçka që mund të jetë e dobishme për një vizitor të huaj.

26 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›