E Diel, 1 Nëntor 2026

Donald Qose u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg nga drejtësia shqiptare, rreth 1.5 vjet për çdo gram

Një 22-vjeçar nuk ka qenë dhe aq i privilegjuar nga drejtësia shqiptare, duke u dënuar me 3 vjet e katër muaj burg për 2.2 gramë hashash, ndërkohë që persona të cilët janë kapur me nga mbi 60 kg heroinë, kanë mundur të shpëtojnë nga dënimi dhe ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Bëhet fjalë për historinë e Donald Qoses nga Berati, për të cilin Interpol-Tirana nuk ka përtuar të shkojë deri në Itali dhe ta ekstradojë për të shënuar një tjetër sukses në radhët e policisë shqiptare. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma e Italisë i Donald Qoses, 22 vjeç, lindur dhe banues në Berat.
Gjykata e Beratit, me vendimin penal nr.178, datë 25.10.2007, e ka dënuar atë me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Sipas të dhënave nga dosja penale, në datë 25 mars 2007, rreth orës 20:00, nga kontrolli i ushtruar nga oficerë dhe agjentë të Seksionit të Luftës kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, në banesën e tij, pas kontrollit fizik, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 2.2 gramë lëndësh narkotike e llojit kanabis.
Pra, atij i ka kushtuar pothuajse një vit e gjysmë burg për çdo gram kanabis, pavarësisht se ka deklaruar se ishte vetë përdorues i kësaj lënde narkotike. Siç dihet, ekzistojnë trafikantë droge, të cilët janë kapur nga policia shqiptare me sasi të mëdha kokaine e heroine dhe kanë mundur të dalin në liri, pasi drejtësia shqiptare nuk i ka dënuar. Ndërsa për Qosen, dosja është thurur aq mirë, duke e dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për 2.2 gramë hashash. Për më tepër është realizuar edhe ekstradimi i tij, duke i sjellë edhe më shumë shpenzime shtetit shqiptar, pasi konsiderohet me rrezikshmëri të lartë në fushën kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›